Po u ngrit aktakuza nga Gjykata e Hagës ndaj Vuçiqit, do shpëtonte Serbia, Dardania dhe perëndimi

Opinione

Po u ngrit aktakuza nga Gjykata e Hagës ndaj Vuçiqit, do shpëtonte Serbia, Dardania dhe perëndimi

Nga: Sherif Ramabaja Më: 19 qershor 2023 Në ora: 18:16
Autori Sherif Ramabaja

Po të pyeteshin Kroacia, Bosnja dhe Dardania edhe Vuçiqi do të duhej të përgjigjej për krime lufte, në Gjykatën e Hagës.

Kanë kaluar vite dhe këto gjëra askush nuk i ka marr seriozisht, por po vjen prapë një moment, ku bashkësia ndërkombëtare do të duhej që seriozisht të mendonte për një hap të tillë. Më mirë vonë se kurrë, derisa nuk ka ndodh ndonjë tragjedi tjetër.

Vuçiq me decenie është duke e tërhequr perëndimin për hunde duke  premtuar për kooperim, por ai gjendjen në Veriun e Dardanisë e ka sjell para shpërthimit.

Bisedimet i zvarriti me decenie. Në Veriun e Dardanisë i ka organizuar bandat kriminale, e ka paralizuar jetën duke i sulmuar organet e rendit, e tash së fundmi edhe KFORIN.

Mjaftonte një deklaratë e tij që menjëherë, të bllokoheshin rrugët në Veriun e Dardanisë.

Së fundi shkaktoi kaos me paramendim në mënyrë që tu ikte obligimeve nga marrëveshja e Ohrit, të cilën nuk e kishte firmosur, por vetëm gojarisht e miratonte, duke u tallur me të gjithë.

Në fund kur presioni kundër tij është rritur nga opozita serbe, për ta larguar vëmendjen nga këto ngjarje, e ka sjell gjendjen para shpërthimit në Kosovë.

Derisa bashkësia ndërkombëtare ende është e pa vendosur se si të reagoi, po i bënë presion Kosovës për lëshime të njëpasnjëshme.

Kryeministri Kurti deri më tash presioneve u ka rezistuar dhe po kërkon që Serbia të vihet para përgjegjësisë, e cila me paramendim po i manipulon serbët në Kosovë për luftë nxitje.

Këto pozicione të ngurta Vuçiqi po i shfrytëzon në mënyrë të paskrupullt dhe shkoi edhe një hap më tutje, me i kidnapimin e tre policëve brenda territorit të Kosovës, duke hedhur benzinë në flakët e zjarrit .

Serbia dhe Vuçiqi si gjithnjë duke përdor intriga, po mundohen ta fitojnë perëndimin për vete, kundër Kurtit dhe Kosovës, me inskenime dhe gjëra të paqena.

Ndoshta një rrugëdalje nga kjo gjendje do të ishte involvimi i Gjykatës së Hagës, në mënyrë që ta bënte publike aktakuzën kundër Vuçiqit.

Do të duhej vetëm një guxim dhe vendim për të reaguar, para se konflikti të merr flakë.

Kjo do të ishte një lehtësim për të gjithë si për vetë Serbinë, po ashtu për bashkësinë ndërkombëtare dhe Dardaninë.

Shpeshherë nga oportunizmi i bashkësisë ndërkombëtare janë lejuar që të ndodhin tragjedi, që do të mund të evitoheshin. Kjo më së miri dokumentohet me kohën dramatike, para shpërbërjes së ish Jugosllavisë.

Të gjithë i ndienin erërat e luftës dhe konflikteve që i përgatiste Serbia, kurse perëndimi insistonte dhe luftonte kundër shpërbërjes së shtetit jugosllav.

Rasti më i ri është po ashtu ai i Ukrainës, e cila me ngulm në vitin 2014 insistonte që të pranohej në NATO, kurse perëndimi po ashtu me oportunizëm e kishte refuzuar kërkesën e saj.

Po të ishte anëtarësuar Ukraina në NATO, Rusia nuk do të guxonte të bënte tmerre të tilla, në zemër të Evropës.

Për të shpëtuar Ballkani nga një tragjedi e re, do të mjaftonte që tash Gjykata e Hagës me faktet të gjalla, ta shpallte aktakuzën kundër Vuçiqit dhe të kërkonte arrestimin e tij. Kjo do të ishte rruga më e pa dhimbshme dhe shpëtim nga një tragjedi e re, të cilën është duke e përgatitur Vuçiqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat