Çka ka, e çka s'ka plani franko-gjerman?

Opinione

Çka ka, e çka s'ka plani franko-gjerman?

Nga: Fatmir Bajraj Më: 26 janar 2023 Në ora: 13:27
Autori Fatmir Bajraj

Kosova nuk e lexoi drejt momentumin, ra në grackën e Serbisë armike duke luajtur lojën e saj me apo pa qellim, me ç’ rast dëmtoi partneritetin me aleatet tanë strategjik në krye me Amerikën, dhe bëri kauzën serbe kauzë të perëndimit, me apo pa vetëdije, dhe tani jemi para aktit të kryer ; merre ose lëre...!

Ka marrëveshje për normalizim, s'ka marrëveshje për njohje,

Ka ma shumë Serbi në Kosovë, ka më pak Kosovë në veri të vendit,

Ka marrëveshje për ngrirje të konfliktit, s'ka progres për Kosovën,

Ka marrëveshje për Asociacion të Komunave Serbe, por jo edhe për shqiptarët në Luginë (Preshevë, Medvegjë e Bujanovc)!

Ka marrëveshje për të drejtat ekskluzive & suplementare për serbët në Kosovë dhe

S'ka reciprocitet me Serbinë dhe as për Kosovën Lindore,

S'ka avancim të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, madje as garanci se nuk do të iu mohohen edhe të drejtat elementare të njeriut atje!

Me Kurtin në pushtet dhe "sovranizmin" e Tij, kemi përmbysje të narracionit politik për palët, tanimë serbët trajtohen si viktimë, derisa Ne si dhunues, PSE ?

Ka marrëveshje për të drejtat ekskluzive & suplementare për serbët në Kosovë, sepse ka;

- Autonomi politike & territoriale për AKS-në në veri të Kosovës,

- Të drejta ekskluzive të garantuara për serbët në enklava tjera,

- Eksteritorialiteti si model i ruajtjes së Kishave dhe Manastireve,

- Avancim dhe garancione për të drejtat e serbëve në veri dhe gjithandej në Republikën e Kosovës!

Serbia bënë progres, Kosova regres!

Duke mbrojtur qëndrimin: Kurrë se njohim Kosovën dhe duke mos e larguar nga preambula e Kushtetutës së saj si territor të vetin dhe të marrë me dhunë përkohësisht.

Procesi i ngrirë për Kosovën, favorizon Serbinë dhe ndëshkon Kosovën, ngase Serbia është anëtare e OKB-së dhe e të gjitha organizatave ndërkombëtare, përjashto këtu vetëm NATO-në për të cilën kurrë s'ka shfaqur interesim për shkak të bombardimeve të saj mbi Serbinë në pranverën e vitit 1999 për çlirimin e Kosovës dhe BE-në, ku Serbia është anëtare kandidat që nga vitit 2012.

Ngrirja e procesit dhe betonimi i staus-quos, në vend të njohjes nga Serbia, e ndihmon këtë të fundit që edhe për një kohë të gjatë, ta sabotojë Kosovën, "luftojë" pavarësinë e saj, dhe ta çmontojë edhe shtetësinë e brishtë të një Kosove të izoluar dhe me një AKS kancerogjene brenda!

Pasojat e pashmangshme për Kosovën:

Mosnjohja e Kosovës nga Serbia, bënë që kjo njohje të mos i vije Kosovës në asnjë rrethanë nga 5 vendet jo-njohëse të bllokut të BE-së, dhe më këtë fakt, edhe nga vetë BE, duke vazhduar të këtë qëndrim NEUTRAL ndaj statusit të Kosovës, ose nuk e njeh pavarësinë e saj.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, është kusht bazik & substancial i mos anëtarësimit tonë në OKB!

Mosnjohja de-jure nga Serbia e shtetit ë Kosovës, pengon këtë të fundit të bëhet anëtare e Aleancës veri-atlantike (NATO-së), si një vend me kontekste reale me fqinjin verior, Serbinë!

Mosnjohja de-jure e Kosovës nga Serbia, pengon Kosovën në integrimet euro-perëndimore dhe anëtarësimin në BE & OKB.

Premtimet e planit franko-gjerman për normalizim të raporteve me Serbinë pa njohje de-jure, por me një njohje, kinse de-fakto të realitetit, janë dhe mund të jenë joshëse, por janë boshe dhe të avullueshme sikurse janë avulluar gati të gjitha premtimet për koncesionet e dhimbshme në proces të DIALOG-ut !

Për pasojë: Mbesim në defanzivë dhe me shpresën se një të ardhme të kemi një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, të cilën e kishim në dorë, por e lëshuam fatkeqësisht, për të kthye në pikën zero.

Nga një vend i izoluar, i kontaminuar dhe në një statu-quo të ngrirë, ikja e të rinjve do të jetë edhe më intensive,

Investimet serioze do të mungojnë, për pasojë edhe zhvillimi ekonomik do të ngadalësohet dukshëm.

Kosova do varet nga remitencat, duke u kthye në një shoqëri të m'plakur dhe vetëm konsumuese, jo produktive dhe me perspektivë të vrarë nga pushteti i pandërgjegjshëm dhe i papërgjegjshëm i frymës së "ndryshimit", alias : LVV & GUXO !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat