Pse Akademia e Shkencave dhe e Arteve e RMV-së e anashkalon dhe e injoron gjuhën shqipe?

Opinione

Pse Akademia e Shkencave dhe e Arteve e RMV-së e anashkalon dhe e injoron gjuhën shqipe?

Nga: Ejup Berisha Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 15:48
Autori Ejup Berisha

E kam një pyetje shumë serioze, të cilën do t’ia drejtoj Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut: pse në këtë institucion kulmor të shkencave dhe të arteve nuk përdoret fare gjuha shqipe? Përgjigjen dua ta marr serioze, meqë siç thashë edhe pyetja e parashtruar nga unë është shumë serioze. Paramendoni, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të një shteti demokratik, liberal dhe social siç është në bazë të Kushtetutës, shteti ynë e injoron dhe e anashkalon gjuhën shqipe, gjuhë kjo e cila përdoret dhe flitet nga 30% të pjesëtarëve të bashkësisë etnike shqiptare. Ky është realitet shumë tragjik dhe një situate tepër absurde. Nëse Akademia e Shkencave dhe e Arteve e bën një gjë të tillë, pra e injoron dhe e anashkalon gjuhën shqipe, atëherë paramendoni se çka mund të bëjnë institucionet e tjera në këtë shtet.

Me rastisi që ta hap ueb faqen zyrtare të ASHAM-së dhe u tmerrova e m’u errësuan sytë kur nuk hasa në asnjë shkronjë të vetme të gjuhës shqipe e lëre më në ndonjë material me të madh dhe më të vëllimshëm hulumtues e shkencor të shkruar në gjuhën shqipe. A ka ndonjë përgjigje logjike kryeakademiku dhe akademiket e tjerë, anëtarë të kësaj akademie, se pse mungon gjuha shqipe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të RMV-së? Pse e gjithë kjo neveri dhe urrejtje ndaj gjuhës shqipe nga njerëzit që llogariten si më të ngriturit, më të shkolluarit e me të mençurit këtu në vendin tonë. Ky veprim absurd dhe kjo sjellje katastrofike e një akademie shkencash dhe artesh nuk mund të justifikohet me asgjë.

Askush nuk mund të më bind se Akademia e Shkencave dhe e Arteve këtu ka ndonjë argument të qëndrueshëm, bindës apo dhe ndonjë arsye të shëndoshë për aktin skandaloz të anashkalimit dhe të injorimit të gjuhës shqipe nga ana e saj në këtë shtet. Mendoj se sa gjest i ulët e i shëmtuar është ky i akademikëve, të cilët e ndalojnë përdorimin e gjuhës shqipe.

Akademikët injorues të gjuhës time amtare i përkujtoj se edhe gjuha shqipe është gjuhë akademike dhe shkencore, bile edhe civilizuese. Nga përdorimi i kësaj gjuhe kanë dalë mjaft njerëz të mençur, të shkolluar, të arsimuar të edukuar dhe te ngritur intelektualisht dhe moralisht shqiptarë. Gjuha shqipe është gjuhë e ëmbël, e butë, bile edhe shumë e pasur në aspekt gjuhësor, prandaj nuk e kuptoj se pse anashkalohet dhe injorohet kjo gjuhë nga njerëzit më të shkolluar ne këtë shtet. Paramendoni se sa keq tingëllon fakti kur shkencëtarë, mendimtarë dhe hulumtues shkencor e injorojnë dhe e anashkalojnë gjuhën; në rastin konkret gjuhën shqipe.

Prandaj akademikë, dëgjoni me vëmendje: gjuha shqipe është po kjo gjuhë, që ka promovuar dhe vazhdon akoma të promovojë vlera civilizuese njerëzore! Gjithashtu kjo gjuhë e injoruar dhe e anashkaluar nga ju ka promovuar dhe vazhdon të promovojë ide dhe koncepte përparimtare për liri, barazi, tolerancë, mirëkuptim, bashkëjetesë, transparencë, demokraci, civilizim, paqe, solidaritet dhe njerëzi.

Akademikë, nuk po mund t’ju them të nderuar, sepse njerëzit e tille janë ata, të cilët nuk e injorojnë apo e anashkalojnë gjuhën, por janë ata që i zbatojnë gjuhët! Mos harroni se kjo është gjuha amtare e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, luftëtarit trim dhe bujar që ka bërë luftë të denjë dhe madhështore për çlirimin jo vetëm të trojeve dhe vendeve shqiptare, por edhe për çlirimin e rajonit më të gjerë nga robëria osmane. Kjo është gjuha e humanistes dhe e bamirëses më reputacion dhe me kredibilitet të përmasave botërore, Gonxhe Bojaxhiu apo Nënë Tereza, por edhe gjuha e intelektualit, e hulumtuesit dhe e zbuluesit shkencor me renome botërore, Ferid Murati.

Njashtu, gjuhën shqipe e flasin edhe Rita Ora dhe Dua Lipa, dy këngëtaret më të mira dhe më të dëgjuara shqiptare në valët e radiove dhe kanaleve më të mëdha televizive të botës. Prandaj akademikë te ASHAM-së, edhe pse e kam parashtruar një pyetje deri te ju, se pse është anashkaluar dhe është injoruar gjuha shqipe nga ju, unë e di se përgjigje të sinqertë, reale dhe meritore për të nuk do të marr nga ju.

Edhe pse Akademia e Shkencave dhe e Arteve, duke i pasur parasysh përgatitjet arsimore dhe shkencore të anëtareve të saj, përherë dhe në vazhdimësi duhet t’i jep përgjigjet e duhura të nevojshme dhe meritore për të gjitha fenomenet negative, për anomalitë, si dhe për lëshimet që bëhen në shoqërinë dhe në shtetin tonë. Unë e di vetëm një gjë me sigurinë më të madhe, pra e di faktin se injorimi dhe anashkalimi i gjuhës shqipe në Akademi nga ana e akademikëve nuk është as gabim e as ndonjë lëshim i pavetëdijshëm, porse është akt i qëllimshëm i tyre. Prandaj dua ta di se kur do të bëhet pjesë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të RMV-së gjuha shqipe, e cila nëse nuk e dini, është gjuhë zyrtare këtu në shtetin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat