Shtyrje për targat 10 muaj, shtyrje për njohje 10 vjet, çka pret Dardania nga kjo?

Opinione

Shtyrje për targat 10 muaj, shtyrje për njohje 10 vjet, çka pret Dardania nga kjo?

Nga: Hafiz Shala Më: 22 tetor 2022 Në ora: 16:32
Autori Hafiz Shala

Që në fillim dua të deklarohem se, pa marrë parasysh rreziqet apo impaktet e shtyrjes së këtyre afateve, qoftë e para rreth targave për 10 muaj, për mua e paarsyeshme dhe 10 vjet për marrëveshje me njohje reciproke de jure, nëse këtë e kërkon Amerika dhe e garanton zbatueshmerinë, si mike, shpëtimtare dhe gardiane e shtetit të Dardanisë, do ta pranoja.

Kur, zoti Petar Stano, zëdhënës i BE-së e kërkon këtë në emër të BE-së gjoja për një “afat të arsyeshëm “për realizimin e kësaj të drejte të pa kontestueshme kushtetuese të shtetit të Dardanisë, atëherë, pse i ikë të vërtetës se po i bëhen lëshime apo po bien pre e shantazheve të Serbisë me kërkesat e saja që në të vërtetë, janë shantazhim jo vetëm ndaj Dardanisë por, edhe ndaj BE-së edhe të SHBA-ve.

Dy muaj ditë, kryeministri Kurti në gjuhen serbe iu ka drejtua kësaj pakice rreth ndërrimit të tabelave, duke iu hequr edhe shpenzimet për regjistrime dhe ky nuk ishte rasti te qytetarët tjerë, pra, regjistrime tjera nga ato të regjimit të Millosheviqit në këto të Republikës së Dardanisë, që është kritikua nga opozita si “serbofil” pse po u drejtohet në gjuhën e tyre.

Përsëri mbetet vërteta se, BE-ja po e ledhaton Serbinë nga frika se do të krijojë trazira dhe konflikte në Ballkan, me nxitjen dhe përkrahjen e Rusisë.

Rusia, është jetësisht e interesuar të hap konflikte të reja, posaçërisht në Ballkan më theks të veçantë në Dardani pasi, ne veri i ka shërbimet e veta sekrete, forcat e përbashkëta ruso-serbe të dirigjuara dhe të sponzoruara nga Vuçiqi, dhe hapja e një frontit tjetër anti amerikan, sulmit eventual të Kinës ndaj Tajvanit, ky i fundit shtet mik dhe edhe ekonomik.

Evropa e pa vendosur, e pa sigurt, me gjithë iniciativat franko-gjermane të cilat duhen të analizohen mirë, nuk po e ka gatishmërinë që Serbisë t’i thotë stop, “inaugh is inaugh”, mjaft është mjaft dhe definitivisht duhesh të ulesh në karrigen e perëndimit Evropës, respektivisht Amerikës e jo të Rusisë.

Për fatkeqësinë tonë, në anën e Serbisë është rreshtuar edhe kryeministri Shqiptar, Edvin Kristaq Rama i cili, me gjithë fjalimet e tij, sipas asaj, fjalët si Demushi e punën si askush, është kundër perëndimit, arsyet qe mund t’i supozojmë, por ai i di vetë ato.

Të thuash se, Edvin Kristaq Rama, vërtetë në praktikë është më perëndimi, është njëjtë sikur të thuash se, Presidenti Kinez, Xi Jimping dhe ai i Koresë Veriore, Kim Jong-un, janë pro perëndimor dhe, pro sistemit kapitalistë.

Tani, dua ta shtrojë një pyetje interesante për mua, por më shumë interesante për qytetarët shqiptar të Dardanisë se, gjatë këtyre afateve, 10 mujore e 10 vjeçare, kushtimisht, gjatë kësaj kohe, a është, e gatshme, Serbia, Evropa dhe Bashkësia Ndërkombëtare që, KFOR-i në bashkëpunim më organet zyrtare shtetërore, Njësinë Speciale, ta pastrojë veriun nga forcat ushtarako-policore, ruso- serbe nen diktatin e Vuçiqit, dhe shteti i Dardanisë ta shtrijë vërtetë sovranitetin e plotë në tërë territorin. Dhe, a është e gatshme Serbia, ta hequr nga Kushtetuta e saj klauzolën ku Dardania ende figuron si pjesë e pa ndashme e sajë. Ky, është edhe parakushti për ta arritur marrëveshjen finale sepse, nëse i referohemi takimit të Vuçiqit me aktivistët e tij sot në Leskovc, ai, iu tha troç atyre se Dardania është pjesë e Serbisë dhe nuk do të lejojmë të na marrin.


Nëse e kanë gatishmërinë dhe vendosmërinë ne ndërmarrjen e këtyre hapave si parakusht të arritjes së marrëveshjes me njohje reciproke ligjërisht të zbatueshme, atëherë, ekzistojnë një fije shprese se, më në fund do të zgjidhet saga e stërzgjatur shekullore ne mes të dy popujve të hasmuar, gjithnjë më fajin e agresorit Serbi, më ndihmën e Rusisë dhe të disa miqve dhe aleatëve evropian.

A është deshtë qe institucionet e Dardanisë ta bëjnë një kërkesë apo, ta kushtëzojnë Evropën për stërgjatjën e marrëveshjeve të cilat Serbia i ka pranuar dhe nënshkruar, ama, sipas asaj, ngreh e mos këput, ajo luan më kohën duke pritur ndërrime në udhëheqjet politike në Amerikë dhe Evrope, në pritje që në ato zgjedhje të ngadhënjejnë miqtë dhe aleatet e saj.

Sepse, shtrohet pyetja e thjeshtë dhe legjitime se, a duhet shteti i Dardanisë apo, thjeshtë qytetarët shqiptar pas shume shekujve, përsëri mbi kurrizin e tyre të zhvillohen lojëra të ndotura politike qe të gjitha problemet “për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, Evropë dhe më gjerë”, faturën përsëri ta paguajnë shqiptarët, duke tentuar qe zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare, të kryhen në kurrizin e shqiptarëve, duke u shndërruar gjithnjë në viktimë e interesave të superfuqive dhe politikave dhe interesave të tyre globale, duke e ledhatuar agresorin dhe shkaktarin e shumë luftërave në Ballkan.

Duke iu nënshtruar kërkesave dhe ultimatumeve siç është rasti me Serbinë fashiste e udhëhequr nga aleati, bashkëpunëtori dhe pjesëmarrësi në gjenocidin ndaj shqiptarëve bashkë me i Millosheviqin alias Vuçiqin gjatë agresionit të viteve, 1998/99 ndaj popullit shqiptar të Dardanisë.

A është e gatshme Evropa që, më në fund, ta hequr “murin kinez”, rreth lëvizjes së lirë në veri dhe ta mundësojë qarkullimin e njerëzve nga jugu ne veri dhe anasjelltas duke e larguar barrikadën e vendosur në vitin 1999 për t’i ikur konflikteve ndëretnike për çka, fajtore dhe përgjegjëse, është Serbia e Millosheviqit, ndërsa, Vuçiqi, le qe nuk u distancuar por e përkrah dhe e glorifikon atë.

A do t’i përngjajë veriu i Mitrovicës më në fund me dukjen e tij të një qytet të Dardanisë e jo atij serb duke e patur parasysh valëvitjen e flamujve serb, shtatorëve të krajlave e mbretërve serb që kanë ushtruar, dhunë, përndjekje dhe gjenocid ndaj shqiptareve, qe nga viti, 1844-1999, me tentim vazhdimi me kërcënime në baza ditore duke i rrethuar kufijtë dardan me artilerinë dhe makinerinë më të fuqishme ushtarake në Ballkan të furnizuar nga fabrikat ushtarake, ruso-kineze.

Udhëheqja dardane, e mbështetur për muri nen presione si gjithmonë ndaj më të dobëtit, e vetmja shpresë i mbeten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat, të gjendura nën presione te miqve rus, iu duhet qe problemet në formën e një zjarrfikësi në tërë globin, t’i kushtojë vëmendjen e duhur edhe shtetit të Dardanisë i cili, për fatin apo fatkeqësinë, gjendet në udhëkryqin e kulturave, interesave politike, fatkeqësisë historike në hartën botërore si vend potencial i krizave të shkaktuara nga fqinji verior, Serbia nen direktivat e ruso-kineze, me qellim të dobësimit të shtetit më të fuqishëm, ekonomiko-politiko-ushtarak në botë, SHBA-ve.
Duke e mirëkuptuar këto rrethana, ne si shteti më i ri i krijuar nga miku, shpëtimtari dhe gardiani ynë i përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jemi në koordinim dhe bashkëpunim të plotë dhe të sinqertë, duke i dëgjuar, këshilluar dhe vepruar si rrugëdalje e vetme për ekzistencë zhvillimin dhe funksionim si shtet normal, sovran e demokratik në tërë territorin e sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi me aktin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Me Amerikën, megjithatë ia dalim.


Hafiz Shala, Neë York, 21 tetor 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat