Lumezi iku, pse s’po vjen Elezi?

Opinione

Lumezi iku, pse s’po vjen Elezi?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 17 tetor 2022 Në ora: 20:37
Aleksandër Lumezi dhe Elez Blakaj

Ishte detyruar të largohet pas hetimit të listave të veteranëve, ish prokurori Elez Blakaj ende nuk është kthyer në vendin tonë.

Ndonëse një gjë të tillë e kishte potencuar disa herë edhe Albin Kurit duke theksuar se “Prokurorin Blakaj do ta kthejmë në Kosovë. Atë do ta bëjmë Kryeprokuror të shtetit dhe nuk do të guxojë askush që ta kërcënojë”.

Krejt kjo nevojë për ndryshim të sistemit të drejtësisë ka ardhur pasi në një vend ku nuk prek politika, drejtësia e bën punën e saj.

Problemi më i madh qëndron se prokuroria me ose pa dashje ka qenë nën ndikim të politikës. Për këtë jemi të gjithë në njohuri, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Kjo edhe është fatkeqësia më e madhe që ka sjellë deri në këtë degradim shtetin, në veçanti drejtësinë. S’mund të presim të bëjnë drejtësi prokurorët emëruar përmes telefonave, siç u zbulua edhe në aferën “Pronto”.

Deri tani paralajmërimi i Kurtit nuk ka ndodhur, nuk dihet për pse s’ka ndodhur, mbase z.Blakaj s’ka pranuar.

Gjithsesi sistemi ka nevojë të ndryshohet. Drejtësia vepron me standarde të ndryshme ndaj qytetarëve të zakonshëm dhe politikanëve.

Këta të fundit trajtohen ndryshe dhe me dhembshuri, ndërsa forca e ligjit zbatohet vetëm tek qytetarët e zakonshëm. Në rast të politikanëve, pavarësisht veprës penale, drejtësia i zvarrit proceset deri në pakufi. Ka pasur shumë raste skandaloze të drejtësisë, pasi në përbërje të saj janë prokurorët që i shërbejnë pushtetit.

Ata që punojnë pa hile sikur ish prokurori Elez Blakaj kërcënohen dhe si të tillë detyrohen të largohen edhe nga vendi. Kjo dëshmon se drejtësia këtu ka humbur kuptimin e saj, duke prodhuar padrejtësi, ajo ka arritur të shkaktojë dëshpërim dhe humbje të besimit se këtu mund të bëhet mirë. Nëse flet me ndonjë prokuror, përveç se mundohet me të bind se nuk janë nën ndikim të politikës, mundohen të të bindin se edhe nëse kanë prova veprojnë. Po e zëmë se është kështu, ja shembull konkret. Si është e mundur që një politikan, qoftë ai kryetar shteti, apo ndonjë pozitë tjetër në qeveri dhe insitucione të tjera me të hyra eventualisht tridhjetë mijë euro në vit të ndërtojë shtëpi milionëshe dhe vila të ndryshme në qendrat e ndryshme turistike në Kosovë.

Deri tani nuk ka mund askush të marr asnjë tender pa qenë i lidhur me politikanët, të cilët marrin përqindjen e tyre. Por, në mungesë të prokurorëve të guximshëm, të cilët nuk u nënshtrohen urdhrave politikë e kemi këtë gjendje të mjerë, ku askush më nuk beson tek drejtësia.

Derisa drejtësia është për dikë nënë e dike njerkë, ajo do të vazhdojë të prodhojë padrejtësi. Kjo e fundit është ndër shkaktarët kryesorë që Kosova po zbrazet çdo ditë e më shumë. Kosova ka nevojë për kthimin e Elez Blakajt, jo vetëm për simbolikën aq sa për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të dërguar të vërtetën aty ku duhet.

Politika të largojë duart nga drejtësia, ka shumë “Elezë” që godasin krimin, mjafton mos të shantazhohen nga politika dhe kriminelët e lidhur dhe të mbështeur nga politika.

Dua të besoj se kjo periudhë ka kaluar, dua po ashtu të besojë se s’ka më politikanë të lartë që ka guximin me thirr prokurorin në telefon për vende të punës e për të “konkuruar”.

Gjithsesi, mbetet ende pikëpyetje, së paku për mua, pse s’po kthehet Elez Blakaj në Kosovë, pse s’po bëhet kryerokuror, tani e ka rastin, më s'janë në pushtet ata që e detyruan të largohet nga presioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat