Kuvendi i Kosovës urgjentisht me rezolutë të veçantë t’i demantojë gënjeshtrat ordinere të Kuvendit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës..!?

Opinione

Kuvendi i Kosovës urgjentisht me rezolutë të veçantë t’i demantojë gënjeshtrat ordinere të Kuvendit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 14 shtator 2022 Në ora: 16:54
Autori Rexhep Elezaj

Kush e ka përcjellë seancën e djeshme të Kuvendit të Serbisë dhe diskutimet e deputetëve kushtuar Kosovës dhe “Metohisë”, gjegjësisht debatin rreth raportit për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe ekspozenë njëorëshe të presidentit serb A. Vuçiq, është bindur plotësisht, se politika hegjemoniste e Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, as pas 23 viteve nga kapitullimi i saj politik dhe ushtarak në Kumanovë (qershor 1999), nuk ka ndryshuar as për një milimetër nga pozicionet e saj antishqiptare dhe pushtuese ndaj Kosovës..!?

Mbase shtrohet pyetje e domosdoshme, si është e mundur që një shtet i tërë, një popull i tërë, një shoqëri dhe një klasë e tërë politike, me përjashtim të disa individëve, të mos e thotë për 23 vite rresht as edhe një fjalë të vetme për krimet dhe gjenocidin e shtetit të vetë, Serbisë, të kryera në Kosovë në vitin 1998/99, mbase kur të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë kanë dhënë raporte dhe statistika të detajuara, se regjimi kriminal i Serbisë në Kosovë ka vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, në mesin e tyre afër 1400 fëmijë, se ka dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare, se ka dëbuar mbi një milion shqiptarë nga Kosova, se ka djegur dhe bërë rrafsh me tokë mbi 650 fshatra, etj., dhe të gjitha këto të dhëna janë evidentuar nga dhjetëra organizatave humanitare ndërkombëtare, përjashtuar këtu siç duket vetëm Serbinë..!?

Pra, si është e mundur që në asnjë debat publik, në asnjë takim zyrtar vendorë dhe ndërkombëtar për 23 vite rresht, asnjë zyrtarë serb të mos e pranon hapur faktin, se regjimi serb ka bërë krime makabre dhe qindra masakra ndaj shqiptarëve në Kosovë, pra qele gurë gojën, duke mos dashur ta përmendin asnjë rast të vetëm nga gjitha ato krime monstruoze të cilat policia, paramilitarët dhe ushtria e tyre i ka bërë në Kosovë, thua sikur serbët nuk e dinë bile se as ku i bie Kosova, duke mbuluar me heshtjen e tyre kriminale ato qindra krime që i kanë kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë..!?

Ky injorim dhe mospranim kaq brutal i krimeve dhe gjenocidit që kriminelët serbë i kanë kryer në Kosovë, që nga shekulli 19-të e deri me 10 qershor 1999, ky abuzim kaq antihuman dhe antinjerëzor ndaj miliona shqiptarë të vrarë dhe të masakruar, kjo heshtje kriminale dhe kaq morbide ndaj qindra krimeve të bëra me dorën e vetë serbëve ndaj shqiptarëve, përveç se është krim i dyfishtë ndaj viktimave, është në fakt dëshmia më e fortë, se populli serb si individ dhe si kolektiv bartë në vetvete gjene dhe shpirt të kriminalizuar, madje i prirë të ushqehet me gjakun e popujve tjerë. Mbase, ndryshe nuk ka si të shpjegohet heshtja kaq morbide e tyre ndaj krimeve që i kanë bërë ndaj kombit shqiptar në Ballkan, por edhe ndaj popujve tjerë përreth..!?

Pastaj, se politika fashiste dhe hegjemoniste e regjimeve serbe gjithmonë është ndërtuar mbi rrena dhe gënjeshtra ordinere, sipas logjikës së tyre rrenacake, e përshkruar më së miri nga vetë “babai” i kombit serb, Dobrica Çosiqi; se, “...Ne gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është formë e patriotizmit serb dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, imagjinative, shpikëse”, etj., është pa dyshim, rrena më e re e A. Vuçiqit dhe regjimit të tij fashist, “se serbët në Kosovë, sidomos ata në veri, janë të rrezikuar nga torturat dhe terrori i shqiptarëve, se atyre po u bëhet presion që të shpërngulën nga Kosova, se ndaj tyre shqiptarët po kryejnë gjenocid, se po iu merren pronat..”, dhe kështu me radhë. Ndërsa, në anën tjetër asnjëherë nuk e pranojnë fajin, se në vitin 1998-99 ata kanë kryer krime dhe masakra monstruoze ndaj shqiptarëve në Kosovë, se kanë bërë gjenocid dhe se kanë dëbuar mbi 2 milion shqiptarë nga Kosova, që kjo dyfëtyrësi e tyre dëshmon qartë, se regjimi serb i A. Vuçiqit është identik dhe vazhdimësi e regjimeve kriminale të Serbisë, që nga koha e “Naçertanies” së V. Çubrilloviçit (1844) e deri tek regjimi kriminal i kasapit të Ballkanit, S. Millosheviçi..!?

Prandaj, duke marrë parasysh faktin se as regjimi hegjemon aktual i Serbisë në 10 vitet e fundit nuk e ka dhënë asnjë shenjë pozitive se ka ndërmend t’i pranojë krimet e kryera në Kosovë në vitet 1998/99, se Serbia nuk e ka ndërmend ta pranojë, siç e tha dje në Kuvendin e Serbisë presidenti i saj, A. V., “as drejtpërdrejtë e as tërthorazi, pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, etj., i bëjë thirrje kryetarit dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mbajnë seancë të jashtëzakonshme për të nxjerr një Rezolutë të re përmes të cilës do duhej denoncuar fuqishëm politika hegjemoniste e Serbisë ndaj Kosovës, mospranimi i krimeve dhe gjenocidit serb që kanë bërë në Kosovë, të dënohet heshtja dhe mos kërkim falja për vrasjen e mbi 13 mijë shqiptarëve, të ndërpriten rrenat, shpifjet dhe ofendimet e përditshme ndaj shqiptarëve, kthimi i gjithë të pagjeturve si dhe kërkimi i pagesës së dëmeve të luftës!

Këtë denoncim duhet bërë orë e çast më përpara, sepse çdo heshtje e institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj gjitha këtyre gënjeshtrave të thëna dje dhe sot në Kuvendin e Serbisë, mund t’i kthehen Kosovës si bumerang i madh para bashkësisë ndërkombëtare, meqë heshtja në raste të këtilla mund të merret si pajtim i shtetit të Kosovës me gënjeshtrat dhe shpifjet bizare të regjimit aktual të Serbisë fashiste..!?

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat