“Poshtë shkollat!”

Opinione

“Poshtë shkollat!”

Nga: Fadil Lepaja Më: 6 shtator 2022 Në ora: 12:49
Fadil Lepaja

Nga këndvështrimi politik e kombëtar arsimi te ne është i shenjtë dhe sindikalistët, së paku disa nga udhëheqësit, sillen si të tillë. Kujtoni vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar kur shtet quheshin vetëm institucionet arsimore dhe sindikatat, ndërsa gazeta kryesore në vend quhej “Bujku” dhe kompletohet ideja se si vjen deri te ky ngatërrim i kompetencave. Aq shtet na lejohej asokohe dhe sindikalistët e arsimit tonë luanin rolin e tij që bashkë me elitën intelektuale e fillonin ditën duke lexuar gazetën “Bujku”.

Populli ka emocione, natyrisht. Edhe njëzet vite pas lufte, slogani i asaj kohe “Me laps në Evropë” ndjell lot. “Kryeshnjëti” premton sakrificën për kauzë sindikale, thotë se veç vdekja (deka) mund ta ndaje nga greva dhe krejt këtë e paketon si një çështje nacionale. Aq  trim po tregohet Rrahmani sa mund të ngatërrohet lehtë me vet jasharajt e famshëm të luftës,  nëse nuk del dikush nga kjo familje të thotë: “nuk është i yni”.

Por titulli, i sotëm nuk ka të bëjë me shkollat tona, as grevën, as me Rrahmanin, as me Jasharajt.

“Poshtë shkollat” ishte titulli i një libri, i cili kur u botua me 1971 pat bërë bujë planetare. Në vitin 1980,  ishte botuar edhe në kroatisht/serbisht dhe kishte sjellë kritikën radikale ndaj institucionit të shkollave edhe në … shkollat tona. Fati i mire ishte se mësimdhënësit tanë i merrnin me rezerve librat që vinin nga jashtë, se pasojat mund të ishin… futuriste.  Autori me origjinë kroate dhe hebreje, asokohe pat fituar famë botërore me këtë libër, titulli i të cilit në origjinal ishte “Deschooling Society” dhe promovonte një shoqëri pa shkolla. Vështirë për ne që arsimin e shohim të shenjtë, të kuptojmë dallimin në mes të institucionit dhe të mësuarit. Vështirë për ne që ëndrruam shtetin tonë të kërkojmë de-institucionalizim. Asokohe na tmerronte kjo ide.  Grevat e rregullta, po na bëjnë të mendojmë se edhe pa shkolla “po bojka” . Çfarë të duhet Rrahmani kur e ke google, mund të pyesin futuristët?

Tash 30 vite më pas, sindikatat tona ende nuk janë liruar nga roli i tyre politik e kombëtar, edhe pse institucionet tona (arsimore) sollën abetaren e përbashkët dhe përkujdesen për një integrim kulturor.  Ata ftojnë me të njëjtën nostalgji, qytetarët dhe fëmijët të bojkotojnë institucionin e shkollës sikurse dikur. “Veç deka më ndanë nga greva”, premton “kryeshenjti” i arsimit.

Ka do vite që, nëse i pyet fëmijët nëpër shkolla se kur përfundon vera ata nuk dinë kujt ti besojnë: Kalendarit, entit meteorologjik apo Rrahmanit? Vera përfundon, për fëmijët, kur të thotë Rrahmani. Edhe krizat qeveritare planifikohen me kalendar të Rrahmanit.

Natyrisht se punëtorët e arsimit me të drejtë duan paga evropiane sepse edhe çmimet janë evropiane. Por ekonominë nuk e kemi evropiane, e as buxhetin. A nuk e dinë sindikatat gjendjen e buxhetit, apo nuk u intereson?

Me dhjetëra e qindra të rinj me fakultete të kryera, shërbejnë kafe si kamerierë, për sindikalistët që bëjnë grevë nëpër lokalet rreth shkollave dhe vëzhgojnë prindërit e nxënësit “jo luajalë”. Qindra e mijëra të rinj me fakultete të kryera, janë të papunë. Shumica prej tyre do të punonin me kënaqësi në sistem të arsimit dhe ndoshta pas një muaji do të i bashkëngjiteshin grevës për paga më të larta. Ky është rrethi i mbyllur nga i cili nuk dilet me emocione, folklor, as me rënie në altarin sindikal.

Në rregull: “Poshtë shkollat” është slogan futurist, i cili edhe mund të na nxë shpejt në përmasa planetare por problemin me grevat në çdo fillim të vitit e kemi sot. Në fund të fundit çka të duhet Rrahmani kur ke google dhe Youtube pyesin ata që janë të orientuar kah e ardhmja?

 PISA, me testet e saj po e dëshmon jo efikasitetin e sistemit arsimor në shumicën e vendeve. Bazuar në rezultatet tona, doli edhe  metafora për analfabetët funksionalë. Por, ky nuk është debat që duhet bërë me sindikalistët. Reforma e vazhdueshme në sistemin e arsimit duhet ta evitojë këtë. Roli i sindikatave është të luftojë për paga dhe kushte të punëtorëve dhe jo të vlerësoj mësimdhënësit, por edhe i shtetit të reformojë institucionet dhe të racionalizojë me buxhetin, të verifikojë edhe nivelin e atyre që na i arsimojnë fëmijët.

Në fund fare, mjaft prej mësimdhënësve mund të mos e kenë nivelin e nxënësve të tyre, dhe në arsim i mbanë vetëm kontrata e përhershme e punës. Po të mos ishte kjo, shumë prej tyre mbase do të bënin punë për të cilat janë më të vërtetë të përgatitur.

Nuk bëhet fjalë për dëme financiare….!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat