Politikanë, ktheni sytë nga Zoti, asgjë s`do merrni me vete!

Opinione

Politikanë, ktheni sytë nga Zoti, asgjë s`do merrni me vete!

Nga: Faton Mehmeti Më: 2 maj 2022 Në ora: 16:46
Faton Mehmeti

Në çdo festë fetare, politikanët tanë urojnë për paqe, lumturi, dinjitet dhe çdo gjë të mirë për qytetarët. Fraza tashmë të njohura u përsëritën edhe për Fitër Bajramin, retorika të njohura e të cilave nuk u përmbahen as vet.

Ndjej neveri kur shoh filan politikanit, për të cilën është opinion i përgjithshëm se është hajn, në mungesë të drejtësisë mbetet i lirë, ka jetë luksi dhe i njëjti del dhe uron qytetarët për jetë më të mirë, pikërisht ai që ua ka bërë jetën më të vështirë derisa janë detyruar shumë të largohen nga vendi, i njëjti del pa fije turpi uron. U

Urimet e festave marrin kuptim kur urohen nga njerëz të dinjitetshëm, ndërtim të modeleve të mira për t`u ndjekur, jo të atyre që ndjejmë neveri vetëm kur i shohim.

Kosova është e vogël, secili e njohim njëri tjetrin kush është e çka ka e çka s`ka, është e kotë të mundohet dikush të fshihet pas frazave të bukura të mësuara përmendësh, edhe pse s`kanë asgjë të përbashkët me atë çfarë ai është dhe përfaqëson. Në modelin perëndimor shumica nga politikanët tanë do të ishin në burg, nuk do kishin mundësinë të mbanin fjalime patetike e të bukura, ata që s`kanë lënë gjë të keqe pa i bërë këtij vendi. Disa janë në burg, ndonëse jo për hajni, për të cilën duhet të ishin, ata dhe shumë të tjerë. Në çdo festë, dhe jo vetëm, por çdo ditë, politikanët të mendojnë se kjo jetë është e përkohshme, asgjë s`do të marrin me vete, të mendojnë që të jetojnë me nder, kur një ditë s`do të jenë më në këtë jetë të kujtohen për të mirë, me faqe të bardhë t’i lënë edhe fëmijët e tyre. Siç kanë thënë të vjetrit “interesi të korit”, këta jo vetëm që janë “ korit” por edhe janë turpëruar për jetë të jetëve. Nuk ka pasuri më të madhe se të flesh me ndërgjegje të qetë, kur të dalësh në rrugë askush mos të të ikën, këto vlera janë për të cilat së pari duhet të jenë njerëz e pastaj politikanë.

Gjatë ditës së sotme pashë shumë politikanë që shkuan në BIK duke uruar, ato që i cekëm më lart, shumë prej tyre janë banditë, të korruptuar deri në kokë. Nëse do të kishte vetëm pak drejtësi, do të ishin në burg, jo duke irrituar qytetarët e ndershëm. Në këtë festë, dhe jo vetëm, t’i thirremi secili ndërgjegjes sonë, për të parë njëri tjetrin më me dashuri dhe mirëkuptim, vetëm kështu jetojmë më mirë për vete dhe e bëjmë Kosovën vend më të dashur dhe më të dinjitetshëm për të gjithë.

Thirrja ime për politikanët është t’i kthejnë sytë kah Zoti, asgjë s’do të marrin në këtë jetë, edhe nëse asnjë ditë këtu s`do e vuajnë dënimin për të gjithë të këqiat që kanë shkaktuar, tek Zoti s’do të shpëtojnë, shto këtu edhe fytyrën e zezë që do u lënë fëmijëve të tyre. Jeta është e përkohshme, ajo që lihet pas është e përjetshme, kurrë nuk është vonë për tu kthyer kah Zoti, për veten, familjen dhe Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat