Nesër të organizuar në sheshe!

Opinione

Nesër të organizuar në sheshe!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 1 maj 2022 Në ora: 20:16
Sherif Ramabaja

Nesër shqiptarët do t´i mbushin sheshet. Aty do të jenë profesorët universitar me studentët e tyre.

Mësuesit e të gjitha shkollave së bashku me nxënësit e tyre, po ashtu e kanë proklamuar pjesëmarrjen e tyre.

Kjo do të jetë një ditë madhështore, prandaj aty do të ketë kadetë ushtarakë, policë të qendrave të mbarë Kosovës, pastaj nuk do të mungojnë as zjarrfikësit, punëtorët, gjuetarët, sportistët, tregtarët, shoferët e autobusëve, minatorët, bukëpjekësit, infermierët, pastrueset, inxhinierët, gazetarët, spikerët, mjekët, teneqepunuesit, gurëthyesit, varrmihësit etj. sepse kjo ditë nuk përsëritet çdo ditë.

Ftesë speciale është bërë për të gjithë ata që kanë marrë pjesë nëpër iftaret e organizuar nëpër qendrat e të gjitha qyteteve të Kosovës.

Po ashtu pritje madhështore do të bëhet edhe për të gjithë frekuentuesit e përditshëm të xhamive të Kosovës, duke ua rezervuar vendet e para.

Për organizimin e nesërm po ashtu janë njoftuar të gjitha qendrat televizive, gazetat, portalet, radiostacionet, mediat, altoparlantët, frigoriferët, kozmonautët, Nasa etj. që të bëjnë transmetime, të raportojnë dhe të shkruajnë gjerë e gjatë për këtë ditë të madhe.

Ftesa për këtë ditë u janë dërguar edhe të gjitha institucioneve shtetërore duke filluar nga presidenca, kryeministria, qeveria, parlamenti, instituti historik, gjeografik, psikologjik, pedagogjik, akademia e shkencës, instituti i mirëmbajtjes së rrugëve, kopshtet e fëmijëve, shoqatat e grave, shoqata e pensionistëve etj.

Ftesë speciale kanë marr Bashkësia Islame e Kosovës, Medresa, hoxhallarët, salafistët etj. por meqë këta janë edhe organizatorët kryesorë të tubimit ftesat e tyre nuk janë bërë publike.

Në sheshin e kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë pritet të jetë organizimi kryesorë dhe më madhështori.

 Kërkesa e organizatorëve ishte që lapidari i Gjergj Kastriotit, i Rugovës dhe Nënë Terezës të mbulohen me pëlhurë, arsyetimi nuk është dhënë, por kërkesa qëndron.

Disa pyetën kur mësuan për një organizim të tillë gjithë popullor se mos po kërkoni cilësi më të madhe në arsim, mos po kërkoni reformë arsimore, mos po protestoni për paga më të mëdha, kundër papunësisë, ngritjes së çmimeve, mungesës së vajit, mungesës së rrymës, shtrenjtimit të derivateve të naftës, apo ndoshta ndaj sulmeve terroriste mbi policinë në Veri të Kosovës, ndaj kërcënimeve të Serbisë, apo ndaj luftës në Ukrainë.

Dikush u mundua t´ua shpjegoi se nuk është fjala për asnjë nga këto, por për një fenomen që kohët e fundit ka marr hov në Kosovë.

Ka edhe të tillë që janë kundër duke sharë e bërtitur se ne nuk jemi as në arabi e as në Turqi, Lindje të Afërt e as në Azi, por ne jemi kombi shqiptar i Ilirikut.

 Këtë kemi nevojë t´ia themi Evropës e botës e jo t´ua plotësojmë dëshirat kundërshtarëve të kombit tonë, të cilët me ngulm po kërkojnë që për ditë të tilla t´i mbushni sheshet.

Një nga kureshtarët tha: pse pra nuk po ua sqaroni njerëzve të vërtetën po i keni lënë të vrapojnë pas kiçit, që i sjell dëme të pakorigjuara kombit.

Si t´ua sqarojmë ne kur institucionet shtetërore të cilat janë kompetente, nuk ndërmarrin asgjë kundër bastardimit të çështjes kombëtare, u përgjigj shkurt njëri.

Mars - Rover ( Shkrim me permbajtje satirike )

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat