Ç' fshihet pas krizës në Ukrainë?

Opinione

Ç' fshihet pas krizës në Ukrainë?

Nga: Merxhan Jakupi Më: 26 janar 2022 Në ora: 15:51
Merxhan Jakupi

Në një televizion gjerman, këtyre ditëve, ishte vërë në spikamë shkallëzimi politik-ushtarak mes Kremlinit të Putinit dhe Ukrainës. Në emisionin "Press club" merrnin pjesë studiues të Evropës Lindore, si dhe publicistë të njohur. Një ndër ta ishte edhe një gazetar i "Nju-Jork Tajmsit". Titulli i Panelit ishte: "Shkallëzim apo konflikt" mes Putinit dhe Ukrainës. Sipas tyre, kriza mes Kremlinit dhe Ukrainës i përngjet krizës kubane të raketave të vitit 1962. Shkallëzimi i fundit mes Rusisë dhe Ukrainës është një prej krizave më të frikshme pas mbarimit të Luftës së Ftohtë në tri dekadat e fundit, kanë sugjeruar këta analistë e studiues. Pyetja e drejtpërdrejtë e moderatorit në këtë panel ishte nëse do të ketë një luftë mes këtyre dy palëve. Sipas një analisti, ende nuk shihet qartë se çka fshihet prapa skene. Ekziston si opsion skenari i fundit, që konsiston me një sulm apo luftë mes Moskës dhe Kievit. Një analist tjetër shtroi çështjen e një kurthi të përgatitur, që nënkupton një operacion të rremë me flamurin ukrainas, që do t'i sulmonin separatistët dhe rebelët pro-rusë të Ukrainës Lindore, të cilët mbajnë nën kontroll provincat Donbas Donjick dhe Lugansh, që kanë shpallur Republikën autonome ruse. Disa analistë të tjerë sugjerojnë se nuk do të ketë luftë, se e gjithë kjo është një blof për demonstrimin e forcës, në mënyrë që Putini të detyrojë SHBA-në NATO-n dhe BE-në që të heqin dorë nga pretendimet e tyre për zgjerim në Ukrainë, Gjeorgji dhe Bjellorusi, sepse Moska s'mund të lejojë diçka të tillë. Putin thotë se SHBA dhe Perëndimi i injorojnë dhe, ngjashëm me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, duan ta shpërbëjnë edhe Federatën e Rusisë.

NOSTALGJIA PËR BASHKIMIN SOVJETIK

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe rrëzimit të murit të Berlinit, më 31 dhjetor të vitit 1989, Boris Jellcin dha dorëheqje dhe emëroi Putinin si president të përkohshëm. Asokohe, Putini, në një intervistë në "Uashington Post", kishte thënë pas vizitës në SHBA, se ishte i mahnitur nga shumëllojshmëria e artikujve ushqimorë në shtëpitë e mallrave, ndërsa në Bashkimin Sovjetik për të blerë një sapun pritet në radhë para dyqaneve.

Vendi, me sipërfaqe të një të tretës së globit, jeton në varfëri të skajshme. Putin ishte i pari që i tha gazetarit se në fillim të shekullit 20 ishin në përplasje tri ideologji: liberalizmi, fashizmi dhe komunizmi dhe, në fund, kishte fituar liberalizmi. Putin, sipas gazetarit, ka potencuar se Federata Ruse do të vazhdojë evropeizimin, rrugën e Petrit të Madh, bashkimin e kontinentit, prej Atlantikut deri në Ural. Putin, pasi erdhi në pushtet, nga një liberal transatlantik, u shndërrua në një autokrat, populsit, ortodoks dhe anti-perëndimor. Për Putinin, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte një traumë dhe ende po vuan nga glorifikimi i romantizmit dhe ka nostalgjinë e ish-bashkimit Sovjetik. Qëndrimi, vizioni dhe doktrina e tij është se nuk mund të rikthehet ish-Bashkimi Sovjetik, por ai tenton një aleancë të Rusisë me shtetet pan-sllaviste si Ukraina, Bjellorusia dhe provincat e rebeluar të pakicës ruse në Gjeorgji dhe Moldavi.

Rusia e Putinit është një regjim totalitar, kleptokratik, autokrat dhe populist, me oligarki dhe super-elitë, ndërsa pjesa dërmuese prej 90 për qind e popullatës jetojnë në varfëri, si në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik. Kremlini pengon evropeizimin dhe demokratizimin e shteteve të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe bllokon anëtarësimin në NATO dhe BE. Moska mbështet despotët dhe diktatorët. Pos Bashar Asadit dhe presidentit venezuelas, Nikolas Madura, Putini përkrah dhe ndihmon diktatorin bjellorus, Aleksandar Lukashenko dhe liderët e Azisë qendrore, Kazakistanin dhe Turkmenistanin. Në saje të ndihmës së Putinit, Lukashenko është duke mbetur edhe më tej në pushtet. Ai s'do të lejojë opozitën pro-perëndimore dhe kundërshtarët e tij në Bjellorusi të marrin pushtetin. Lukashenko edhe më tej do të mbetet vasal i Putinit, nëse nuk dëshiron të largohet nga pushteti.

DIVERGJENCAT KULTURORE MES SLLAVËVE

Moska është duke akuzuar Perëndimin për propagandën, intrigat dhe përçarjen që shkakton ndaj popujve pan-sllaviste ortodokse, duke e ndarë dhe përçarë popujt sllavë, që është i një etnogjenie, gjaku e mishi, me të njëjtën gjuhë, kulturë dhe emancipim. Sllavët në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi kanë divergjenca kulturore, si sllavët e jugut. Ukrainasit dhe bjellorusët kanë qenë më afër me popujt e Evropës Lindore, siç janë shtetet Baltike, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria. Janë ortodoksë dhe kanë kulturë pro-evropiane, ndërsa rusët janë popull lindor, pan-sllavist, ortodoks. Regjimi autokrat dhe autoritar në Rusi, edhe pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, ka vazhduar me propagandë dhe urrejtje ndaj qytetërimit demokratik dhe traditave evropiane. Rusët, edhe pas tre dekadave, nuk e njohin botën demokratike perëndimore. Ata rrallë dalin jashtë shtetit, pos atyre të klasës elitare, për shkak të mos dhënies së vizave.

Në disa raste, në rivierën bregdetare turke, egjiptiane dhe tuniziane mund të hasen turistë nga Rusia, të cilët, duket qartë se janë viktima të propagandës, sepse ushqejnë neveri ndaj botës perëndimore dhe gjoja se Rusia vazhdimisht është e kanosur nga pushtimi i SHBA-së dhe BE-së.

"BOSHTI PAQËSOR" SLLAV NË BALLKAN

Pas periudhës sovjetike në Rusi, ideologjia komuniste, marksiste-leniniste, është zëvendësuar me ringjallje fetare. Rusët janë të lidhur në tre hallka: ata si identitet e kanë nacionalizmin, ortodoksizmin e pan-sllavizmin. Ngjashëm sikur serbët, të cilët në Gadishullin Ballkanik konsiderohen si "rusë të vegjël" dhe që kanë tipare të njëjta si rusët; nacionalizmin, ortodoksizmin dhe pan-sllavizmin, ndërsa tek grekët si identitet spikaten nacionalizmi, ortodoksizmi dhe helenizmi.

Në periudhën e bombardimeve të NATO-s në Serbi, në njërën nga gazetat serbe, një akademik shkruante për mllefin e tij dhe sugjeronte që pas asaj të keqeje do të vijë bashkimi i serbëve. Kjo do të bëhej, pas forcimit të Rusisë dhe të Kinës, që janë aleatë të Serbisë. Prandaj, ngritja ekonomike që propagandohet nga Rusia dhe Kina, ua ka ngjallur shpresat serbëve se ka ardhur koha që ata si në Serbi, Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë, t'i shtojnë aspiratat e tyre për bashkim.

Në këtë punë u ndihmon edhe propaganda mediatike, e cila, nëpërmjet pseudo-analistëve, thonë se SHBA është duke e humbur epërsinë si super-fuqi, ndërsa BE-ja qenkësh në prag të shpërbërjes dhe se Rusia së shpejti do të hyjë në Ballkan. Se armatimi rus po tejkalon arsenalin ushtarak të SHBA-së, ndaj dhe pritet që në të ardhmen, pas ekspansionit të Evropës Lindore, rikthimit të Rusisë në një fuqi gjeostrategjike ushtarake, Putin do t'i bashkojë serbët, nën pretekstin e një "boshti paqësor" sllavo-ortodoks në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat