Sikur të bëhej Referendumi, Kosova qe dy dekada do të kishte qenë në OKB

Opinione

Sikur të bëhej Referendumi, Kosova qe dy dekada do të kishte qenë në OKB

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 3 janar 2022 Në ora: 16:45
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Gjatë mandatit të protektoratit  paqësor të UNMIK-ut (10 qershor 1999 – 17 shkurt 2008), lidershipi politik i Kosovës, para së gjithash dhe, mbi të gjitha, do të duhej, që prioritet parësor të kishte pasur Organizimin e Referendumit, ku populli shqiptar  në bazë të së drejtës historike mbi Kosovën, të luftërave 100—vejçare antikolonialiste kundër Serbisë gjenocidale kolonialiste dhe militariste, që në thelb pasqyrojnë  kërkesën njëshekullore për liri, pavarësi dhe vetëvendosje, sepse kjo ishte rruga e drejtë dhe përfundimtare e shkolonizimit të Kosovës nga Serbia pushtuese kolonialiste (1912-1999).

Edhe pse Marrëveshja e Paqësore e Rambujesë ( 6 shkurt – 22 mars 1999) nuk parashikon organizimin e Referendumit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, këtë do të duhej ta kërkonin vetë udheheqësit politikë të Kosovës nga UNMIK-u (10 qershor – 17 shkurt 2008), jo ta linin Kosovën në “mëshirën” e përzierjes së Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, duke  kërkuar  pezullimin e Qeverisë së Përkohshme të dalë nga kryengritja fitimtare e UÇK-së;  shndërrimin e UÇK-së në “organizatë pastruese”, duke mos ia njohur meritat dhe kontributin e luftës si palë e ligjshme ndërluftuese për pavarësimin e Kosovës nga Serbia pushtuese gjenocidale (1989-1999).  Pra, mosnjohja de fakto dhe de jure e Qeverisë së Përkohshme dhe UÇK-së nga administrata e UNMIK-ut në kohëzgjatje prej 9 vitesh (1999 – 2008) ishte fatalitet për Kosovën, sepse  sot e asaj dite, Kosova ngeli jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në “mëshirën” e Dialogut të Brukselit (2011-2022), ku Serbia kolonialiste dhe gjenocidale e ka fjalën kryesore, duke  diktuar kushte dhe kërkesa politike me përmbajtje kolonialiste dhe neokolonialiste për zhvlerësimin e statusit të pavarësisë së Kosovës.

Serbia qe më se 20 vjet do ta kishte harruar Kosovën-ish-koloninë e saj, sikur elita politike dhe akademike e Kosovës, të kishin pasur një qëndrim unik dhe vizionar për organizimin e Refrendumit brenda kohës së UNMIK-ut (10 qershor 1999 – 17 shkurt 2008).  Pra, sikur të mbahej një Referendum i tillë gjithëpopullor, sot Kosova do të kishte qenë anëtare e OKB-së sikurse Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Kiro Gligorovit  etj.

PO-ja  Dialogut të Brukselit versus së drejtës së vetëvendosjes

Pavarësisht nga “rreshtimet” e tyre idologjike dhe partiake, asnjë akademi dhe, asnjë akademik shqiptar, nuk kanë  asnjë të drejtë dhe, asnjë argument dhe, asnjë arsye që ta mbështetin Dialogun e Brukselit , sepse ky është “produkt final” politiko-propagandistik dhe diplomatik i Serbisë së Aleksandër Vuçiqit etj., me qëllim që në mënyrë paqësore, madje me ndihmën e disa faktorëve proserbë ndërkombëtarë, ta rikthejë Kosovën nën “ambrellën” e sundiit të dikurshëm kolonialist dhe gjenocidal të Serbisë (1912-1999).

Pra, si  të mbështet Dialogu u Brukselit, kur ai  është inicuar në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashksuara (10 qershor 1999), që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës! Kjo është edhe arsyeja, pse këtë Dialog fatkeq e ka propozuar Beogradi zyrtar dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së së Ban Ki Munit e pati miratuar, sepse drejtpërdrejt ishte në interesin e sundimit kolonial të Serbisë (1912-1999).

Ata demagogë dhe oportunistë politikë dhe jopolitikë të institucioneve të ndryshme akademike e shkencore shqipfolëse, që përmes  deklaratave dhe intervistave të tyre po e mashtrojnë dhe po e dezinformojnë opinion publik shqiptar se gjoja duhet vazhduar dhe mbështetur  “Dialogun e Brukselit” (2011-2022),  “gjithë ditën” e “gjithë natën” janë të gabuardhe fshehin të vërtetën, me qëllim që t’i mbështesin liderët politikë, të cilët e kanë përqafuar dhe aminuar këtë dialog fatkeq, i cili për 10 vjet nuk solli kurrfarë dobie dhe të mire për njohjen dhe afirmimin e Kosovës në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ku ishte elita akademike ( 1990-2008) ?

Pse, asnjëherë nuk provoi që të hartonte ndonjë Platformë politike për ta korrigjuar politikën  pasive paqësore të Ibrahim Rugovës , e cila për një dekadë nuk dha asnjë rezultat konkret për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës, mbase nuk e njohu asnjë shtet i OKB-së (1989-1999), me përjashtim të Shqipërisë, e cila nuk e ndihmoi Kosovën me ushtrinë e saj, sepse ruante ekuilibrin e marrëdhënieve diplomatike ndërshtetërore me Serbinë e Slobodan Milosheviqit, edhe pse mbi 2 milionë shqiptarë ndodheshin në flakën dhe në zjarrin e gjeonicidit të Serbisë pushtuese.

Gjithashtu, pse elitës akademike të Kosovës, asnjëherë nuk iu kujtua që brenda tetë vitesh(2000-2008), t’i propozonte lidershipit politik të Kosovës, që nga administrata e UNMIK-ut, të kërkonte organizimin e një REFERENDUMI  për shpalljen e pavarësisë së Kosovës ?

Prandaj, si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, lidershipi politik shqiptar i Kosovës nuk ka pasur mbështetjen e elitës akademike të Kosovës. Ndaj, të të gjitha gabimet politike dhe diplomatike, nuk mund t’i faturohen vetëm lidershipit politik qoftë gjatë kohës së luftës, qoftë në kohë paqeje, por edhe elites akademike, e cila nuk ka bërë asgjë, që politika e gabuar pasive paqësore e Rugovës, të pësonte ndonjë ndryshim pozitiv aktiv për ta kundërshtuar politikën e forcës së Serbisë gjenocidale të Slobodan Miosheviqit (1989-1999). Me një fjalë, “fatura” e përgjegjësisë objektive është e përbashkët, jo vetëm e lidershipit politik shqiptar të Kosovës (1989-2022). 

 Nuk deshën Referendum, por Dialog me Serbinë kolonialiste !?

Në vend se të ngrenin zërin për REFERENDUM-VETËVENDOSJE dhe pavarësi të plotë të Kosovës, gjatë mandatit të UNMIK-ut, tash mbështetin Dialogun e Brukselit ?!

-Çudi, naivitet dhe diletantizëm politik sui generis ky për kuptimin dialektik të doktrinës dhe të praktikës anikolonialiste, edhe pas pavarësimit unilateral të Kosovës,  liderët politikë bëjnë të njëjtat gabime, duke vrapuar pas Dialogut të Brukselit (2011-2022), në vend se të shapllin REFERENDUMIN nën mbikëqyrjen e OKB-së, sepse kjo është zgjidhja e vetme e ligjshme për të zhbllokuar VETO-n e Rusisë në KS të OKB-së, si dhe për anulimin e Dialogut të Brukselit përmes të cilit Serbia po kërkon copëtimin dhe aneksimin e territorit indigjen  të Republikës së Kosovës.

Derisa lidershipi i Kosovës të merret me Dialogun e Brukselit, Kosova do të jetë jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara si shtet i papërfunduar në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, ngase nuk njihet nga OKB-ja.

Sa më sipër, ashtu siç kemi theksuar me qindra herë (2011-2022), Dialogu i Brukselit nuk do të sjellë kurrfarë njohjeje nga ana e Serbisë, as nga Moska e as nga Pekini, por vetëm ndonjë kompromis të keq politik dhe fatal për territorin dhe për shtetin e pavarur të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat