Pse po hesht PDK për “Ballkanin e hapur”?!

Opinione

Pse po hesht PDK për “Ballkanin e hapur”?!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 30 dhjetor 2021 Në ora: 10:55
PDK

Filloi si nismë e Shengenit, fshehur pas ides serbe për sundim në Ballkan. Për këtë arsye Kosova nuk e ka ndërmend t‘i bashkohet, madje e kundërshton në çdo formë "Mini-Shengenin Ballkanik”, nismë kjo që iu ndërrua emri në "Ballkani i Hapur”, nga tre udhëheqës në Ballkan, Aleksandçr Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Përveç Qeverisë së Kosovës, kundër nismës së liderëve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Serbisë, të premten janë deklaruar edhe partitë në opozitë, përjashtuar PDK-në.

Por, për të dhënë një qëndrim lidhur me këtë çështje, kanë nevojë për kohë nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se fillimisht do të ketë një konsultim në strukturat e partisë.

“Për këtë gjë do të diskutojmë edhe në organet e partisë dhe do të dalim edhe në konferencë për media”, ka qenë përgjigjja e Lushtakut, kur është pyetur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, në një konferencë për media, të mbajtur të premten. Duket se brenda PDK ka njerëz që mbështesin këtë projekt serbo-rus, jam i bindur se pjesë e saj do ishte akoma edhe Hashim Thaçi, nëse do ishte në liri.

Për këtë ka reaguar edhe ish këshilltari i Thaçi, njëherësh edhe ish-ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku i cili bëhet zëri i parë brenda PDK që shprehet pro që Kosova të jetë pjesë e saj. “Kosova mund të bëhet anëtare e pjesshme dhe këtu të heqë barrierat kufitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi në mënyrë që ndërkombëtarët të mos akuzojnë se me heqjen e barrierave Kosovë-Shqipëri po krijohet ‘Shqipëria e Madhe’”, u shpreh Çollaku. Këtë konstatim pa sens, s’mund ta kuptojë njeri me logjikë të shëndoshë. Kosova s’ka nevojë të bëhet pjesë e projekteve ruse-serbe, ajo duhet të mbetet vetëm pjesë e procesit të Berlinit. Këtë deklaratë të Bekim Çollakut nuk e ka kundërshtuar askush nga PDK, duke e mbështetur në heshtje. Se "Ballkani i Hapur" është kundër Kosovës e kanë thënë të gjithë ata që i duan të mirën asaj.

Njëri ndër më të zëshmit kundër saj është z. Sali Berisha i cili disa herë ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është gjë tjetër veçse një projekt që sipas tij synon asgjësimin e pavarësisë së Kosovës. Për këtë ka folur edhe Albin Kurti duke theksuar se kjo nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze. PDK duhet të tregoj hapur dhe qartë e mbështet apo jo projektin serbo- rus të njohur si " Open Ballkan". Ajo duhet të jetë e qartë, jo të hesht dhe fshihet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat