Mos u befaso

Opinione

Mos u befaso

Nga: Eshref Ymeri Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 09:08
Autori

Në numrin e djeshëm të faqes së internetit, lexova shënimin tënd me titull “Skandaloze: Qytetari nga Tirana - Të hapen kufijtë, të dëgjojmë muzikë serbe se na ka marrë malli”.

Ti, me shumë të drejtë, je befasuar nga ajo deklaratë e atij deleqytetari. Por çdo lexues me vetëdije të lartë kombëtare, shtron pyetjen:

“Po si është e mundur që një gazetar i kanalit televiziv “abcnews”, që paska dalë rrugëve të Tiranës për të marrë intervista, fare “rastësisht” paska takuar pikërisht atë deleqytetarin e zhuritur nga malli dhe dashuria për Serbinë?”.

Ajo intervistë, e nderuara “Bota Sot”, nuk është absolutisht e rastësishme. Ajo është pjesë e skenarit të përgatitur nga kryetradhtari Rama, i cili kërkon që, përmes atij deleqytetari, t’u mbushë mendjen njerëzve se nisma për Ballkanin e Hapur gëzon mbështetje në popull. Sigurisht, gëzon mbështetje në radhët e delepopullit socialist, trashëgimtar i traditës tradhtare të partisë komuniste dhe të partisë së punës, i cili ka shtruar kurrizin para kryetradhtarit Rama, duke u zhveshur krejtësisht nga dinjiteti personal, se për dinjitet kombëtar as që mund të bëhet fjalë kurrësesi.

Deklarata e atij deleqytetari, prapa të cilit fshihet kryeargati i serbosllavizmit Rama, është një poshtërim i rëndë që i bëhet Dardanisë, viktimave të shumta, është poshtërim i rëndë i lumenjve të gjakut që mbuloi tokën dardane, është poshtërim i rëndë i mijëra e mijëra vajzave dhe grave dardane që ranë pre e përdhunimeve të egërsirave serbe, të papërsëritshme në historinë e njëzimit, me përjashtim të përdhunimeve të dy milionë vajzave dhe grave gjermane nga ana e ushtarëve të shtazëruar sovjetikë kur hynë në Berlin në vitin 1945.

Titulli i shënimit tënd fillon me një fjalë të stilit thirrmor, çka lë të nënkuptohet se brenda teje vlon mllefi, revolta dhe zhgënjimi i thellë me atdheun amë, i cili nuk është hera e parë që e ka tradhtuar dhe vazhdon ta tradhtojë Dardaninë.

Prandaj, e nderuara “Bota Sot”, mos u befaso nga deklarata e atij deleqytetarit socialist, se, siç e përmenda më lart, prapa tij është radhitur Rama, me enciklopedinë e dashurisë përvëluese në zemër për serbosllavizmin dhe me urrejtjen e heshtur, por të shfrenuar për Dardaninë.

Kryetradhtari Rama ka kohë që po ndjek me besnikëri rrugën e krytradhtarit Enver Hoxha për shndërrimin e Shqipërisë në koloni të serbosllavizmit. Por ky kryeargat i serbosllavizmit harron se në Shqipëri ekziston edhe një popull tjetër, opozitar, të cilin ai nuk e konsideron popull. Unë shpresoj dhe dua të shpresoj shumë se ai popull opozitar do të ngrihet një ditë më këmbë, do të gjejë forca për t’u vetorganizuar, me pikësynimin për ta shporrur përfundimisht kryetradhtarin Rama nga skena e historisë së turpshme, me të cilën e ka mbuluar Shqipërinë gjatë më shumë se tetë vjetëve, duke ia nxirë faqen në sytë e opinionit ndërkombëtar, dhe atë marrëveshjen për Ballkanin e Hapur do ta flakë me neveri në koshin e mbeturinave që meriton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat