Sot mos u bëni trumbetarë për të drejtat e njeriut, ju që i shkelni çdo ditë

Opinione

Sot mos u bëni trumbetarë për të drejtat e njeriut, ju që i shkelni çdo ditë

Nga: Vjollca Aliu Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 16:26
Autorja

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të gjithë bëhen "engjëj", sikur të gjithë po i respektuakan të drejtat e njëri-tjetrit. Por, sot e çdo ditë dikush shkel mbi të drejtën për jetë të dikujt tjetër, mbi dinjitetin, të drejtën për banim, për sigurim shëndetësor, për siguri, për lëvizje të lirë e të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila është e përfshirë në aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, me epërsi zbatimi në raport me aktet juridike në fuqi të vendit tonë. Prandaj, sot, ju që keni në duart tuaja fatin e gjithë popullit të Republikës së Kosovës dhe ju që i keni bërë të jetojnë në mëdyshje për të jetuar ose jo në këtë vend pa mëngjese shprese, duke ua shkelur pothuajse çdo të drejtë qytetare, politike, ekonomike, kulturore e sociale, ju përgjegjës, së paku sot heshtni, mos flisni për të drejta të njeriut. Sot, mos i përmendni të drejtat e njeriut, mos trumbetoni për to:

- Ju, që morët votat, përfshirë secilin deputet në periudha të ndryshme legjislative dhe secilin që ishte dhe secilin që është pjesë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, varësisht nivelit të përgjegjësisë publike;

- Ju, që abuzuat me të drejtat e njeriut, të drejta të normuara me ligje dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës;

- Ju, që keqmenaxhuat buxhetin e shtetit, shfrytëzuat paranë e taksapaguesve për interesa e nevoja personale, familjare, klanore, partiake;

- Ju, që arsimin e futët në labirintin e politikës ditore e diktateve ideologjike partiake, duke e rrënuar gati se tërë sistemin arsimor në të gjitha nivelet;

- Ju, që sistemit shëndetësor i keni dhënë epitetin "VDEKJE";

- Ju, që përgjegjësinë nuk e ndjeni dhe nuk e vuani kur krijoni apo futeni në afera të ndryshme (korruptive, kriminale);

- Ju, që për interesa ndërpersonale e ndërpartiake nuk votoni politikat sociale, ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore, duke penguar e pamundësuar një mirëqenie dhe perspektivë për qytetarët, jeta e të cilëve kushtimisht varet nga vullneti juaj;

- Ju, që më shumë kujdeseni se si të punësoni të afërmit tuaj, milantët e të dëgjueshmit e partive, sesa që përkujdeseni për numrin e madh të të sëmurëve që nuk gjejnë shërim në spitalet e Kosovës dhe trajtimin duhet ta bëjnë jashtë vendit, (më shumë ose kryesisht me ndihmën e bëmirësve, donatorëve që grumbullojnë para për raste të panumërta trajtimesh mjekësore), por jo me mjetet nga buxheti shtetëror dedikuar për raste të tilla;

- Ju, që shitët, falët pasurinë e Kosovës (asete të ndryshme, fabrika e distribucione) sikur të ishin pako festash, dhurata me vlera simbolike;

- Ju, që nuk brengoseni se qytetarët janë izoluar nga vendet e BE-së, sepse ju e keni zgjidhur këtë çështje për vete dhe për familjarët tuaj me pasaporta diplomatike e privilegje, përderisa qytetarët bartin mbi supe brengën dhe dëshirën për liberalizimin e vizave, tash e sa vjet;

- Ju, që shfrytëzoni paranë publike për shkollimin e fëmijëve tuaj në universitete ndërkombëtare, ndërsa studentët me kapacitete gjeniale në mungesë të mjeteve financiare detyrohen madje edhe të ndërrojnë fushën e studimeve, sepse në disa fakultete vendet janë të rezervuara për fëmijët e “ajkës” elitare-pushtetare dhe të preferuarit e tyre;

-Ju, që synoni kandidimin edhe në zgjedhjet e ardhshme, ende pa ardhur koha, duke u orientuar vetëm në premtime për rrugë e kanalizim (sepse aty është bereqeti i tenderave), por duke harruar politikat sociale konkrete, të cilat pothuajse pak ose fare nuk janë pjesë e programeve tuaja, por të cilat prekin numër të madh të qytetarëve në nevojë, të varur pikërisht nga skemat e ndryshme sociale;

- Ju, që keni siguruar për vete nga 3 e 4 vende pune, më shumë kujdeseni për rritjen e pagave tuaja, sepse vota juaj e mundëson këtë, duke i shndërruar ligjet në fontanë dëshirash, radhitur sipas toplistës së dëshirave tuaja personale dhe grupore, por nuk brengoseni për numrin e madh të të papunësuarve;

- Ju, që pozitat vendimmarrëse i keni rezervuar gati tërësisht për gjininë mashkullore, megjithëse normat juridike përcaktojnë mosdiskriminimin dhe barazinë gjinore;

- Ju, që edhe pas 20 viteve liri nga pushtuesi, femrën nuk e shihni të denjë për të punuar në sektorin e sigurisë, duke harruar të gjitha ato femra, ato shqipe mali që ishin pjesë e UÇK-së, shumë prej të cilave ranë dëshmore dhe u bënë fanar i kësaj lirie që e gëzojmë sot;

- Ju, që rritët numrin e vendeve të vizituara, duke përfituar honorare të majme në emër të lobimit për rritjen e numrit të njohjeve nga shtetet që ende nuk e kanë njohur si shtet Republikën e Kosovës, por që de facto e de jure ky numër jo vetëm që nuk u rrit, por u vu në dyshim edhe njohja nga disa shtete që më parë e kishin pranuar Kosovën si subjekt ndërkombëtar;

- Ju, që dremiteni e fleni në karriget e Parlamentit të Republikës së Kosovës e paguheni nga qytetarët për atë gjumë, përkundër asaj se aty jeni për të bërë zgjedhjet më të mira për zgjidhjen e çështjeve publike;

- Ju, që foltoren e Parlamentit të Republikës së Kosovës shpesh e shfrytëzoni për t’i shfryrë inatet personale, duke treguar papjekuri njerëzore, mungesë kulture si individ dhe mungesë të kulturës politike;

- Ju, që fëmijëve tuaj u keni siguruar bursa studimi (pavarësisht suksesit), por nuk brengoseni për fëmijët të cilët detyrohen që krahas shkollimit të punojnë për të ndihmuar prindërit e tyre për mbijetesë, fëmijët që punojnë punë të rrezikshme e të rënda në raport me moshën dhe aftësitë e tyre fizike;

- Ju, që nuk brengoseni fare pse ikin të rinjtë për studime jashtë vendit dhe nuk e kthejnë më kokën pas, sepse zhgënjimi i përgjithshëm nga ky vend nuk u la dëshirën që të kthehen e të punojnë për vendin e vet pas arritjeve të tyre në fusha të ndryshme studimi;

- Ju, që i tmerroheni termit "MERITOKRACI", ndoshta më shumë se vdekjes, sepse pozitat që i keni pa meritë, në sistemin meritokratik nuk do të kishit vend, do të “siteshit” e do të dilnit si egjëra nga gruri;

Prandaj, ju, populli im i dashur, mos u mashtroni, sot mos i mirrni të mirëqena trumbetimet për të drejtat e njeriut që i bëjnë shkelësit e çdoditshëm të të drejtave tona! Gjatë këtyre 2 dekadave në liri e në sistem demokratik, ende po na ngulfatet jeta nga mosrespektimi i të drejtave tona, ende po na i "vrasin" ato të drejta.

Dhe, sot, e mbushur mllef, kur edhe "kurrizi" im ndien dhimbjet e shumta nga shkeljet e të drejtave të mia si qytetare e këtij vendi, në brendësinë time po i ndiej edhe dhimbjet e të gjithë atyre që jetojnë të shkelur, mu në ato të drejta që u takojnë. Sot bëhem zëri juaj, populli im, sepse mirëqenia soditet vetëm në jetën luksoze të pushtetarëve tanë. Dhe, sot, çdo shkelësi të të drejtave të njeriut kam të drejtë t'u them: heshtni e mos u shtirni duke folur për të drejtat e njeriut, mos trumbetoni se të drejtat e çdonjërit po u dashkan të respektohen, kur ju ato i shkelni çdo ditë! Të drejtat tona nuk janë nën këmbët tuaja!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat