Huliganët ia dogjën flamurin, po kurrë nuk e mposhtën Ibrahim Rugovën

Opinione

Huliganët ia dogjën flamurin, po kurrë nuk e mposhtën Ibrahim Rugovën

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 2 dhjetor 2021 Në ora: 21:11
Ibrahim Rugova

Po të ishte gjallë, Ibrahim Rugova do të festonte 77 vjetorin e lindjes.

Figura e tij përkujtohet me nder dhe respekt. Edhe pse është shkruar shumë për Dr. Rugovën, megjithatë figura e tij do të jetë gjithnjë burim frymëzimi për të vazhduar të shkruhet akoma për të, të studiohet jeta dhe vepra e tij. Pavarësisht se është shkruar shumë dhe do të shkruhet akoma, të gjithë bien dakord në një gjë: figura e Rugovës është kolosale.

Si asnjëherë më parë, gjithnjë shtohen ata që flasin për Rugovën, rugovizmin, duke u munduar të përfitojnë në emrin e tij. Kjo gjë nuk është vetëm te shqiptarët, kjo haset kudo. Megjithatë, në 15 vjetorin e ikjes në amshim të Rugovës, të mundohemi të nxjerrim në pah rugovizmin, çka është rugovizmi, çfarë nënkuptojmë me rugovizëm dhe a ka sot në partitë politike frymë të vërtetë rugoviste?!

Me kalimin e viteve, po dalin në pah edhe shumë gjëra, të cilat ishin të mbuluara nga mistere, nga mjegullnaja të krijuar nga shumë persona.

Pikërisht këta persona janë ata që në emër të luftës luftonin Ibrahim Rugovën për t’i marrë pushtetin. Ky skenar u dështoi shumë herë, populli me instinktin e tij e mbrojti të vërteten, njeriun që me sinqeritetin e tij, punën dhe vizionin e tij, bëri Kosovën të jetë në krah të diplomacisë botërore.

Ishte Ibrahim Rugova, ai që në vitin 1992 bëri marrëveshje jo formale me Ramiz Alinë, për krijimin e mundësive të stërvitjeve të grupeve të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri. Nga aty edhe filluan të shkonin grupet e para, në mesin e tyre edhe Adem Jashari, dhe shumë luftëtarë të tjerë. Me pak fjalë, ishte presidenti Rugova ai që bëri të mundur që të stërvitën ata që i dolën përpara Serbisë, ata që nuk kishin as akronim të një ushtria apo gjërave të tilla, por që kishin ideal luftën dhe lirinë.

Pak rëndësi ka kur zyrtarisht doli emri UÇK, me rëndësi është se themelet i vuri Ibrahim Rugova në aspektin politik dhe Adem Jashari në atë ushtarak. Të tjerët vonë janë inkuadruar në këto gjëra, disa vetëm t’u thirrur në emër të luftës, duke u munduar të baltosin ata që vërtetë kanë dhënë kontribut të madh.

Pa ndihmën e Rugovës, dhe natyrisht aprovimin e Ramizë Alisë, shumë luftëtarë s’do ishin stërvitur, dhe me gjasë edhe s’do e vazhdonin aktivitetin e tyre, ushtarak, duke mos qenë të gatshëm. Ki parasysh se Serbia kishte një ushtri të fortë, dhe pa përgatitje të mëdha vështirë të kryenin qoftë edhe një aksion të vetëm. Prandaj, disa gjëra nuk duhet harruar, edhe ata që janë munduar nuk ia kanë arritur dot, pasi e vërtëta gjithmonë triumfon. Disa huliganë e shpallën tardhëtar, i dogjën flamurin, ai heshti, e dinte se e vërteta triumfon. Rugova nuk ishte politikan i zakonshëm, ishte misionar dhe si i tillë mbeti.

Rugova është tipik shqiptar, shqiptar i vërtetë, shqiptar ilir, dardan, shqiptar modern dhe model për t’u ndjekur. Në formimin e tij intelektual rol të madh ka luajtur eposi, etnia shqiptare, mandej rritja e tij jetim e ka bërë edhe më shumë të zhytet në petkun iliro-dardan.

Rugova, bazament të tij ka civilizimin e hershëm, i cili mbështetet në të kaluarën, pa hequr dorë nga e ardhmja. Jo rastësisht Rugova u bë shkrimtar, njeri i letrave, idol i veprës së Bogdanit dhe Xhojsin, të cilët mbeten lajtmotivi i tij jetësor. Te “Parimet estetike”, Rugova artikulon nevojën e rikthimit të shqiptarëve në gjenezë të tyre, popull paqedashës, burra të urtë, të fjalës dhe pushkës. Ruajtja e vlerave, të traditave, është njëra ndër virtytet e rugovizmit, të cilën e manifestoi me “Darkën e lamës”. Mos konfliktiviteti për mendimin ndryshe, nevoja për pluralizëm, nevoja për të çmuar mendimin e gjithsecilit, janë vetëm disa dromca në mozaikun e madh të rugovizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat