Tregti e faqes t’zezë

Opinione

Tregti e faqes t’zezë

Nga: Hamdi Rafuna Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 16:36
Foto ilustrim

Me thënë të drejtën neve shqiptarëve s’po na shitet ndonjë vlerë kombëtare në këtë botën demokratike!! Përderisa mallrat e “faqes së zezë” i kemi të shitura e stërshitura ndër shekuj dhe pikërisht në të njëjtin treg, sepse këto “pisllafet tona” po kanë vlerë si anti vlerë ndaj kombit e shtetit! Reklama është gratis, si e porositur për mendjet e ndritura për mbrapsht..

Vetëm se duhet me qenë i zoti me e fye dikë end, me poshtërua ose mundësisht me i ngjit edhe bishtin! Për gjyqe, dënime pa prokuror e padi penale jemi bërë mjeshtër me shkollë edhe në parlament të Kosovës e më gjerë…Mentaliteti i këtyre “të mençurve” tanë është çmuar lartë nga armiku ynë shekullor, çmohet edhe sot kur njeriu ynë pa një kokërr tru, për interes personal e partiak i jep flakën Kosovës, shqiptarisë, ardhmërisë e lirisë! Ushqejmë armikun me specialitetet e tej kërkuara kundrejt vlerave tona shpirtërore, shqiptare e kombëtare. Mallra të lira e të mira si; bujaria, mikpritja, besa e shumë virtyte tjera nuk po bëjnë punë! Tani edhe këta të huajt si duket i janë përshtatë rrethit tonë puthadorë!

Jemi bë edhe mjeshtër kur mbrojmë veten tonë, duke u nxjerrë sytë vetëm tanëve e në prani të ndërkombëtarëve! Lexova diku se të gjitha këto mallra shqiptare gati se janë kuptuar si servilizëm! Është e vështirë me sqarue këtë fenomen të mbrapsht por duket se ende s’jemi mësue me e dashtë vendin tonë, vetveten tonë, njerëzit tanë, përkundrazi jemi shumë të mençur me e poshtrue njëri tjetrin. Tregu i “faqes së zezë” nëpër portale e gazeta nuk ka të ndalë.

Gjithçka shtrohet si në sofër të kryqit t’kuq andaj vetëm jepi zor e solidarizohu me të shëmtuarën! Shaje dikënd me nënë e babë dhe hop këmbëkryq në portale e gazeta! Thënë edhe më vrazhdë, kemi edhe plumba për njëri tjetrin dhe askush nuk dënohet! E kur është kështu atëherë edhe përzihen këto rolet tona në jetën tonë. E shëmtuara dominon ndaj të bukurës, analfabeti i jep mend të shkolluarit, hajnia e korrupsioni marshojnë me flamurin e fitores e të lirisë.

Shprehja se një gjarpër që së më ka kafshue mua rroftë njëqind vjet është kah përsëritet. Fatkeqësisht kjo po ndodhë duke mos qenë të vetëdijshëm se nga i njëjti gjarpër jemi kafshuar e po kafshohemi, prandaj si në ekstazë, pa vetëdije duartrokasim për fyrje e sharje nga ato më të ndytat! Kemi publik për të gjithë, kemi votues për të gjithë, kemi fyerje për të gjithë shqiptarët, për të gjallët e për të vdekurit!

> Dukshëm edhe po shkallojmë si shoqëri, po shkatërrojmë të kaluarën, po bllokojmë të ardhmen dhe se askush s’po mbetet i mirë, kur edhe të vdekurve jemi kah ua lëvizim eshtrat! Ku po mbetet e kaluara jonë në kohë? Ku është e tashmja? Kah është kah shkon e ardhmja? Pse përbaltësit e kombit po notojnë lirshëm dhe se nuk ndalohen me ligj ose me një vendim të dënueshëm.? Kodi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare po sulmohet, ky kod duhet të mbrohet! Shpresa ekziston sepse nuk jemi të gjithë në të njëjtën barkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat