Aksioni në veri, pse po hesht opozita?!

Opinione

Aksioni në veri, pse po hesht opozita?!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 23 shtator 2021 Në ora: 14:09
Policia speciale e Kosovës me automjete të blinduara qëndron në rrugën pranë kalimit kufitar verior të Kosovës në Jarinje, e hënë, 20 shtator 2021. Fotografia Associated Press

Qeveria filloi në Veri të vendit, konkretisht në pikat kufitare reciprocitetin për targat me Serbinë. Tash e tri ditë policia, forcat speciale janë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit të qeverisë pas bllokadës së serbëve atje. Kjo edhe solli reagime të ndryshme duke përfshirë ambasadën amerikane, BE-në dhe faktorët tjerë relevant në rajon dhe botë.

E habitshme heshtja e opozitës në Kosovës, aty këtu me ndonjë reagim kritikues të ndonjë deputeti në FB dhe kaq, por reagim zyrtar të ndonjë prej subjekteve opozitare nuk ka. Opozita serioze në të cilën qeveria duhet të shoh veten, fatkeqësisht nuk është në nivelin e duhur të saj, pa qenë e zonja të bëj qoftë një reagim, ndonëse kanë kaluar mbi 48 orë nga fillimi i zbatimit të vendimit të qeverisë që solli edhe tensionim të situatës në veri të vendit. Qysh atë ditë është dashur që opozita të reagonte, pavarësisht a do e mbështeste apo jo vendimin e qeverisë (do të duhet ta mbështeste), të konfirmonte rolin e saj si pjesë e pandashme e shoqërisë.

Një vendim i tillë që ka të bëjë me Serbinë tejkalon vendimet e zakonshme të qeverisë, si i tillë është dashur të merrte vëmendjen e opozitës. Kjo opozitë e sotme ka reaguar edhe për vendime të qeverisë që kanë pasur shumë herë peshë më të vogël se ky për reciprocitet. Ky aksion i madh shpërfaqi vogëlsinë e opozitës qoftë në një reagim të vetëm, e cila është në opozitë pikërisht se nuk është akoma në nivelin e saj për të qenë përgjegjëse për rolin e saj që i takon. Mungesa e guximit për të qenë përgjegjëse për rolin e saja e bën këtë opozitë larg të qenët e gatshme që në një të ardhme të afërt të jetë në qeveri. Qeveria e sotme po mbështete nga qytetarët pikërisht se opozita e sotme, dikur në qeveri s`ka pasur guximtë ndërmerr veprime të tilla krejtësisht të domosdoshme dhe në përputhje me kompetencat që ka Kosova si shtet i pavarur.

Kjo opozitë e sotme duhet sa më parë të ndryshojnë kursin e saj të bërit opozitë, duke qenë e sinqertë, e hapur dhe transparente me qytetarët , janë premisat mbi të cilat ndërtohet një opozitë e re dhe efektive, e besueshëm për qytetarët si alternativë e sigurt që të nesërmen të jetë në qeveri. Heshtja e opozitës është e papranueshme. Zilia ndaj qeverisë për një vendim të qëlluar duhet të gëzonte të gjithë kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë, por edhe diçka që ka të bëj me jetën e përgjithshme të qytetarëve, duke qenë se edhe opozita jeton dhe vepron në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat