Strehimi i afganëve në Kosovë dhe Shqipëri, është një akt që shkon përtej humanizmit..!

Opinione

Strehimi i afganëve në Kosovë dhe Shqipëri, është një akt që shkon përtej humanizmit..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 gusht 2021 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Arritja sot herët në mengjes e 121 refugjatëve afganë në Shqipëri si dhe pamjet e pritjes së tyre nga udhëheqësit më të lartë të qeverisë shqiptare në “Rinas”, më kanë zgjuar emocione të përziera, ngase çastet e arritjes së tyre në aeroporti më rikthyen 30 vite pas në historinë tragjike të Kosovës, kur regjimi kriminal i Serbisë fashiste në krye me kasapin e Ballkanit, S. Millosheviçin, me 1989 me tanke, ushtri dhe polici e ri-pushtoi Kosovën, duke suspenduar të gjitha organet shtetërore të saj, meqë rast dëboi nga puna vetëm brenda një dite mbi 145.000 shqiptarë të cilët unanimisht i refuzuan masat e një pushtimi terrorist..!?

Më kujtohet si sot ajo situatë tejet e rënd, e krijuar në vitet në vazhdim, kur një numër i madh i udhëheqësve politikë shqiptarë u burgosën pa gjyq, kur qindra shqiptarë u ftuan në polici gjithandej Kosovës ku u rrahën dhe u torturuan mizorisht për disa ditë, kur mbi 350 intelektualë më të spikatur shqiptarë u kidnapuan në banesat e tyre dhe u dërguan të lidhur me pranga në Leskovc, Nish dhe qytete tjera të Serbisë, ku u mbajtën peng për disa muaj duke i torturuar në mënyrat më barbare, kur me dhunë policore dhe ushtarake u mbyllën me qindra ndërmarrje punuese, firma si dhe shumë fabrika, vetëm se nuk i pranuan ligjet pushtuese të Serbisë fashiste, kur regjimi barbar i Serbisë i mbylli të gjitha shtëpitë botuese të gazetave dhe revistave shqiptare ditore në Kosovë, kur me dhunë policore e pushtoi dhe e mbylli të vetmin transmetues televiziv në Kosovë, RTP-në në Prishtinë, duke i burgosur, rrahur dhe larguar nga puna të gjithë gazetarët, kur na i mbylli të gjitha shkollat fillore dhe të mesme si dhe Universitetin e Prishtinës, dhe kështu me radhë torturë pas torture.

Pra, regjimi kriminal i Serbisë i instaluar me forcë ushtarake në Kosovë me 1989 shkatërroi çdo gjë që ishte ndërtuar me gjak dhe mund të shqiptarëve për afër 45 vite nën sistemin e regjimit komunist të ish Jugosllavisë..!?

 

Kështu që, pas një barbarie të tmerrshme, kur mbi 2 milion shqiptarë ngelën pa punë dhe pa të ardhura mujore, pra pa gjërat më elementare për jetës, kur mbi një popull të tërë u ushtrua gjenocid etno-kulturor me përmasa të papara deri atëherë në Evropën e lirë dhe demokratike, ishte gjithë ai tmerr dhe diskriminim i bërë mbi ne shqiptarët e Kosovës, që solli deri tek largimi dhe eksodi masiv, kur nga viti 1990 deri me 1997, hiç këtu dy vitet e luftës 1998-99, Kosovën e braktisën mbi 500 mijë shqiptarë, duke kërkuar azil politik në të gjitha vendet e Evropës perëndimore, në vendet tej-oqeanike, në Australi e deri në Zelandën e Re!

Vetëm në Gjermani në fillim-vitet e 90-ta janë strehuar dhe azil kanë kërkuar mbi 100 mijë shqiptarë, të cilëve shteti mik gjerman u ka ofruar strehim, ushqim dhe veshmbathje falas si dhe nga 350-400 marka në muaj për çdo person si ndihmë financiare, duke ua pranuar statusin e azilantëve politik, kryesisht numrit më të madh të tyre.

Unë, si njëri nga ata nuk e harroi kurrë ndjenjën e humbjes së vendlindjes dhe atdheut të cilin e kishim braktisur me lot dhe mall të pashuar që nga brenda na e përvëlonte shpirtin, të vetëdijshëm se fati ynë në jetë kurrë më nuk do të rikuperohet, meqë rrugët e kurbetit kurrë nuk sjellin gëzim dhe lumturi, ashtu siç edhe ka ndodhur me miliona shqiptarë të Kosovës, të cilët edhe sot e kësaj dite janë dhe jetojnë si refugjatë anë e kënd botës!

Prandaj, rasti i strehimit të afganëve në dy shtetet tona në Ballkan, me kërkesën e miqve tanë amerikanë, pa asnjë dyshim, i tejkalon caqet humane të shoqërisë tonë, ndaj uroj që refugjatët afganë të cilët kanë filluar  të arrijnë në mesin e popullit shqiptar në Shqipëri, ku pas pak ditësh do vije në Kosovë kontingjent tjetër i tyre, të gjejnë strehim të qetë si dhe mikpritjen shqiptare, duke shpëtuar nga më e keqja, nga vdekja dhe persekutimi i mundshëm në atdheun e tyre të varfër dhe plotë rreziqe për jetën e tyre dhe të mijëra fëmijëve të pafajshëm afganë!     

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat