Kur vizituam Burgun e Spaçit!

Opinione

Kur vizituam Burgun e Spaçit!

Nga: Bajram Mjeku Më: 24 gusht 2021 Në ora: 17:55
Bajram Mjeku

Derisa shumica e kosovarëve sapo kapërcejnë Qafën e Morinës ia mësyejnë bregdetit shqiptar, në maj të këtij viti së bashku me tre miq, vendosëm për një vizitë dhe itinerar ndryshe. Në Prishtinë vendosëm ta vizitonim Burgun e Spaçit!

Sapo gjendesh në hapësirat e këtij burgu mizor, imazhi i të cilit ende mban peng kujtesën shqiptare, të krijohet ndjesia sikur brenda atyre mureve të ndalet fryma, derisa po aty ka ndaluar jeta e mijëra shqiptarëve të ndjekur nga Diktatura, hija e së cilës ende nuk e ka braktisur as mendësinë, as shtetin shqiptar tridhjetë vjet më vonë.

Derisa mbretëronte heshtja, jam ndier dy herë keq. Për mijëra shqiptarë që me vite të tëra kanë mbijetuar midis asaj gryke mizore dhe për shumë sish që kanë vdekur aty... U ndjeva keq edhe për mikun tim të çmuar Skënder Berisha nga Peja, i cili po ashtu ka bërë burg politik në vitet tetëdhjetë në Kosovë. Gjatë katër viteve sa ka qëndruar në burg, Skënderi ka mbijetuar nën zhguallin e hetuesisë, prandaj ka bërë mbijetesë të rëndë e mizore.

Për aq kohë sa qëndruam aty, as edhe një herë të vetme nuk kam folur. Ishin muret e këtij burgu, që flisnin për vuajtjet e gjithë atyre njerëzve. Tash disa vjet, shteti shqiptar ka filluar të bëj njëfarë rinovimi, por që ende nuk ka përfunduar si në legjendën e Rozafatit. Duket që edhe nuk do të përfundojë, pasi shtetin shqiptar edhe sot e qeverisin bijtë e atyre që e kanë ngritur këtë burg dhe që e kanë katandisur Shqipërinë dhe shqiptarët deri në pikën sa ende nuk e kanë marrë veten.

Derisa 23 gushti është data e kujtesës së krimeve kundër njerëzimit të kryera nga diktaturat komuniste, jam fort i bindur që perdja në teatrin shqiptar ende nuk ka rënë. Drama vazhdon të luhet me aktorë, të cilët megjithëse nuk duken në skenë, rolet e tyre vazhdojnë t’i luajnë mbrapa kulisa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat