Ku mbeti krenaria e Llapit?! 

Opinione

Ku mbeti krenaria e Llapit?! 

Nga: Ismail Muqiqi Më: 19 gusht 2021 Në ora: 11:31
Ismail Muqiqi

 Podujeva me rrethin kufizohet nga të tri anët me Republikën e Serbisë. Kjo Komunë me 76 fshatra, [katunde] me mbi 80 mijë banorë dikur ishte simbol dhe krenari e aspiratave për idealet madhore për liri dhe Pavarësi Nacionale. Gjatë periudhave të ndryshme historike Llapjanët ishin të parët të cilët u ballafaquan me rrymat dhe kërcënimet armiqësorë të politikës shoviniste serbe. Llapi për lirinë e vet dha shumë figura të cilat janë pjesë e historisë së re të Kosovës. Llapjanët u dëshmuan me burrëri, besë, trimëri, bukëdhënie, solidaritet dhe humanizëm sa herw që kërkonte nevoja. 
 
Por, çka po ndodh tani me Llapin?! 
 
Komuna e Podujevës tani ka mbetur regjioni më i pa zhvilluar në Republikën e Kosovës. Ekonomia ka mbetur në shkallën më të ulët të zhvillimit të saj. Shkalla e papunësisë është në grafikonin më të lartë të statistikës zyrtare. Sipërfaqet e tokës pjellore të Luginës së Llapit të cilat dikur ishin ambar i drithërave për banorët e kësaj Komune dhe më gjerë tani janë shndërruar në ndërtesa të betonit, duke e shkatërruar tokën e bukës e cila dikur ujitej nga Pollata deri tek Kodra e Kulinës. Mjerisht, këtë gjendje Llapjanëve ua sollën strukturat politike të cilat udhëhiqen me këtë Komunë, që nga pas lufta e këndej.

Sot Komuna e Podujevës edhe pse nga sipërfaqja gjeografike tani është Komuna më e madhe në Kosovë, nuk ka arritur të përcaktojë dhe ndërtoj  zonën biznesore e cila do tu mundësonte bizneseve për ndonjë zhvillim më të shpejtë ekonomik. Politikanët Llapjan ishin ata të cilët u ngritën në Llap, e më vonë ua kthyen shpinën qytetareve duke i lënë të vetmuar me hallet dhe problemet e jetës. Sot shumë Komuna të Kosovës kanë ecur para në të gjitha aspektet zhvillimore.

Podujeva ka mbet larg Komunës së Vushtrrisë, larg Komunës së Lipjanit, Suharekës e Rahovecit e mos të flasim për qendra tjera si janë Peja, Ferizaji, Gjilani apo Gjakova. Faktet e përditshme tregojnë se garniturat e ndryshme të politikës të cilat u premtuan Llapjanëve se do tu qëndrojnë besnikë për të kontribuar në zhvillimin progresiv të kësaj Komune mbetën premtimet e kota që më në fund qytetarët Llapjan i kuptuan dhe i dënuan partitë e kaluara me votën e tyre të lirë dhe demokratike. Se me të vërtet ata që udhëhiqen me Podujevën duke ikur nga përgjegjësia dhe dështimet gjatë punës dhe veprimtarisë së tyre duhet ta dinë se  qytetareve të kësaj Komune u kanë mbetur me obligime të shumta. Një nga projektet të parealizuara është projekti i rrugës Magjistrale Podujevë  - Prishtinë e cila tani ka marr emrin rruga e vdekjes. Kjo rrugë e cila ka filluar të zgjerohet para 5 viteve me  nga 4-5 kilometra në vit nëse kështu vazhdon me këtë dinamikë nuk pritet të ndërtohet edhe 10 vitet e ardhshme.

Qytetaret Llapjan përditë pyesin deri kur do të zgjas kjo agoni e fatkeqësive në komunikacion në të cilën deri tani kanë humbur jetën 11 persona e mos të flasim për dëmet tjera materiale. Ata të cilët e filluan karrierën politike në Llap, posa i morën këmbët ikën në Prishtinë duke marr pozita të ndryshme në institucionet e ndryshme të Republikës së Kosovës. Këta punuan për interesat e tyre personale dhe për rrethin e ngushtë familjarë, duke mos e qarë kokën për fatin e banoreve të Llapit dhe për problemet e tyre. Kjo elitë e politikanëve Llapjan  kanë arrit që përmes formave të ndryshme të përfitojnë beneficione më të ndryshme materialo financiarë dhe ekonomike për veten e tyre.

Por mjerisht për shkak të egove dhe pretendimeve karrieriste këto struktura të ish politikës Llapjane tani kanë mbetur të margjinalizuara dhe të shpartalluara pa asnjë vlerë. Sot përfaqësimi i Rajonit të Llapit në institucionet e ndryshme si në pushtetin lokal të Prishtinës njashtu edhe në nivel të institucioneve qendrore është i margjinalizuaradhe i përbuzur më shumë se asnjëherë më parë. Kësaj i kontribuuan vetë ata të cilët hynë në politikë e të cilët  vrapuan përmes maratonës politike për të rrëmbyer ndonjë pozitë në institucionet e ndryshme qendrore të Shtetit. Kjo është mendësia dhe realiteti i gjendjes të botëkuptimit të dijes Llapjane pas Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, e cila integritetin e strukturave politike të Llapit e ka sjellë në pikën zero.    

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat