Edhe në qeverinë Kurti nuk mund të mendosh me kokën tënde

Opinione

Edhe në qeverinë Kurti nuk mund të mendosh me kokën tënde

Prof. Jeton Kelmendi, PhD, Bota sot Nga Prof. Jeton Kelmendi, PhD, Bota sot Më 8 gusht 2021 Në ora: 08:34
Qeveria e Kosovës

Mbase është bërë diçka e zakonshme, nëse dëshiron të merresh me politikë dhe t’i shërbesh vendit si politikan në pozita të ndryshme qeveritare, në Kosovë tash e dy dekada nuk mund të mendosh me kokën tënde, por me kokën e liderit.

Kjo për faktin se ashtu e thotë partia, prandaj nëse ndodhë që të mos mendosh si lideri, më mirë largohu ose të largojnë ata dhe pastaj shihe çka ndodhë.

Qysh pas përfundimit të luftës, në parti të ndryshme kishte mospajtime dhe pothuajse të gjithë u larguan vet, ose i larguan: sa për ilustrim shih Nexhat Dacin nga LDK-ja, shih Fatmir Limaj nga PDK-ja e deri tek Shpend Ahmeti që u largua nga VV-ja e Albin Kurtit.

Qe të gjithë të përmendurit ishin shumë fuqishëm në subjektet e tyre politike amë, pra dyshat e partive, mirëpo mendimi tyre ndryshe të gjithë i kërrusi. Diçka e tillë ka ndodhur edhe në dikastere qeverisëse, sepse pushtetarët e partive bëhen edhe zyrtarë qeveritarë dhe kjo e dëmton realisht vendin dhe institucionet.

Ky realitet ka ndodhur, por i takon të shkuarës, prandaj le të merremi me të tashmen. Ta zëmë numri dy dhe numri tre në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë i nxori shumë mirë me vota.

E dyta more diku mbi treqind mijë, ndërsa i treti mbi dyqind mijë, që në shikim të parë ta krijon përshtypjen se këta persona mund të jenë të pandikuar shumë nga shefi i tyre, por a është e vërtetë kjo? Jo dhe aspak jo, sepse edhe pse njëra ka pozitën e shefes së shtetit dhe i dyti shefit të legjislativit, këta dy persona kurrë nuk e kanë guximin që t’i thonë ndryshe shefit, pra njëshit, i cili në list nuk ishte as një, por natyrisht mbi njëshin dhe mbi të gjithë.

Vet shkarkimi i Valdete Dakës nga shefja e KQZ-së flet për një hakmarrje që njëshi i kishte kërkuar dyshes dhe ajo me shpejtësi rekorde e bëri. Pra lere se nuk guxon ta kundërshtoj, por edhe detyrat ajo duhet që t’i zbatoj me përpikëmëri të madhe.

E treshi, dihet se e drejton Kuvendin, por athua sikur të mos e zbatonte detyrën e njëshit të madh që të mos i shkarkonte bordet e shumta, çka mund të ndodh me të? Përgjigja mbase është e lehtë, vetëm kthehet dhe shikon Shpend Ahmetin dhe ai fat do ta godas.

Realisht ky është një rrëfim i keq për vendin, por fatkeqësisht i vërtet dhe i mora shembuj dy nga njerëzit kryesor, të cilët drejtojnë institucionet më të larta të shtetit, e të cilët do të duhet të ishin më ndryshe se ç’janë në fakt, pra të kenë më shumë vetvete në vetën e tyre, se po t’i marrim ministrat e njëshit, mbase ata dhe ato jo se nuk guxojnë ta kundërshtojnë shefin e madh, por me u thënë ai mos hani bukë një javë, sigurisht se pranojnë ta rrezikojnë shëndetin e tyre, por kurrën e kurrës nuk ju shkon ndërmend t’i thonë jo atij.

Ky pra është ndryshimi i madh dhe kjo është krejt dhe drejt, edhe pse nuk e di ta shoh as ndryshimin e madh as të vogël, por edhe rrugën drejt nëse më pyet kush se ka na çon kjo drejt, nuk jam i sigurt t’ia them, edhe pse pak a shumë duket se kahjen e ka tek njëmendësia dhe zbatimi i njëmendësisë përnjëmend. Shohim se ministrat e njëshit të madh, e kam fjalën për oborrtarët e njëshit sidomos, se edhe nëse bjerë shi dhe i lag arat e Kosovës, meritat ia atribuojnë njëshit.

Kështu ndodh edhe me punët e tyre ministrore, ku ata së pari lavdërojnë shefin me krejt fjalorin e tyre, e nëse mbetet ndonjë fjalë pastaj e lënë për vete dhe partinë.

Kjo çasje nuk është e re, madje është parë në shumë vende, por kam menduar se ai sistem ka përfunduar, sidomos në Evropë, por ja që ose qenka ringjallur, ose qenka çuar dhumpir do të thoshte populli ynë nga zona prej nga vimë ne Dukagjini.

Kjo është e vërteta dhe kjo është koha në të cilën po jetojmë sot ne në Republikën e Kosovës. Mbi ketë bazë mund të themi se nëse do që të shërbesh në politikë, ose thënë me drejt të bësh karierë në politikë të mjafton të jesh i dëgjuar dhe nëse mendon me kokën tënde serish do kesh probleme, prandaj mos me mendo vet, por mendo me kokën e njëshit.

E nëse mendo fuqishëm me kokën e njëshit, mund të ngjitesh lart në majat e pushtetit. Raste tipik janë rasti i dyshes dhe treshit në listën e njëshit të madh, por besa edhe zëvendësi i Njëshit në qeveri e dëshmon se si duhet mbërritur majat në pushtetin e Kurtit.

Fundi i fundit çka është kjo puna e të menduarit me kokën e vet dhe natyrisht se njëshi që në fillim ishte kujdesur që mos ta ketë ndonjë person që mund t’i shkoj mendja qe të mendoj me kokën e vet, prandaj asnjëri, ama bash asnjëri në ketë qeveri nuk është person që njihet për mendim me kokën e vet.

Pra, nuk qenka se nuk ka persona që guxojnë të mendojnë me kokën e e vet në Kosovë, por njëshi i madh ketë punë e ka menduar mirë dhe që mos t’i nxjerr vetës telashe ka vënë ministra që dinë të mendojnë mirë me kokën e njëshit.

Si përfundim nuk na mbetet gjë tjetër, pos të themi ‘qoftë lavdue mendimi me kokën e njëshit’, se kështu zgjatë ky mot, e këta persona në kurkushësi në e tyre vazhdojnë të jenë dikush edhe për disa kohë së paku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat