Faktori i mjedisit shkollor me shkallë të lartë të arsimimit ka rëndësi themelore në luftë kundër kriminalitetit

Opinione

Faktori i mjedisit shkollor me shkallë të lartë të arsimimit ka rëndësi themelore në luftë kundër kriminalitetit

Nga: Prof. dr. Kadri Bicaj Më: 30 qershor 2021 Në ora: 16:24
Prof. dr. Kadri Bicaj

Arsimimi e mëson personalitetin si të sillet në familje e në shoqëri, arsimimi si dukuri shoqërore dhe faktor i përgatitjes shkollore ndihmon përparimin e arritjeve kulturore të gjeneratat në fazën e arsimimit dhe inteligjenca si shtresë shoqërore që përbëhet nga personalitete të ndryshme me aftësi mendore për të dalluar të mirën dhe të keqën në atë shkallë që arrin njeriu në zhvillimin mendor. Ata persona që veprojnë mirë gjatë jetës, nuk ka arsye që t’i frikësohen të keqes, nëse luajnë me të keqen – jetën nuk do ta kenë të mbarë, por me veprime inkriminuese e me kriminalitet në forma të ndryshme.

Me edukim si funksion shoqëror, me rritjen e arsimit dhe të shkallës së inteligjencës së civilizimit e të qytetërimit, kriminaliteti në forma të ndryshme zvogëlohet. Kjo ide dominon në literaturën e (E Ferit, Fergusonit, Mannheimit, Gibbsit, Glueckit etj.).Fergusoni shkon aq larg sa mendon se shkalla e ulët e përgatitjes shkollore përbën”faktorin më të fuqishëm të sjelljes delikuente që e përbën shkalla e ulët e përgatitjes shkollore”. Autorë të tjerë nuk i epin arsimimit të lartë rëndësi antikriminale, por përkundrazi mendojnë se arsimimi i lartë mund të jetë faktor i kriminalitetit me veprimtari antiligjore në forma të ndryshme.

Pjesëmarrja e personave të pashkolluar ose me shkallë të ulët të arsimit është e madhe në kryerjen e veprave penale dhe të sjelljeve kriminale në shumë vende të botës

Sipas disa autorëve kriminolog arsimimi e pajis personin me njohuri dhe dije të nevojshme për të zhvilluar format të ndryshme të kriminalitetit dhe në kryerjen e veprave penale ndaj shtetit, kundër të drejtës ndërkombëtare, të veprave penale kundër jetës dhe trupit, kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, kundër të drejtave në marrëdhëniet e punës, kundër vlerave njerëzore-nderit dhe autoritetit,veprave penale kundër integritetit seksual, kundër martesës dhe familjes, kundër shëndetit publik, të veprave penale kundër ekonomisë, veprave penale kundër pasurisë, veprave penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore, veprave penale kundër sigurisë së përgjithshme të njerëzve dhe pasurisë si dhe të disa veprave penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, e ndër to edhe kriminalitetin e organizuar në fushën e narkotikëve.

Për këtë arsye disa autorë mendojnë se shkolla, përgjithësisht arsimimi ndikon fuqishëm në sjelljet delikuente dhe në kriminalitetin e organizuar në forma të ndryshme. Rrymat optimiste mendojnë se shkalla e arsimimit dhe përgatitjes shkollore ka rëndësi themelore madje të dorës së parë në luftë kundër kriminalitetit, pasi arsimimi sensibilizon njeriun se çka janë p.sh., narkotikët, ç’është narkomania me pasojat e saj dhe kush është shkaktar i këtyre dukurive dhe të kriminalitetit në përgjithësi në format e saj. Pavarësisht ato që them më lartë, është një e vërtet e pamohueshme se të dhënat e ndryshme të statistikës gjyqësore të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë të shumë vendeve tregojnë se pjesëmarrja e personave të paarsimuar ose me shkallë të ulët të arsimit është e madhe në kryerjen e sjelljeve kriminale në shumë vende të botës si në kryerjen e veprave penale që u theksuan më lartë dhe të disa veprave të tjera penale dhe për kundërvajtje të ndryshme. Ky konstatim në veçanti ka të bëjë me kryerjen e disa veprimeve kriminale shumë të rrezikshme si p.sh.,veprat penale kundër jetës dhe shëndetit, kundër pronës, sjelljet dhe krimet e dhunës dhe të kriminalitetit të organizuar profesional në forma të ndryshme e një nder to është edhe prodhimi, përzierja, shpërndarja, mbajtja,ofrimi për shitje, shpërndarja në çdo mënyrë, transportimi i çdo lloj droge narkotike ose substance psikotrope.

Janë të rrallë personat me arsimin të lartë që kryejnë vepra penale

Këtë konstatim e vërtetojnë edhe hulumtimet dhe kërkimet empirike që janë kryer në vendet prodhuese të mjeteve narkotike apo drogave dehëse, kësisoj theksohet se edhe në trevën e Kosovës, numrin më të madh të veprave penale e kryejnë personat me arsimim të ulët dhe analfabetë dhe në anën tjetër janë të rrallë personat me arsimim të lartë që kryejnë vepra penale dhe në përgjithësi të prirë për kriminalitet. Në botën bashkëkohore në kryerjen e kriminalitetit të organizuar në fushën e narkotikëve ose drogave dehëse, po rritet pjesëmarrja e bosëve të rrezikshëm në kryerjen e këtij kriminaliteti nga personat me arsimim të lartë, persona të cilët kanë njohuri dhe përgatitje të gjithanshme ekonomike, në rrjetin e telekomunikacionit të personave që njohin mirë rrjedhat e komunikacionit rrugor, hekurudhor, ajror dhe të transportit në përgjithësi, lundrimin ajror e ujor për lëvizjen e mjeteve fluturuese dhe në veçanti përcjellin njohurit e ndryshme politike dhe sistemet e komplikuara teknike teknologjike. Veçmas ata përcjellin lëvizjet në ekonomi, në banka dhe në institucionet financiare dhe tregtare ku shumë lehtë kyçen në kryerjen e transaksioneve të ndryshme financiare dhe kriminale që kanë lidhje me trafikimin e drogave dhe me lehtësi arrijnë që t’i ikin kapjes nga policia ose thirrjeve për gjykim për veprimet e tilla. Nga thëniet e cekura më lartë del se nuk mund të flitet në mënyrë të përgjithësuar që arsimimi pengon ose nxit kriminalitetin.

Arsimimi si faktor shoqëror nuk duhet përgjithësuar as abstraktuar se arsimimi pengon ose nxit kriminalitetin

Ky faktor shoqëror nuk duhet përgjithësuar as abstraktuar se arsimimi pengon ose nxit kriminalitetin, por ai duhet shikuar si një aspekt që ndikon në forma të veçanta të krimit. Nëse mbështetemi në praktikën gjyqësore, del se në të vërtet në veprimet e ndryshme kriminale më të prirë janë personat e paarsimuar, mirëpo ekziston në të shumtën e rasteve edhe e kundërta e kësaj që u tha më lartë. Në format tipike të kriminalitetit në përgjithësi kanë ndikim edhe literatura jo adekuate, shtypi, filmi dhe televizioni se fundmi edhe telefonat (si mjete komunikimi masiv) dhe literaturat e tjera kriminologjike që janë në gjendje që për një kohë të shkurtër të orientojnë me bindje të ndryshme masën e gjerë të një vendi. Për ndikimin e literaturës jo adekuate, shtypit e filmit si shkaktar të kriminalitetit të organizuar në forma të ndryshme është thënë mjaftë shumë në literaturën kriminologjike dhe sociologjike. Shumë autor qëndrojnë pranë thënieve të tyre duke e mbrojtur mendimin se literaturat joadekuate, shtypi dhe filmi mund të shkaktojnë në disa rrethana disa veti negative të njeriut për disa forma kriminale që kanë lidhje me sjelljet delikuente të të rinjtë. Në kongresin e Kombeve të Bashkuara për parandalimin e kriminalitetit dhe trajtimin e të dënuarve në Londër, me 1960, u pranua qëndrimi se filmat, stripët, lajmet sensacionale për krimet, literatura jo adekuate, televizioni dhe emisionet në radio mund të jenë faktor kriminogjen, edhe pse ka autor (Loper-Rey) të cilët janë të matur në këto konkludime. Mund të thuhet se në literaturë ekziston bindja e arsyeshme se bota e të miturve u nënshtrohet më se shumti ndikimeve të tilla,mbasi që ajo i shfrytëzon më se shumti në kohën e lirë mjetet e komunikimit masiv, për dëfrim për çka shërben radioja, televizioni dhe filmi e se fundit edhe telefonat mobil. Të rinjtë me endje përcjellin dhe shikojnë filmat që trajtojnë skena të ndryshme kriminale, histori e biografi të bosëve kriminelë, pastaj edhe tek ata lindin disa ide të çuditshme me motive negative. Hulumtuesi amerikan i delikuencës së të miturve, Thracheri ka konstatuar se emrat e shumë grupeve kriminale dhe idetë për sjellje vandaliste dhe sjellje të ngjashme destruktive dhe kriminale janë marr nga stripet e ndryshme duke menduar se ato kanë ndikim të madh në shfaqjen e delikuencës se të rinjve dhe për këtë shkak duhet anuluar shumë prej tyre, madje edhe emetimin e disa filmave në televizion e tjera.

Raportet shqetësuese mbi mbytjet, kriminalitetin e organizuar në forma të ndryshme, mund të aktivizojnë prirje të fituara për të kryer vepra të ndryshme penale. Sipas L.Brownit, artikujt (shkrimet) e gazetave mund të nxisin në disa veprime negative ata persona të cilët janë të prirë kah sjelljet kriminale, në veçanti ata persona që nuk çojnë jetë normale psikike. Këta faktor ideopolitik kriminogjen, shikuar nga pikëpamjet e ndryshme të personat e ndryshëm, zhvillojnë ndikim nga përmbajtjet e tilla të artikujve të mjeteve të informimit, filmave, radios etj. Megjithatë, s’është e thënë që të kenë gjithmonë si rrjedhim sjelljet delikuente. Kjo varet nga tërësia e veçorive psikike e morale të caktuara dhe vendosmëria për t'ia arrit qëllimit të jetës normale të pranueshme nga faktori shoqëri, pra, nga karakteri i personit që bie në kontakt me literaturën, shtypin apo ndonjë film, p.sh., një film që trajton shfaqjet kriminele mund t’i shërbejë një personi si përvojë për aksione preventive, ndërsa tjetrit si inspirim për veprimet e veta kriminale, çka ngjet më se shumti të ata persona që tregojnë dhe shfaqin karakteristikat e personave të paadaptuar në rrethin shoqëror dhe përherë janë të pasigurt dhe jostabil, të cilët nuk pranojnë dhe respektojnë vlerat shoqërore. Lidhur me këtë, personaliteti është faktor mjaftë i rëndësishëm në këtë proces. Prandaj duke pasur parasysh rrethanat e përmendura, mendojmë se ky ndikim i literaturës jo adekuate, shtypit e filmit e në veçanti telefonat mobil nuk mund të ketë karakter të shkaktarit direkt të sjelljeve kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat