Në dyzetvjetorin e demonstratave të vitit 1981

Opinione

Në dyzetvjetorin e demonstratave të vitit 1981

Azem Ramadani Nga Azem Ramadani Më 24 maj 2021 Në ora: 14:28
Demonstratat e vitit 1981

“Është mëkat i madh dhe faj i jashtëzakonshëm historik,që klasa politike në Kosovë, me përjashtime të rralla, si Pajazit Nushi, Ymer Jaka, Ukshin Hoti, nuk u ngrit, të paktën në nivelin kombëtar të demonstruesve të thjeshtë. Ata u kthyen në pinjollë, herë pas here të neveritshëm, të mbështetjes së masave të jashtëzakonshme dhe dhunës policore që ushtronte Beogradi mbi popullin e tyre. Kjo ishte dhe vazhdon të mbetet njolla më e madhe politike e kësaj klase, e cila, jashtëzakonisht paarsyeshëm, vazhdoi rrugën e diferencimit masiv mes popullit, krijoi mitin e rremë të “demonstratave armiqësore”, thirri në ndihmë ushtrinë dhe policinë serbe dhe lejoi, që, edhe një herë, të gjakosej populli i Kosovës. Mjerisht, në asnjë tubim publik, kjo klasë politike, nuk mbështeti haptas kërkesën për Republikën e Kosovës”.(Bedri Islami për Demonstratat e 81-shit)

Jemi në vitin 2021, vit i një përvjetori të rëndësishëm të përkujtimit të ngjareve me peshë të madhe historike për kombin tonë. Kanë kaluar plotë 40 vjet nga ngjarjet e njohura si Demonstratat e `81-shit në Kosovë. Do të ishte më se normale që me rastin e këtij përvjetori jubilar, viti 2021 të shpallej viti i përkujtimit të këtyre demonstratave. Por asnjë institucion politik, kulturor apo shkencor në Republikën e Kosovës nuk u përkujdes deri më sot.

Më 11 Mars të vitit 1981, filluan këto demonstrata që shënojnë edhe manifestimin e parë serioz politik të kombit shqiptar të Kosovës me kërkesa të qarta politike për avansim të statusit të shqiptarëve dhe Kosovës si Republikë. Manifestimet e muajit mars dhe prill të këtij viti shënojnë njëherit edhe rritjen në një shkallë më të lartë të përpjekjve për liri, pavarësi dhe demokraci në Kosovë. Sigurisht që aspekte të ndryshme të atyre ngjarjeve të para 40 viteve, specialist të fushave shkencore, historian, sociolog, politikolog etj. do t’i shpalosin në të ardhmen.

Nga kjo distancë kohore, mund të nxjerren konkluzione të ndryshme, por se gjykimin më të sakt dhe më të drejtë për këto demonstrata e ka dhënë Mr. Ukshin Hoti, që njëherit ishte edhe protagonist dhe mbase intelektuali i vetëm i këtij niveli, që hapur i kishte mbrojtur dhe arsyetuar këto demonstrata përpara autoriteteve shtetërore të asaj kohe, për çka edhe u dënua me burg. Ukshin Hoti nuk ishte kuptuar në masë të madhe atëherë, por edhe në kohën kur shkruante: “...i djersitur dhe shpirtërisht i dërmuar nga vegime të tilla halucinante të kotësisë, më ishte dukur sikur kisha klithur me tërë fuqinë e shpirtit: O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës!”

Me këtë rast duhet vënë në pah një aspekt që shmanget çuditërisht në emër të ruajtjes së një uniteti e mund të thuhet lirisht kohezion shoqëror mashtrues dhe të rrejshëm, por me pasoja të dëmshme afatgjate. E vërteta duhet të thuhet sado që mund të na duket e hidhur. Për gjeneratat e ardhshme kjo do të jetë një mësim.

Që nga 3 Prilli i vitit 1981 e deri më 17 Nëntor të vitit 1988, në Kosovë kishte elemente të një lufte civile ndërshqiptare. Përse është kështu? Për faktin se pikërisht me 3 prill të atij viti, pas shuarjes së përgjakshme të manifestimeve paqësore mbarëpopullore nga ana e policisë dhe ushtrisë jugosllave, manifestime këto të udhëhequra nga rinia studentore shqiptare, ishte Fadil Hoxha lideri shqiptar i atëhershëm komunist i Kosovës, që në një fjalim që mbajti me të ashtuquajturin aktiv politik të Prishtinës, këtë rini e quajti “plehu i Kosovës” dhe kërcënoi ata që manifestuan, se “treqind grosh do të jetë bira e minit për ta”. Për një moment atë ditë, më të moshuarve ju kujtua fundi i vitit 1944, kur në Prizren nga ballkoni i ndërtesës Beledije, po ky Fadil Hoxhë, i kishte kërcënuar bashkëkombësit e vet që të thyejnë qafen dhe të ikin kah të munden, të gjithë ata që kan menduar se janë çliruar nga kralevina e Jugosllavisë me hyrjen e ushtrisë italiane dhe gjermane në Kosovë në vitin 1941, sepse Kosova tash u rikthye nën okupimin serbo-sllav. Më 3 Prill 1981, Fadil Hoxha, ngjante në një fntazmë prej lugati që kërcënonte dhe paralajmëronte për ditët të zeza që na prisnin.

Menjëherë pas kësaj filloi përndjekja dhe burgosja e mijëra të rinjëve shqiptarë të Kosovës dhe më gjerë në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës dhe kudo që kishte shqiptarë në Jugosllavi. Përgjatë 10 viteve të pas demonstratave, komunistët shqiptarë jugosllav, që ishin në krye të organeve represive në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, në Sigurim Shtetëror, Prokurori dhe Gjykata, vranin, burgosnin, torturonin dhe dënonin me burgime afatgjata kundërshtarët politik, bashkëkombës të tyre, sigurisht jo vetëm për të ia bërë qejfin Serbisë dhe Jugosllavisë, por më shumë për shkak të bindjve e besimit që kishin në “vetëqeverisjen socialiste”, “vëllazrim-bashkimin me kombet dhe kombësitë tjera jugosllave”, “politikën e jashtme të painkuadrimit” e të tjera broçkulla si këto, por edhe për t’i ruajtur privilegjet që i gëzonin duke qenë në pushtet. Prandaj nuk mund të quhet ndryshe veçse një luftë qytetare ndërshqiptare në Kosovë. Ata komunista shqiptarë anëtarë të LKJ, që nuk ishin pak por afër 100 mijë, nuk mund të i quajmë vetëm thjesht shqipfolës kurrsesi, ata ishin shqiptarë që kishin bindjen se kishin të drejtë të luftonin me nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar me të gjitha mjetet. Por ata me vetëdije apo pa te, njëherit po bënin argatin e djallit, sepse po i shërbenin shovenizmit serb. Çdo manifestim edhe më i vogël i ndjenjave nacionale, në përkrahje të demonstratave, me ndonjë parullë, trakt, këngë apo shprehje verbale, përndiqej dhe persekutohej në mënyrën më të vrazhdë. Burgosja dhe dënimet afatgjata e të rinjëve, sakatosja, përjashtimi nga puna dhe shkollat e fakultetet, diferencimi dhe syrgjynosja e marrja e rrugëve të kurbetit, këtë po përjetonin shqiptarët nga bashkëkombësit e tyre pushtetarë në Kosovë, që ishin vu në shërbim të mbrojtes së rendit kushtetues jugosllav. Kulminacioni i kësaj lufte arriti diku në vitin 1987 kur Rrahman Morina, ministër i brendshëm i Kosovës deklaronte në Kuvendin Federativ jugosllav me plotë krenari, se që nga viti 1981 e deri sa po raportonte, nëpër duar të policisë dhe organeve represive kishin kaluar mbi 580 000 shqiptarë, që do të thoshte rreth gjysma e popullatës shqiptare e moshës madhore.

Por se, në krejt këtë, më e dhimbshme ishte vrasja e dhjetra demonstruesve. E që vazhdoi pastaj me vrasjen e Jusuf Gërvallës bashkë me vëllanë Bardhin dhe Kadri Zekën në Gjermani, mbytja me tortura dhe hudhja nga dritarja e zyreve të sigurimit shtetëror në Ferizaj e të riut Afrim Abazi, vrasja e Rexhep Malës dhe e Nuhi Berishës në Prishtinë, pastaj e Bajram Bahtirit, mbytja me tortura dhe hudhja poashtu nga dritarja e zyreve të sigurimit shtetëror në Prizren e profesorit Xhemajli Berisha, vrasja e Afrim Zhitisë dhe e Fahri Fazliut etj. Të gjitha këto ishin krime kryesisht të punëtorëve shqiptarë të sigurimit shtetëror, e të cilët dihen me emër dhe mbiemër.

Vrasja e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe e Kadri Zekës më 17 Janar të vitit 1982 në Gjermani, padyshim është humbja më e madhe dhe e pakompenzueshme me pasoja afatgjata për lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Kjo vrasje u planifikua dhe realizua nga Resori i Sigurimit Shtetëror të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës si njësi e barabartë e RSFJ. Në këtë konkluzion vihet po qe se krahasohet vrasja e një disidenti kroat një vit më vonë më 1983 në Mynih të Gjermanisë, e Stejpan Gjurekoviqit, që siç u vërtetua pas më shumë se tri dekadave, ishte planifikuar, urdhëruar dhe realizuar nga Resori i Sigurimit Shtetëror kroat dhe kuadrot kroate të nivelit federativ jugosllav. Autorët e kësaj vrasje politike nga drejtësia e shtetit të Gjermanisë janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe sot janë në vuajtje të këtij dënimi. Por për më shumë për këtë paralelizëm, një herë tjetër.

Në këtë luftë civile palë ndërluftuese ishin, në një anë rinia e Kosovës si dhe shumë patriotë të dëshmuar nëpër periudha të ndryshme historike të përkrahur nga populli mbarë, të cilët po përpiqeshin të krijonin një front të organizuar të rezistencës kundër okupatorit serb, duke inicuar themelimin e celulave ilegale të rezistencës, por që shpejt zbuloheshin nga sigurimi shtetëror i Kosovës, për shkak të papërvojës në organizime të tilla. E vetmja përkrahje zyrtare vinte nga shteti amë Shqipëria, e cila përkrahje ishte vetëm verbale dhe propagandistike por për kohën ishte shumë domethënëse.

Në anën tjetër ishte Lidhja e Komunistëve të Kosovës(LKK) me gjithë aparatin represiv, me disa dhjetëra mijë anëtarë, 3500 milicë, qindra punëtorë të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, dhe ndihma e pakursyer nga Republikat tjera të Federatës me personel të milicisë speciale dhe punëtorë operativ të Sh.S.Sh sidomos nga Serbia.

Në këtë luftë të pabarabartë, në vitin 1986 apo 1987, Lidhja e Komunistëve të Kosovës gadi sa e shpalli fitoren e kësaj lufte kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, duke bërë bilance të kësaj fitoreje. Por në fund të vitit 1988, klasa politike e diskredituar para popullit të vetë(LKK), i bëri thirrje po këtij populli që me marshime drejt Prishtinës me fotografi të Titos dhe flamurin jugosllav, diçka që ishte e turpshme dhe neveritëse, ta mbronin nga shovenizmi serb, i cili shovenizëm tashmë i kishte hedhur si limonin e shtrydhur udhëheqësit e LKK.

Këto janë fakte historike që nuk mund të mohohen as nga historiografia dhe nga askush, dhe e vërteta duhet të thuhet. Këto pësime në rrugëtimin tonë drejt lirisë, duhet të na bëhen mësime. Thonë që i mençuri mëson nga pësimet e tjetërkujt kurse budallai nuk mëson as nga pësimet e veta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat