Përkujtohen masakrat e shumta të gjenocidit serb

Opinione

Përkujtohen masakrat e shumta të gjenocidit serb

Prof. Dr. Zija Lleshi  Nga Prof. Dr. Zija Lleshi  Më 20 maj 2021 Në ora: 20:43
Ilustrim

Shqiptarët dhe Serbia edhe pas më shumë se dy decenie janë akoma në pozicione dhe vlerësime të kundërta rreth masakrave gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve. Dje u përkujtua masakra e tmerrshme gjenocidale e Dubravës, që të kujton masakrën gjenocidale të Tivarit (MGJT). Disa ditë më parë u përkujtua një tjetër masakër, mbas disa ditësh prap do të përkujtohet një tjetër. Tërë kohën përkujtime të masakrave gjenocidale të njëpasnjëshme të Serbisë. Përkujtohen gjithnjë masakrat gjenocidale të Rezallës, Reçakut, Izbicës, Mejës, Dubravës, Gjakovës (masakrën nën parullën e transit euforik e patologjik gjenocidal të ushtarëve deri në dhëmbë të armatosur serbë, duke shëtitur në qytet me kamionë, e paralajmërimin e tmerrshëm  dhe brohoritjen e tyre me zë të lartë, të frikshëm e kumbues deri në qiell, në kor të gjithë, që të dëgjohet në tërë qytetin qëllimi e planifikimit: “Gjakova do të bëhet Srebrenica e re”, Krushës Madhe (Rahovecit), Poklekut (54 viktima të terrorizuar,  prej tyre 24 fëmijë), Rugovës Hasit, Studimes (Vushtrrisë), Mitrovicës, etj., etj., të panumërta, secila masakër nga një ekspeditë vrastare e veçantë e forcave të agresionit gjenocidal serb.

Në çfarëdo forme të kenë ndodhur krimet e serbëve kundër shqiptarëve, si krime lufte apo krime kundër njerëzimit, ato nuk kanë qenë të vetëm njëhershme, të izoluara e të rastit, por kanë qenë shumë herë të përsëritshme, të planifikuara e sistematike dhe, kurdo që bëhet denoncimi i tyre, ato duhet të trajtohen si elemente përbërëse të gjenocidit të planifikuar e sistematik, të pa shkëputura, të koordinuara në kohë dhe hapësirë e në funksion të gjenocidit si pjesë e tij dhe si strategji në agjendën e përgjithshme të gjenocidit, veprime të planifikuara dhe të programuara në përputhje me projektin gjenocidal që proklamonin botërisht burrështetasit serbë të njëpasnjëshëm, e në kontinentet në të gjitha fazat historike të gjenocideve në një periudhë më gjatë se një shekull.  

Vuçiqi as në këtë përvjetor nuk e pranon gjenocidin e Serbisë në ato masakra dhe atë të cilën tani e dinë e tërë bota: intervenimi i NATO-s ka ardhur si mjet i fundit, pas konsumimit të të gjitha përpjekjeve diplomatike (Holbrooke) për marrëveshje e zgjidhje paqësore të problemit e që Serbia të heq dorë nga planet e tmerrshme të agresionit e planifikimit të masakrave. Symbyllja dhe pasiviteti ekstrem i forcave demokratike, duke përfshirë USA-n dhe NATO-n, kjo e fundit edhe më shumë për shkak të misionit saj, përkitazi me gjenocidin e hapët ndaj shqiptarëve, do të konsiderohej miratim i heshtur e bashkëfajësi flagrante, indiferencë dhe tolerim të gjenocidit monstruoz e periodik ndaj popullit të pafajshëm e paqësor shqiptarë në midis të Europës. Intervenimi humanitar i NATO-s ka rezultuar, pra, si apel i ndërgjegjes shëndosh njerëzore dhe vetëdijes së zgjuar për ndërprerjen e agresionit serb. Qëllimi ka qenë për t´u mbrojtur definitivisht të dy palët pa asnjë dallim: viktima shqiptare dhe agresori serb.     

Arsyeja e parë, pra, ka qenë që të ndërpritej agresioni gjenocidal dhe t´i shpëtojnë shqiptarët nga gjenocidi, në vargun e gjenocideve tjera periodike të mëhershme të shqiptarëve nga Serbia si dhe të mos përsëritet Bosnja. Arsyeja e dytë, po ashtu thellësisht humanitare, si dhe sa ajo e para, ka qenë që intervenimi NATO-s, në mbrojtje të të gjithëve pa asnjë dallim, të parandalojë  edhe viktimat serbe nga pasojat që sjellë lufta dhe që Serbia në historinë e saj të mos përbaltet e të zhytet, shumë e më shumë, e thellë më thellë, në vargun e gjenocideve të përsëritshme e të njëpasnjëshme monstruoze ndaj shqiptarëve, kurrën e kurrës të harruara, të filluara që nga Kongresi i Berlinit (1878), e mandej të vazhduara në luftërat ballkanike 1912-13 e këndej.

Të dy këto arsye objektive dhe reale i mohon Vuçiqi. Atij në fakt as që i intereson e vërteta objektive, pendimi dhe kërkimfalja e pajtimi. Ai ka vetëm një qellim. Ai ka etje të pashuar ekspansioniste për të vazhduar dëbimin e dhunshëm e me terror makabër të shqiptarëve autokton nga trevat e veta mijëvjeçare për qëllimin “madhor”-- “Serbinë e Madhe e Më të Madhe”, të zmadhuar pak nga pak e dal nga dal, kohë pas kohe e faza-faza, nga dikur ai dimensioni i “Pashallëkut të Beogradit”, 1459-1817 (900 mijë banorë dhe kryeqytet Smedereva me 55 mijë banorë).

Për dështimin e Serbisë në agresionin gjenocidal e detyrimin për ndërprerjen e tij, Vuçiqi e bënë fajtorë dhe anatemon NATO-n dhe USA-n pa asnjë argument real e objektiv.  Në vend të një hapi të arsyeshëm prapa drejt reflektimit dhe vetëkritikës, ai merr turr dhe ofensivë dhe shkon edhe një hap të madh përpara në vazhdim, për t´i dhënë  “luft”, komoditet, përforcim  e “argumentim të rrejshëm” si arsyetim për palëkundshmëri të qëndrimit të vetë.  Vuçiqi madje për këtë qellim shkon aq larg sa nuk nguron dhe rekomandon edhe “përmirësimin” absurd: “Intervenimi i NATO-s i vitit 1999 duhet  të quhet krim dhe agresion, e jo intervenim” ! Nënçmim e përbuzje banale me logjiken më elementare të njeriut dhe me NATO-n. Përpjekje ekstreme për të mohuar të njohurën e kthjelltë në dritë të diellit.

Këtë ndryshim të kualifikimit të intervenimit e bënë Vuçiqi për t´ia veshur kështu NATO-s fajësinë e rrejshme e me këtë edhe përkulje dhe nënshtrim të saj, e me synim sigurisht për të paraqitur me vonë edhe kërkesa tjera politike, juridike e materiale. Shpërfillë çdo ndjenjë të fajsisë, të përgjegjësisë, të pendimit dhe të kërkimfaljës. Mohon faktin, të cilin e din e tërë bota, se Serbia e askush tjetër ishte agresori! Mohon Vuçiqi faktin se pikërisht për shkak të atij agresioni gjenocidal e krimeve barbare e të përgjakshme të Serbisë ndaj shqiptarëve është dënuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, gati e tërë kupola e aparatit shtetëror dhe ushtarak (përjashtim aksidental bënë Vuçiqi, e disa të tjerë si ai) të Serbisë të asaj kohe. Disi ngjashëm, pra, siç ishte dikur më herët dënimi në Nyrnberg i vrastarëve nazifashist.  

Asnjë fjalë të vetme nuk e thotë Vuçiqi në fjalën e tij të rastit në këtë përvjetor të masakrave gjenocidale në Kosovë për ca. njëqind mijë (100.000) ushtarë me armatim të rëndë të sjellur nga Serbia në Kosovë me detyrë e qellim për masakra gjenocidale e shfarosje të shqiptarëve dhe ekspeditat vrastare ditore të tyre; asnjë fjalë për ca. 13.000 vrasjeve (brenda tre muajve!!) të civilëve të pafajshëm, duarthatë e paqësor shqiptarë në oborre, dhoma dhe kudo që i kanë hasur në shtëpitë e tyre, burra, fëmijë, gra e vajza të reja, pleq e të rinjë shqiptarë; asnjë fjalë të vetme nuk e thotë për ato sjellje makabre të egra e shtazarake të afër 20.000 dhunimeve të femrave shqiptare në ekspeditat e veçanta të forcave serbe; mandej për plaçkitjet e për tokën e djegur e shkatërrimet masive materiale e barbarizma tjera gjithfarë, duke i dëbuar me terror të pa parë fushave, prrockave, brigjeve e maleve, nëpër shi e nëpër borë, gati 1 milion shqiptarë nga tokat autoktone stërgjyshore denbabaden e për spastrim etnik me qellim hegjemonist, okupues e kolonizues për  Serbinë e Madhe e Më të Madhe.

Por tani, pas shumë kohe, Vuçiqi në dështimin e vetë dhe të atij agresioni të regjimit hegjemonist gjenocidal e ka ndërgjegjën e ngarkuar dhe nuk mund të mos e ndien përgjegjësinë e tij para familjeve të viktimave serbe të luftës  dhe para krejt popullit serb, prandaj përpiqet të arsyetohet e të paraqet, të nxjerrë e të kërkon mundësinë se ku fshihen ose ku mund të shihen përfitimet nga ajo luftë, si mbulojë e arsye për ato viktima, dhe përfundimisht për shfajësim të vetit dhe të atij regjimi, me arsyetimin nga mentaliteti hegjemonist dhe (ri)kolonizues: “që askush të mos na merr më të gjitha, e të mos na jep asgjë”. Thua se shqiptarët në Kosovë, në midis të Europës, dezokupimin dhe dekolonizimin e vetë, më keq se të dekolonizuarit tjerë në Afrikë apo Azi, duhet paguar me “diçka” me një lloj riokupimi dhe rikolonizimi të përsëritshëm, si kompensim për pjesën tjetër që mbetët e çliruar. Pra Kosova si çmim për çlirim, dezokupim dhe dekolonizim duhet të hyjë në pazar me Serbinë për territoret e veta.

Kosovën, vendin autokton të shqiptarëve, Serbia gjithmonë e ka konsideruar si ”Afrika e Bardhë” dhe koloni serbe e resurs për eksploatim. Edhe autorët historianë serb kanë shkruar gjatë për kolonizimin e Kosovës nga Serbia. Por në anën tjetër Vuçiqi faktikisht me deklaratën e tij e pranon dezokupimin dhe dekolonizimin e  Kosovës, por kuptohet vetëm atë pjesë të mbetur nga tërësia të cilës i hiqet ndonjë “diçka”, ose të paguhet kjo në ndonjë mënyrë me ekuivalentin e vlerës saj. Pra “diçka” edhe neve si kompensim për humbjet - liciton Vuçiqi  me numrin e viktimave serbe në lamentimin dhe monologun e tij, edhepse edhe vetë mbanë përgjegjësi meqë nuk duhej hiç fare të kishte agresion në Kosovë.  Në vazhdim Vuçiqi me qellim që numri i viktimave serbe të duket sa më i madh, as që e përmend numrin kolosal të vrasjeve të qindra e mijëra herë më të madh të shqiptarëve në atë agresion gjenocidal, ekzekutime të civilëve, ekzekutime në oborre, ekzekutime në kuzhinë, egzekutime në  dhomë të fjetjës, ekzekutime kudo që i kanë hasur në shtëpitë e tyre, në fshatra dhe të gjitha qytetet e Kosovës, ekzekutime në mënyrat më barbare e më mizore, që për nga metodologjia vrastare gjenocidale tejkalojnë metodologjinë e metodave gjenocidale nazifashiste!

Vuçiqi nuk shpreh asnjëherë dhembje e pendim jo vetëm për civilët pleq, femra, invalid, persona të pafajshëm të rritur e të moshuar e për fëmijët pak të rritur, e për të tjerët fëmiljë ca më të vegjël apo sapo të lindur shqiptarë, por as për ata fëmijë që serbomëdhenjtë nuk pritnin as të lindnin e të vijnë në këtë botë, sepse forcat serbe, në ekspeditat e bandave të tyre vrastare të armatosur deri në dhëmbë, në prezencën e familjarëve, në oborrin shtëpiak, i mbyteni me bajoneta në barkun e nënës, fëmijë ende të pa lindur, ende pa e parë dritën e diellit, ende pa e parë botën që duhej të ishte e mrekullueshme, kurse mandej, nënat e mjera, sikur të mos ishte e mjaftueshme gjithë ajo çmenduri, i hidhnin si skllave në puse, në imazhin e gladiatorëve tre shekuj para epokës re, vepra këto mizore, të çmendura e shtazarake, përsëritje nga luftërat e mëhershme ballkanike para një shekulli, terrorizma të cilat nuk i njeh fare as nazifashizmi!

“Nuk e kemi sulmuar atëherë askënd” ironizon Vuçiqi duke aluduar në relacion me NATO-n e duke u prezantuar rrejshëm si të pa sherr, me duar të pastra, “engjujë e hyjnorë” edhe ndaj tjerëve, me qellim për vetëshfajësim dhe për diskreditim, për komprometim e për të nxitur urrejtje botërore ndaj NATO-s dhe USA-s, platformë kjo e tij për angazhim të ri që humbjen e Serbisë ta kthej në fitore me “metoda tjera”, tani të reja në gjendje paqeje, jo si dikur të ish shefit tij të cilat i quante “jo të mira”, me synim që ky tani të merr meritat e prapëseprapë të realizojë, siç e ka quajtur, “qëllimin e mirë” të ish shefit dhe idolit të tij, kasapit Ballkanit Millosheviq. Por frigoriferët e shumtë me kufoma të shqiptarëve të Kosovës drejt Batajnicës afër Beogradit, dhe pjesëve tjera në Serbi, e shumë e shumë masakra tjera të panumërta të shqiptarëve dokumentojnë bindshëm agresorin dhe masakrat gjenocidale të Serbisë, dëshmojnë definitivisht rolin dhe arsyet thellësisht humanitare të intervenimit të NATO-s si dhe më së miri dëshmojnë viktimat shqiptare, gjakun e të cilëve shqiptarët kurrën e kurrës nuk do ta harrojnë dhe i përkujton me lot të pa tharë çdo vit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat