Prekazi sërish caku i parë i sulmeve

Opinione

Prekazi sërish caku i parë i sulmeve

Nga: Sabit Istogu Më: 20 mars 2021 Në ora: 06:09
Sabit Istogu

Nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë në Paris nga pala shqiptare, dhe mos nënshkrimi i saj nga pala serbe, tregoi qartas se pas largimit të vëzhguesve ndërkombëtarë të misionit të OSBE-së, sërish në Kosovë do të ketë luftë të përgjakshme e me përmasa edhe më të mëdha tragjike, por ndoshta askush nuk e kishte paramenduar një brutalitet të tillë, që kishte qëllim shfarosje e depërtim të shqiptarëve nga trojet e tyre. 

Më 16 mars, pas armëpushimit afro pesë mujor, nga tetori i vitit 1998, një batalion ushtarak serb me rreth 30 tanke, kundërajror e armatim tjetër, u vendos në kompleksin e fabrikës së municionit të gjuetis “Trepça” në Skenderaj, që ishte rreth një kilometër afër lagjes Jashari, dhe 2-3 kilometra larg lagjes Lushtaku e Kodra të Prekazit. Ishte ky një paralajmërim i keq, sepse nga pesë marsi i vitit 1998-të, ky kompleks ishte shndërruar në një kamp famëkeq për shqiptarët e Drenicës. Ardhja e këtyre forcave serbe këtu, ishte një ogur i keq, dhe i shqetësoi pa masë banorët e kësaj ane, veçmas ata të fshatrave të afërta si:Prekaz, Palac, Llaushë, Skenderaj e fshatra tjera. Banorët e këtyre fshatrave dhe disa të tjerave, në saje të përvojës së keqe të luftës së një viti më parë, filluan t’i lëshojnë vatrat e veta, për të gjetur strehim nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe në Skenderaj, me bindjen e një viti më parë, se qytetet edhe kësaj radhe mund të jenë më të qeta, më të sigurta dhe më të kursyera nga lufta. Pothuaj nuk kishte shtëpi në Skenderaj që nuk i kishte nga 10 e deri në 30 veta të zhvendosur, e shumë sish edhe e lëshonin Kosovën, duke ikur në Mal të Zi, Maqedoni e shtete tjera, por siç u pa më vonë, ata u zhgënjyen, sepse këtë radhë për serbët, të gjithë shqiptarët, si burrat, gratë, pleqtë e fëmijët, si ata të qytetit dhe të fshatrave,  ishin njësoj ”terroristë”, të cilët duhet vrarë dhe dëbuar nga vatrat e tyre. 

Më 18 mars 1999, nga Skenderaj përfundimisht u larguan të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së. Në popullatë edhe më tepër u shtua frika e shqetësimi, dhe se pritej vetëm momenti i sulmit. Njerëzit të sprovuar një vit më parë, që të gjithë kishin grumbulluar rezerva të konsiderueshme të ushqimeve. 

Sulm i ashpër dhe rezistencë e fuqishme e UÇK-së 

Mëngjesi i të shtunës së 20 marsit 1999, agoi me zhurmën e tankeve të ushtrisë serbe në kompleksin e fabrikës së municionit të gjuetisë ”Trepça”. Të gjithë banorët e Skenderajt, Prekazit, Llaushës, Klinës, dhe disa fshatrave të afërta, ishin zgjuar herët dhe vetëm prisnin se ç’do të ndodhte. Që të gjithë i kishte kapluar një shqetësim i madh, sepse u pa se sulmi serb ishte ndryshe nga ai i një viti me parë dhe se ata, me arrogancë të paparë, thyenin dyert dhe dritaret e shtëpive të qytetarëve që ndodheshin më afër rrugës dhe filluan t’i djegin ato. 

Rreth orës 7 të mëngjesit, filloi marshuta e tankeve serbe, sërish nga kompleksi i Fabrikës se municionit në Skenderaj, dhe në shënjestër ishte sërish Prekazi, pikërisht lagja e Lushtakëve e Kodrajve, të cilat deri atëherë çuditërisht, kishin shpëtuar nga djegia dhe shkatërrimi, për t’u përhapur më pas shumë shpejt në tërë Kosovën. Kjo pritej të bëhej këtu për shumë arsye. Ndër të parat ishte së këtu, më 28 nëntor 1998, në mënyrë madhështore dhe në prani të mbi 100 mijë qytetarëve nga shumë anë të Kosovës, u shënua ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, kurse më 6 mars 1999, u shënua njëvjetori i rënies së tij, pastaj këtu ndodhej çerdhja më e fuqishme e UÇK-së, nga këtu ishte komandanti i Zonës së Parë Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, komandanti i Brigadës 114 ”Fehmi Lladrofci” Ilaz Kodra, pastaj komandantë e luftëtarë tjerë të njohur, si Nuredin Lushtaku, Naim e Ilir Lushtaku, Fadil, Zenun e Naser Kodra e shumë luftëtarë të tjerë. 

Tankeve u paraprinin forca speciale të maskuara e të armatosura. Këta bënin pastrimin e terrenit dhe menjëherë pas tyre, tejet ngadalë, ecnin tanket, duke qëlluar në drejtim të Prekazit dhe të maleve përreth ku ndodheshin bazat e UÇK-së. Rreth 800 metra ata i kaluan për më shumë se një orë. Ne që ndodheshim brenda në shtëpitë tona, në afërsi të rrugës, kur pamë se plumbat po na i qëllojnë dritaret dhe muret e shtëpive, u shtrimë për dysheme dhe vetëm prisnim vdekjen. Në dalje të Skenderajt forcat okupatore serbe, duke dashur që këtë herë të mos përballen me këtë rezistencë, ndryshuan kahen dhe përmes një lugine të lagjes tre, i zunë pozicionet në një breg që çonte në drejtim të lagjes Lushtaku e Kodra në Prekaz të Poshtëm, dhe atë ditë nuk lëvizën më tej, pos që granatonin. Disa herë atë ditë është parë ndihma e shpejtë serbe të ketë lëvizur në drejtim të Skenderajt dhe anasjelltas, që do të thotë se ajo bartte ushtarë të vrarë e të plagosur serbë. 

Paramilitarët hynin nëpër shtëpi duke vrarë e dëbuar shqiptarë 

Rreth orës 8-30, forcat e njësisë speciale e paramilitare serbe, të veshur me rroba të bardha e maska të zeza, pasi që atë ditë kishte ca borë në Skenderaj, gjatë rrugëtimit për në Prekaz, morën një fushatë vrasjesh dhe spastrimi, fillimisht në lagjen një dhe dy të Skenderajt, nëpër një numër shtëpish që ndodheshin më afër stacionit të policisë. Ata ishin ndarë në dy grupe, njëri sish vepronte në lagjen një, e tjetri në atë dy. Banditët serbë hynin nëpër oborre, i thyenin dyert e dritaret dhe futeshin brenda. Disa të rinj nga frika, fshiheshin nëpër tavanet e shtëpive, sepse kishin dëgjuar se shumë veta kishin shpëtuar në këtë mënyrë. Me egërsinë më të madhe, ushtarët serbë u futën në shtëpinë e Jonuz Kallecit. Aty filluan t’i rrahin burrat, kurse gratë i frikësonin me thika në fyt të tregojnë se ku janë të fshehura armët, ju jeni UÇK, e të tjera. Burrave ua plaçkitën paratë që kishin e grave arin. Serbët marrin të zotin e shtëpisë-Jonuzin dhe e largojnë deri të dyert e oborrit, e pastaj sikur iu duk pak, u kthyen dhe i morrin edhe të birin e tij Xhavitin, kurse familjen e urdhëruan që të mos dalë jashtë. Në shtëpinë e Halim Thaçit, policët e ushtarët serbë, të maskuar, hynë duke shti në ajër, për ta shtuar tmerrin tek familjarët. Brutalisht i rrahin të gjithë, e pastaj i ndanë burrat nga gratë dhe i nxorën jashtë. Me vete ata marrin Nebih e Lavdim Vojvodën, djalin e vetëm të Salihut, mikun e shtëpisë Sadri Gashin nga Palluzha, arsimtar i gjeografisë, dhe ua humbin gjurmët. Çetnikët serbë hynë edhe në shtëpinë e Dibran Shalës, po me atë arrogancë e primitivizëm, duke sharë, fyer e rrahur. Kishte ditë që tek babai i vet ishte strehuar Sania me burrin Sabitin dhe me fëmijët nga Palaci. Këtu ndodheshin edhe shumë familje të tjera të ikura. Posa hynë dhe e panë Sabitin, profesor i gjuhës angleze në Shkollën e Mesme në Skënderaj, serbpt iu drejtuan: ”Qe ky terroristi”, e nxjerrin me gjithë Musli Shalën, 29-vjeçar, duke e rrahur e shqelmuar. Atyre u thonë se ju jeni të UÇK-së. Të gjitha gratë që ndodheshin aty, i ngujojnë në bodrum, pa ditur se kah i dërguan Sabitin e Musliun. Së fundit, banditët serbë shkuan në shtëpinë e Rexhep Gecit, me të njëjtën egërsi kontrolluan në çdo skutë të shtëpisë. Pasi na rrahën brutalisht të gjithëve njëherë, ata marrin djalin e tij Ramizin. Mos ma merrni djalin, u kishte thënë e ëma, ai s’ka bërë kurrgjë. E shtyjnë duke e rrëzuar e alivanosur për tokë, dhe dolën me Ramizin. Serbët ndër shtëpi kishin marrë edhe shumë të rinj tjerë dhe i dërgojnë në drejtim të pishave sipër Skenderajt. Pas pak kohësh janë dëgjuar rafalët e automatikëve dhe familjarëve ua kishte marrë mendja se i vranë që të gjithë. 

Për vrasjen e tyre familjarët kishin marrë vesh në mbrëmjen e asaj dite, kur përmes lajmeve serbe ishte publikuar se në Skenderaj janë kapur e vrarë 8 “terroristë” shqiptarë, duke ua përmendur edhe emrat, dhe se kufomat e tyre ndodheshin në morgun e spitalit në Mitrovicë. Pas dy ditësh familjarët kanë shkuar dhe i kanë tërhequr kufomat nga morgu dhe me ndihmën e disa banorëve të Mitrovicës, i fusin në arkivole dhe i dërgojnë në Xhami, me ç’rast imami ua kishte bërë ritët fetare, e pastaj i varrosëm në fshatin Shupkofc të Mitrovicës. 

Tmerr i paparë në lagjen dy, ku pasi i vranë, ua humbën edhe gjurmët 

Banditët serbë atë ditë, tmerrin më të madh e kishin shkaktuar në lagjen dy. Ata këtu vranë dhe zhdukën 14 veta. Në këtë lagje paramilitarët serbë të uniformuar e të maskuar, fillimisht hynë në shtëpinë e Isuf Gashit nga Kryshefci. Vajza e tij Flora, kujton se pasi i kanë rrahur të gjithë, e kanë nxjerrë jashtë babanë tim Isufin, vëllanë Brahimin 20 veç dhe Qamil Nezirin nga Likoshani 14 vjeçar. Ne na urdhëruan të qëndrojmë brenda, kurse nga dritarja kur shikonim tinëzisht nganjëherë, i kemi parë të shtrirë në oborr, por a ishin të vrarë nuk e dinim. Pas disa orësh, kur ata kanë shkuar, dolëm, por trupat e tyre nuk i gjetëm. As sot e asaj dite nuk dimë saktësisht se çka ka ndodhë me ta. Remzie Berisha thotë se në shtëpinë e Abaz Kajtazit ishin të strehuara disa familje. Posa erdhën ushtarët e maskuar, hynë brenda, na rrahen dhe të gjitha gratë e fëmijët i urdhëruan të dalin jashtë, kurse aty e ndalen burrin tim Agim Berishën si dhe Sejdi e Refki Zeçirin, vëllezër nga Vajniku. Nëna nga fshati është kthyer pas disa ditësh dhe i ka parë të pushkatuar. Nga trishtimi është larguar: “Më nuk dimë se ku i kanë dërguar kufomat e tyre.” 

“Tragjedia më e madhe kishte ndodhur në shtëpinë e Gani Azemit. Të gjithëve na detyruan të dalim jashtë, dhe na thanë shkoni për në Shqipëri, se këtu më s’kini vend. Këtu e ndaluan burrin tim Ganiun me dy djemtë, Shaipin (26) dhe Fatonin (22), si dhe Halim Ngucatin që ndodhëj këtu. Që nga ajo ditë më nuk dimë asgjë për ta. Në dhomën ku kanë qenë ata, kishte njolla të shumta gjaku. Ka shumë fjalë se ata ndodhen diku, por deri tash nuk ka asnjë gjurmë për ta, e ne jetojmë gjithnjë me shpresë se ndodhen diku”, tregon e shoqja e Ganiut-Sadia. Nëpër shtëpitë e kësaj lagjeje, banditët serbë përzunë nga shtëpitë e tyre pothuaj të gjitha familjet dhe vargu i tyre që shkonin në drejtim të fshatit Llaushë, ishte shumë i madh. Në shtëpinë e Hasan Mustafës serbët vranë të birin e tij Veliun, kufoma e të cilit 10 ditë mbeti pa u varrosur. Duke u larguar nga shtëpia, një plumb snajper e ka qëlluar e vrarë Milazim Rexhën(27) nga Kopiliqi. Në shtëpinë e Zymer Imerit, tregon Zoja Sylejmani nga Abria, ishte strehuar familja jonë. Serbët hynë këtu me egërsinë më të madhe që kishin, na rrahën dhe na plaçkiten krejt çka kishim, e pastaj e morën burrin tim, Xhavit Sylejmanin, i cili edhe ky pas 10 ditësh është groposur, dhe është varros pas luftës. Në shtëpinë e tij është vrarë Ilaz Oruqi nga Rezalla, të cilin e ka groposur babai i vet para derës së shtëpisë, për të mos ia marrë serbët kufomën. Pasi na i thyen dyert e dritaret dhe hynë brenda, tregon Shehide Kamberi, burrin tim e shtrinë për tokë, kurse ne na larguan. Unë nuk doja të ndahesha nga burri im Idrizi, dhe pasi e çitën në rrugë, nga një shtëpi aty afër është qëlluar me një plumb. Kur iu ofrova, ai ishte duke dhënë shpirt. Tëra këto pamje makabre, tregon kjo, serbët i incizonin me kamerë. Unë doja ta merrja kufomën, por ata më larguan me dhunë duke më rrahur. Me fëmijët e mi atëherë na zhvendosën, duke na dëbuar në drejtim të Llaushës, për t’u shpërndarë në fshatra tjera, ku ishin dhjetëra mijëra veta. 

Ushtria serbe kishte arrestuar mbi 300 veta

Banditët serbë, pasi kishin ushtruar krime në lagjen një dhe dy, aty rreth orës 10 të datës 20 mars, morën një fushatë edhe në lagjen tre, por kësaj radhe jo me vrasje, por me arrestime e zhvendosje të popullatës, si dhe me djegie të shtëpive. Së pari, forcat kriminele serbe kishin depërtuar nëpër disa shtëpi të kësaj lagjeje, që ndodheshin në afërsi të Fabrikës së Municionit. Nga dritarja pashë se tanket e ushtrisë serbe nëpër asfalt u drejtuan dhe u nisën në drejtim të Prekazit, ku edhe dëgjoheshin luftime të ashpra. Pashë se i madh e i vogël dilnin nga shtëpitë. Pastaj vërejta se ushtria e policia serbe shtëpi më shtëpi i nxirrte edhe ata që kishin mbetur. I bëmë gati disa rroba, i futëm ne një strajcë dhe me tërë familjen dolëm në rrugë, ku ndodheshin rreth 10 mijë veta. Atje ua kishin zënë priten disa ushtarë e policë. Me ta ballafaqohej Mulla Jetullah Xani. I vetëdijshëm se s’kisha kah t’ia mbaja, iu thashë disave që të vijnë pas meje, dhe me qindra gra, burra e fëmijë, kaluam përmes një vigu mbi lumin “Klina” dhe u nisëm në drejtim të fshatit Llaushë, ku atë ditë atje nuk kishin arritur luftimet. Plumbat na fishkëllonin mbi kokë e tek këmbët dhe vetëm shikonim se kush do të mbetej i vrarë, por për fat që të gjithë shpëtuam. 

Fshatarët gjithnjë në nivelin e solidaritetit

Posa depërtuam në fshatin Llaushë, ku ndodheshin mijëra të ikur, shumë fshatarë me vetura, kamionë e traktorë i bartnin gjithë të ikurit dhe i strehonin nëpër shtëpitë e tyre. Ndihmesë të madhe në këtë drejtim dhanë banorët e fshatrave Turiqefc, Burojë, kopiliq, Rakinicë, Tushilë e fshatra tjera. 

Hordhite serbe në lagjen tre atë ditë, kishin hyrë që më parë shtëpi më shtëpi, kishin thyer e demoluar çdo gjë, gjoja për të kërkuar armë, si dhe kishin plaçkitur gjërat me vlerë. Meshkujt i kishin ndarë nga gratë dhe fëmijët. Pamjet ishin shumë trishtuese. Fëmijët, gratë e vajzat qanin sa mundnin, duke iu lutur xhelatëve serbë që mos t’ua marrin prindërit. Shumë gra, tregon pastaj se ato kanë takuar edhe ushtarë të mirë, që nuk u kanë bërë asnjë të keqe, se atyre u rridhnin lotët nga faqet kur i shihnin këto skena trishtuese, por nuk guxonin të ndërmerrnin asgjë. Ashtu të rreshtuar, vazhdon rrëfimin Xhevat Shala, na dërguan në qendrën e qytetit në Skenderaj. Na shanin e na fyenin, na rrihnin e na shqelmonin cilido që mundej më shumë, e pastaj na mbështetën me fytyrë kah muri dhe gjoja na kontrollonin mos kemi ndonjë armë, duke na i marrë të gjitha paratë që kishim nëpër xhepa. “Vetëm nëse ndonjë lëviz, apo tenton për të ikur, të gjithëve do t’ju pushkatojmë”, thoshin ushtarët serbë. Ashtu të rreshtuar, na dërguan pranë stacionit të policisë. Disa i dërguan në Mitrovicë, e disa i ndaluan këtu, sepse atje s’kishte vend më shumë. Tërë natën na detyruan të rrimë në gjunjë në dysheme e beton. Ata vinin me ndërrime dhe secili në mënyrën e vet na shante, na fyente e rrihte. Na pyesnin se a jemi ushtarë të UÇK-se, ne e dimë çdo gjë, thoshin se për secilin i kemi shënimet, por më mirë tregoni vetë. Kur thoshim se nuk po i njohim personat në fotografi që na i sillnin, ata sërish na rrihnin kinse ne po gënjenim. Tërë natën na detyruan të qëndrojmë ashtu, deri në mëngjes, me kamionë na dërgonin në sigurimin shtetëror në Mitrovicë. Atje na priste Moma Peleviç, shef i sigurimit serb, me disa të tjerë. Edhe atje qëndruam një natë nën tortura. Më i zëshmi ishte Moma Peleviç nga Skenderaj. Disa i lironin më shpejt, e disa i mbajtën edhe tri katër ditë. Kur na liruan, ishim aq të molisur, sa që nuk mund të orientoheshim. Në këtë gjendje mezi arritëm të shkonim te disa të njohur e të panjohur në Mitrovicë, të cilët na strehuan, na ushqyen e na e bënë të mundshme të pastrohemi nga gjaku e të pushojmë, edhe pse çdo shtëpi ishte pothuaj përplot me të ikur. 

Thoni se jeni me Serbi, nëse dëshironi t’ju shpëtojnë kokat

 Pasi i ndanë burrat nga gratë e i dërguan për në Skënderaj, asnjë nuk shpresonim se ata do të kthehen të gjallë, thoshte Fazile Shala. Ushtria ishte në rrugë deri në mbrëmje. Herë na thoshin shkoni në drejtim të Palacit, e herë na kthenin mbrapshtë e na dërgonin deri në Skënderaj. Sipër nesh fishkëllonin plumbat dhe lufta përreth bëhej shumë e ashpër. Mendonim se ç’do të ndodhë me ne, pasi që kishim mbetur vetëm, pa meshkuj e me disa pleq. Rreth mbrëmjes erdhi një oficer serb e na tha:”Nëse doni të shpëtoni duhet të deklaroheni se jeni me Serbi”. Oficeri serb na urdhëroj që serish të nesërmen, në orën 12, të dalim në rrugë e të deklarohemi, sepse vjen kamera e televizionit serb dhe iu xhiron. 

Forcat serbe nuk mund të ecnin përpara

Atë ditë forcat okupatore serbe, në ofensivën që kishin marrë për në fshatin Prekaz, nuk mundën të ecnin përpara as një kilometër, për shkak të rezistencës së fuqishme që iu bëhej atyre nga shumë anë prej luftëtarëve të Prekazit. Ata u pozicionuan sipër lagjes tre të Skenderajt, dhe nga aty granatonin në lagjen e Lushtakëve e të Kodrajve. Përreth ishin forcat e UÇK-së të Brigadës 113, të cilët nga llogoret e tyre me armë të ndryshme qëllonin mbi ta. Granatimet mbi këto dy lagje zgjatën tërë ditën e 20 marsit, për të vazhduar edhe ditëve tjera, kurse luftëtarët e Prekazit, të prirë nga Sami, Naim e Nuredin Lushtaku, Ilaz, Zenun, Fadil Kodra e të tjerë, u pa se nuk do të mposhten lehtë. 

Rezistenca e luftëtarëve nuk shuhej as nën granatimet e pareshtura

Lufta kishte filluar të zgjerohej në tërë Drenicën. Dukej se agresiviteti serb do të jetë i pamëshirshëm dhe me përmasa shfarosëse. Deri në momentin e fundit luftëtarët nuk tërhiqeshin nga pozicionet. 

Ditën e dytë të sulmit të ushtrisë serbe mbi Prekaz, e përcolla pothuaj gjatë tërë ditës nga bregu i fshatit Kryshefc, dhe shihja mirë atë që ngjante. Forcat serbe nuk guxonin ta bënin asnjë hap larg tankeve, sepse i qëllonin plumbat nga shumë anë ku ndodheshin pozicionet e UÇK-së. Nuk këndohej më kënga e një viti më parë, kur brutaliteti serb ishte ne një shkallë më të vogël, kurse armatimi i shqiptarëve më i pakët. Forcat armike serbe, hap pas hapi, duke granatuar mbi këto dy lagje të Prekazit, provonin të ofroheshin dhe të depërtonin në to dhe pas dy ditë të plota luftimesh e granatimesh të pandërprera. Në mbrëmjen e dytë të luftimeve, forcat serbe hynë edhe në Palac, në lagjen e Xanëve dhe u stacionuan në udhëkryqin shumë të rëndësishëm Palac-Dashefc-Prellofc. 

Nga i tërë ky shikim, më mbeti merak që nuk kisha telefon për ta bërë ndonjë raport për Radio Televizionin e Tiranës apo për Dojçe Velen. Telefonat që ishin dedikuar për informim, i mbanin disa komandantë, që tregonte se edhe përkundër dëshirës së madhe për liri, një pjesë e bartësve të luftës sikur nuk e kuptonin rëndësinë e informimit. 

Bënim fotografime t’i kemi për kujtim kushdo që të shpëtojë

Pasi në mbrëmjen e 20 marsit pushuan granatimet serbe, ne me shokët dhe luftëtarët që ndodheshim aty, u takuam së bashku, tregonte Sami Lushtaku, komandant i Zonës Operative të Drenicës. E kemi marrë një kamerë dhe një aparat për t’u fotografuar, sepse nuk dihej kush po shpëtonte e kush jo, dhe ai që do të mbetej i gjallë, t’i ketë këto fotografi për kujtim. Aty ishte edhe Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114 ”Fehmi Ladrofci”, Nuredin Lushtaku, komandant i një batalioni të kësaj Brigade, Ilir Lushtaku, komandant toge, Naim Lushtaku e disa luftëtarë të tjerë. Ndër vashat e vetme luftëtare që nuk na u nda kurrë, as në çastet më të rënda, ishte Myrvete Hasani. U morëm vesh që një numër luftëtarësh më të rinj të largoheshin atë natë nga fshati, e të qëndronim vetëm disa si më të rryer, sepse llogaritnim se edhe mund të vriteshim. Ne që mbetëm, vendosëm që edhe të nesërmen ta vazhdojmë luftën. Para mëngjesit disa luftëtarë dolën nga fshati dhe shkuan në drejtim të Kryshefcit e Rezallës, ku ende nuk kishte luftime, kurse ata që mbetëm, i zumë pozicionet. Rreth orës 7 të datës 21 mars, sërish filluan granatimet, ato ishin shumë të fuqishme dhe e qëllonin pothuaj çdo shtëpi radhazi. 

Tanket e ushtrisë serbe ishin ofruar rreth mbrëmjes deri ne njëqind metra në afërsi të fshatit. Nga kodra e Deviçit, prej ku i përcillja këto ngjarje, vërejta se ende aty ndodheshin luftëtarët e UÇK-së, sepse i dalloja krismat e dyanshme, por ajo që më habiste së tepërmi, ishte se si ishte e mundur të qëndrojë njeriu në atë tym e flakë. Edhe më parë, por edhe aty pash se sa e madhe është sakrifica e luftëtarëve për të qëndruar në vatrën dhe tokën e vet për të luftuar për lirinë e atdheut. U binda se kur njerëzit vendosin të luftojnë për liri, s’ka dyshim se një ditë ajo mund të fitohet me çdo kusht. 

Sulmi më i fuqishëm ishte rreth mbrëmjes, tregonin Ilaz Kodra e Naim Lushtaku. Nga të shtënat e fuqishme, ne nuk e dinim se ishte duke u sulmuar edhe Palaci, Prekazi i Epërm, Mikushnica dhe fshatra tjera përreth. Neve në çdo çast po na ngushtohej rrethi. Ishte rreth orës 17 e mbrëmjes. Në radiolidhje na thërrisnin pandërprerë pjesëtarët e njësisë speciale ”Adem Jashari” të UÇK-së dhe ata na thoshin të tërhiqeshim sa më parë, sepse gjithnjë e më shumë po ngushtohej rrethi. Më në fund Samiu na ftoi të tërhiqeshim nga ato pozicione e skuta që i kishim zënë. Të fundit që dolën nga fshati, tregonte Naimi, isha unë, Samiu, Nuredini e Iliri dhe Myrvete Hasani, e cila deri në fund e përballoi luftën po aq sa ne, si dhe Ilaz Fadil e Hasan Kodra. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat