A duhet ta festojmë pavarësinë sot, të cilën nuk e kemi arritur ende?

Opinione

A duhet ta festojmë pavarësinë sot, të cilën nuk e kemi arritur ende?

Nga: Xhavit KRYEZIU Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 10:03
Xhavit Kryeziu

Sot është ditë e veçantë për Kosovën. 13 vite më parë, në Prishtinë, Kosova u shpallë "shtet i pavarur dhe demokratik". Unë, asnjëherë gjer më sot, nuk kam arritur ta kuptoj nëse mospërfshirja edhe e termit “sovranitet” ka qenë lëshim i rastësishëm apo planifikim i paramenduar me kujdes! Dyshimet për mungesën ndoshta të qëllimshme edhe të termit "sovran" në "shtetin e pavarur dhe demokratik", ndoshta më së miri mund të kuptohen duke parë realitetin e sotëm në veriun e Kosovës.

Përveç politikanëve të korruptuar, të cilët duket janë vetëverbuar nga paratë, abuzimi dhe përvetësimi i paturpshëm i pasurisë së popullit të Kosovës, të gjithë të tjerët, madje edhe fëmijët e kanë të qartë se në veriun e Kosovës, nuk ka as pavarësi, as sovranitet të Republikës së Kosovës. Në veriun e vendit tonë, por edhe në të gjitha vendbanimet tjera ku jetojnë serbët, sundojnë ligjet dhe institucionet e shtetit serb. Atje valon flamuri serb, e jo ai i Kosovës; valutë këmbimi është dinari serb, e jo euroja e Kosovës; shkollat punojnë sipas sistemit dhe planprogrameve të Serbisë, e jo me ato të Kosovës; në të shumtën e rasteve mbishkrimet janë vetëm në gjuhën serbe dhe ato janë krahas emblemës së shtetit të Serbisë, e jo të Kosovës; vendkalimet "kufitare", siç e quajmë ne shqiptarët apo vendkalimet "administrative", siç e quajnë serbët, më shumë i ngjajnë pikëkontrollve të policisë, sesa vendkalimeve ndërshtetërore. Si mund të jenë “kufitare” vendkalimet me Serbinë përderisa aty mungojnë simbolet e shtetit të Kosovës?! Kudo në botë, në vendkalimet ndërshtetërore valojnë flamujt e shteteve respektive. Kosova e ka vënë flamurin e vet shtetëror përballë vendkalimeve me Shqipërinë. Pse nuk e bën këtë edhe përballë Serbisë?

Për çfarë duhet të festojmë sot, më 17 Shkurt?

Edhe pas 13 vitesh nga shpallja e pavarësisë, duket se Kosova është gjithçka, por jo edhe e pavarur! 22 vite nga lufta (të cilën të huajt po e quajnë “konflikt”!) që nuk janë pak, dhe 13 vite nga shpallja e pavarësisë, të cilat po ashtu nuk janë pak, Republika e Kosovës nuk po funksionon si shtet. Ne mund të flasim vetëm fjalë të mira, por realiteti është tjetër.

Është më se absurde që për më shumë se dy dekada nga dëbimi i ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova, dhe për 13 vite nga shpallja e pavarësisë, Kosova edhe më tej nuk po inkurajohet,. Siç po thonë ndërkombëtarët, por po detyrohet të bisedojë me Serbinë. Për më shumë, vendi ynë po shtrëngohet që t’i bëjë lëshime të njëpasnjëshme Serbisë, dhe atë në dëm të shtetësisë së saj, edhe pse Serbia qartazi vazhdon të deklarohet se ajo nuk do ta njehë shtetin e Kosovës kurrë!

Kombi Shqiptar i Kosovës, i cili përbën shumicën absolute dhe homogjene të popullsisë së Kosovës (mbi 95%), është detyruar të heq dorë edhe nga flamuri i vet shekullor, edhe nga përkatësia e tij kombëtare, vetëm e vetëm pasi ndërkombëtarët kishin premtuar njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe pranimin e Republikës së Kosovës në të gjitha institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe anëtarësimin në OKB.

Mirëpo, kështu nuk ndodhi kurrë, apo të paktën gjer më sot. Serbia vazhdon të mos e njehë Republikën e Kosovës. Të tillë nuk e njeh as Bashkimi Evropian. Madje, as shumica e vendeve anëtare të BE-së të cilat zyrtarisht e kanë njohur Kosovën, nuk e trajtojnë atë si shtet., Gjithashtu, Kosova nuk u pranuar as në OKB, përkundër “garancive” të forta të ndërkombëtareve.

Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare edhe më tej vazhdon t’i bëjë presione të forta Kosovës për të zhvilluar bisedime të pafundme me Serbinë. Për më keq, Kosova po detyrohet të bëjë lëshime të dëmshme për shtetësinë e saj, përderisa Serbia vazhdon të përkëdhelet dhe të përfitojë në arenën ndërkombëtare. Sot jemi të dëshmitarë të asaj se Evropa vazhdon ta mbajë të izoluar vetëm Kosovën, duke ia mohuar vetëm popullit shqiptar të Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë, përderisa Serbia që moti e ka harruar liberalizimin e vizave. Serbët e Kosovës lëvizin të lirë nëpër Evropë e më gjerë me pasaporta të Serbisë sepse bashkësia ndërkombëtare atyre ua ka mundësuar marrjen e dyshtetësisë, gjegjësisht marrjen e pasaportave të Serbisë. Ndërkaq, një gjë e tillë u mohohet edhe shqiptarëve të Kosovës. Është po kjo bashkësi ndërkombëtare e cila nuk lejon Shqipërinë që edhe shqiptarët e Kosovës të pajis me dyshtetësi dhe me pasaporta të Shqipërisë. A nuk është ky standard i dyfishtë i Evropës?!

Mospërmbushja gjoja e standardeve të kërkuara për liberalizimin e vizave për Kosovën janë puro pallavra dhe arsyetim i bazuar në gënjeshtra i Evropës. Duhet ta kuptojmë dhe ta themi qartë se qëndrimi i Evropës ndaj shqiptarëve të Kosovës është qëndrim racist, dhe asgjë tjetër.

Ku është sot Republika e Kosovës në përvjetorin e 13-të e shtetësisë së saj?

Ushtria, policia dhe paramilitarët e shtetit të Serbisë, të cilët Kosovën e bënë zjarr e hi, dhe kanë shkaktuar masakra të pashembullta për botën e civilizuar ndaj shqiptarëve të pambrojtur e duarthatë, duket qartë se janë rehabilituar po nga e njëjta bashkësi ndërkombëtare. Në vend se kriminelët serbë të ishin në burgje, ata lëvizin të lirë jo vetëm në Serbi, por kudo në botë. Në vend se të tyre në burg po mbahen çlirimtarët e Kosovës.

Sot, në burgjet e Hagës vazhdojnë të mbahen padrejtësisht ish-krerët e UÇK-së. Për veprat e paligjshme, të cilat ata mund t’i kenë kryer pas luftës, siç mund të jenë korrupsioni, pasurimi i paligjshëm, uzurpimi i pronave publike apo kryerja e çfarëdo vepre të faktuar kriminale, ata duhet të gjykohen dhe dënohen nga drejtësia kosovare, e jo të trajtohen si kriminelë lufte dhe të mbahen në burgjet e Hagës. ATA NUK JANË KRIMINELË LUFTE, POR ÇLIRIMTAË QË KANË LUFTUAR PËR VENDIN E TYRE! Zatën, mbajtja në burgjet e Hagës e ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësia më e madhe që i bëhet luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës për çlirim nga okupatori serb. Gjykimi i krerëve të UÇK-së është gjykim i luftës së shqiptarëve për lirinë e Kosovës; gjykimi i UÇK-së është gjykimi i pavarësisë së Kosovës!

Së këndejmi, Gjykata njënacionle Speciale e Kosovës, të cilën e formuan vetë shumica e atyre që sot gjenden në Hagë, është padrejtësia më e madhe që i është bërë dhe po i bëhet Kosovës dhe popullit të saj shqiptar. Gjykimi i krerëve të UÇK-së dyshoj se ka vënë në pazar edhe pavarësinë e Kosovës, sado që për këtë ndërkombëtarët vazhdojnë të na japin “garanci” të forta. Në njërën anë, presionet e pareshtura të bashkësisë ndërkombëtare ndaj krerëve të Kosovës për formimin e njëfarë lloji të “Republikës Srpska”, me apo pa kompetenca ekzekutive, apo të “korrigjimit të kufijve” prapa të cilëve qëndrojnë edhe ata, dhe në anën tjetër presioni jokombëngulës i tyre për Serbisë për ta njohur Kosovën, janë shenja të qarta se për Kosovën është duke u përgatitur diçka jo e mirë.

Prandaj, sot në 13-vjetorin e shpalljes së Republikës së Kosovës, liderët shqiptarë duhet të ndalen se ngrëni njëri-tjetrin. Ata duhet të bashkohen si kurrë më parë, pozitë e opozitë, dhe t’i dalin zot të drejtës së Kosovës dhe kombit të saj shqiptar. Vetëm duke qenë të bashkuar dhe duke punuar për të mirën e Kosovës, ne e përmbushim amanetin dhe qëllimin e bijve dhe bijave tona më të mira, të cilët kanë dhënë jetën për këtë ditë ku jemi sot. Kushti i parë dhe këmbëngulës që duhet t’i vihet Serbisë për të vazhduar dialogun duhet të jetë njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia. Të tjerat vijnë vetë!

Prandaj, sot më pak duhet të festojmë e më shumë të mendojmë që ta arrijmë atë që ende nuk e kemi siguruar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat