Konfiskohen gjashtë transportues me masë drunore ilegale në Prishtinë

Prishtina

Konfiskohen gjashtë transportues me masë drunore ilegale në Prishtinë

Më: 2 korrik 2016 Në ora: 11:29
Pamje nga vendi i ngjarjes

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës kanë ndërmarrë një aksion të gjerë veprimi me qëllim të parandalimit të prerjeve ilegale të pyjeve, si dhe evidentimin e dëmtuesve, të cilët në mënyre të kundërligjshme shfrytëzojnë dhe qarkullojnë prodhimet pyjore pa lejen e Autoritetit Pyjor Komunal.

Aksioni është zhvilluar në tri lokalitete të kryeqytetit, tek rreth-rrotullimi afër Ministrisë së Forcës së Sigurisë, në hyrje të fshatit Hajvali dhe në lagjen Tokbashqe, ku janë konfiskuar gjashtë automjete transportuese me masë drunore ilegale.

Udhëheqësi i sektorit të pylltarisë në kuadër të Drejtorisë së Inspeksionit në komunën e Prishtinë, Arben Krasniqi tha se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve në territorin e komunës së Prishtinës, Inspektorati për pylltari i kësaj komune në bashkëpunim me Agjencinë Pyjore të Kosovë kanë marrë aksionin për konfiskimin dhe evidentimin e parregullsive të cilat janë duke u zhvilluar me sasi dhe masë drusore, e cila po qarkullon rrugëve të Prishtinës.

Krasniqi: Kemi sekuestruar masën drusore ilegale pa dokumentacion

“Kemi identifikuar një sërë objektivash të cilat kanë qenë një masë e konsiderueshme drusore, duke qarkulluar në mënyrë ilegale pa dokumentacion përkatës dhe si organe kompetent kemi ndërmarrë masat konkrete për sekuestrimin e përkohshëm të masës drusore dhe automjeteve të cilat do të qëndrojnë në mbajtje deri në një vendim të plotë fuqishëm të organeve gjyqësore... Inspektorët kanë iniciuar edhe procedurat gjyqësore në raste konkrete, kemi të bëjmë për kundërvajtje, janë iniciuar procedurat”, tha Krasniqi gjatë aksionit.

Ai ka apeluar te popullata që bashkëpunojnë me organet komunale të komunës së Prishtinës që të ketë mundësi që bashkërisht të evitohen të gjitha dukuritë negative.
Kurse, drejtori qendror i Inspektoratit për Pylltari në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, Besim Zogaj tha se prej gjashtë automjeteve që janë konfiskuar, janë diku 20 deri 25 metra-kub dru të sekuestruara. Sipas tij, masa drunore ka rezultuar që të jetë e pa pajisur me këto dokumentacione dhe proceduar që kërkohen në bazë të ligjit.

Zogaj: Do të vazhdojmë me aksione të tilla

“Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar më shumë se gjashtë mjete transportuese masë drunore ilegale, ky është një mesazh për të gjithë prerësit ilegal , për të gjithë dëmtuesit e natyrës dhe ambientit se ne si institucione do të vazhdojmë me aksione të tilla do të jenë edhe më të fuqishme në mënyrë që të ndalojmë dhe parandalojmë degradimin e pyjeve, njëkohësisht edhe një mesazh edhe për komunat tjera...Një aksion i tillë i organizuar me komunën e Prishtinës ka rrjedhë pa as një problem dhe çdo punë është kryer ashtu siç është planifikuar”, deklaroi Zogu.

Ai ka siguruar komunën e Prishtinës se do të jenë gjithmonë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe t’i ofrojnë ndihmën komunës së Prishtinës për zbatimin e legjislacionit.

Nga tregtarët masës drunore që dyshohet se kanë bërë vepër kundërvajtjeje pati reagime ndaj ekipit të Kp për mos xhirim dhe për mos shkarkimin e masës drunore, por aksioni ishte i asistuar edhe nga policia e Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat