Zbardhet letra e Bashës për Presidentin e Gjykatës së Strasburgut, ja çfarë shkruhet në të

Shqipëria

Zbardhet letra e Bashës për Presidentin e Gjykatës së Strasburgut, ja çfarë shkruhet në të

Më: 19 qershor 2016 Në ora: 09:52
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër me 7 qershor Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z.Guido Raimondi, duke ngritur shqetësimin mbi deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në Parlament, se sipas tij ai ka arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë shqiptare.

Basha i bën të ditur z.Raimondi se këto qëndrime të Ramës janë mbajtur në Parlament, pas takimit që kanë patur me të me 9 maj në Strasburg, dy prej ministrave të qeverise shqiptare.

Kreu i opozitës shprehet se kjo deklaratë e kryeministrit përbën një ndërhyrje të hapur përpara vendimit të Gjykatës tonë Kushtetuese në lidhje me ligjin e ri të pronave. Kryedemokrati Basha ngre shqetësimin se ky qëndrim i kreut të qeverisë bëhet për ti ushtruar presion Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në opinionin publik shqiptar.

Në letër Basha nënvizon se në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe rregullat e Gjykatës, nuk parashikohet asnjë rast që njëra prej palëve të arrijë marrëveshje të mundshme me Gjykatën në favor të saj, përpara shqyrtimit të çështjes.

Basha e siguron z.Raimondi se nuk kërkon ta bëjë Gjykatën e Strasburgut pjesë të debatit të brendshëm politik, dhe shpreh besimin e palëkundur në paanshmërinë e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut dhe në shqyrtimin e pavarur e profesional të çështjeve prej saj.

Letra e zotit Basha është pjesë e qëndrimeve dhe strategjisë së Partisë Demokratike për t`ju kundërvënë presionit dhe ndërhyrjeve të qeverisë Rama ndaj gjykatave në vend përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe për shpalljen anti-kushtetuese të ligjit të ri për kompensimin e pronarëve, ligj që Basha dhe PD e kanë pagëzuar si Ligji i Shpronësimit të dytë të pronarëve.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat