“Ju treguam kufomën e gabuar, nëna juaj nuk ka vdekur”

Ndryshe

“Ju treguam kufomën e gabuar, nëna juaj nuk ka vdekur”

Më: 5 tetor 2015 Në ora: 18:29

Një grua i dha lamtumirën së ëmës me një puthje, pasi stafi i spitalit e deklaroi të vdekur gruan e moshuar. Por shtatë orë më vonë, stafi i spitalit i telefonoi vajzës dhe i tha se i kishte treguar kufomën e gabuar. Liz Page, 61 vjeçe, dhe i shoqi Gerry, 72 vjeç, thanë se në ato momente ndienin gëzim dhe indinjatë njëherësh.

“Nuk mund ta besoja. Isha e inatosur dhe e gëzuar njëkohësisht. Ata na thanë: Na vjen shumë keq që ju kemi keqinformuar, por nëna juaj nuk ka vdekur. Ajo është zhvendosur në një pavijon tjetër dhe është mirë. Gruaja e vdekur kishte një emër të ngjashëm dhe kjo na ngatërroi”.

Pacientja 94-vjeçare ishte shtruar në spital pas një hemorragjie cerebrale. Vajza dhe i shoqi e kishin kaluar natën pranë saj, ndërsa të nesërmen ishin kthyer në shtëpi, pasi gruaja e moshuar ishte nën kujdesin e stafit.

Liz është zgjuar natën dhe meraku për të ëmën e ka shtyrë t’i bëjë një telefonatë spitalit. Infermieret e kanë njoftuar për vdekjen e nënës dhe ajo ka vrapuar menjëherë në spital.

“Një infermiere më çoi te ajo. Qëndrova vetëm 3 minuta. I thashë lamtumirë dhe e putha në ballë. Më pas dola”, tregon e bija.

“E di që tingëllon qesharake të mos e kuptosh se ke të bësh me trupin e dikujt tjetër. Por kur të thonë se nëna të ka vdekur dhe të çojnë në dhomë, ty nuk të shkon mendja se mund të mos jetë ajo”, thotë gruaja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat