Kërcimi nuk njeh moshë, kërcimtaret e moshuara të Buenos Aires

Ndryshe

Kërcimi nuk njeh moshë, kërcimtaret e moshuara të Buenos Aires

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 18:52

Për 20 vjet, anëtarë të Ballet40/90 kanë argëtuar audiencat në kryeqytetin e Argjentinës, duke rizbuluar një pasion të cilin shumë besonin se ato nuk kishin më moshë.

Shumë vajza ëndërrojnë të bëhen kërcimtare kur të rriten. Në realitet, pak bëhen. Por në Argjentinë, disa e përmbushin këtë ëndërr kur janë goxha të rritura, në fakt, kur janë nga mosha 40 deri në 90 vjeç.

Personi që e mundësoi këtë ishte Elsa Agras, një mësuese kërcimi dhe e arteve të performacës. Në vitin 1995, kur Agras ishte 70 vjeç, ajo vendosi t’u mësojë grave të moshës së saj si të kërcenin.

“E dobët, e shëndoshë, e gjatë, e shkurtër, e re, jo shumë e re: ne të gjitha jemi yje!”, thoshte ajo.

Fillimisht, grupi i saj Ballet 40/90 kishte vetëm dy anëtare. Tani ato janë 54 gra që performojnë çdo javë në një teatër në qendër të Buenos Aires, vetëm disa blloqe larg nga Kongresi Kombëtar i Argjentinës. Më e reja është 52 vjeç ndërsa më pak e reja 85.

Ato janë amvisa, gjyshe, avokate, pensioniste. Por ato janë gjithashtu kërcimtare. Ndonjëherë gjuri i dhemb. Disa prej tyre vuajnë nga migrena. Por sapo hipin në skenë, dhimbja u largohet.

“Kur jam në skenë, ndihem një grua tjetër”, thotë Maria Pagliano, 77 vjeç. “Është lavdi e pastër”.

“Kam qenë një kërcimtare e frustruar. Kur isha një vajzë, kërcimtarët nuk kishin reputacion të mirë. Nuk më lejohej të kërceja. Ky grup dhe kërcimi, më kanë rikthyer në jetë”.

Cristina Sobrero, 62 vjeç ishte gjithashtu një kërcimtare e shtypur që punonte si avokate.

“Mendoja dikur se e kisha humbur mundësinë. Nëse nuk munda të bëhesha një kërcimtare kur isha një vajzë, atëherë nuk do të kisha shans tjetër. Unë po kërkoja diçka ku të ndihesha e pasionuar për vite, derisa gjeta këtë”, thotë Sobrero.

Agras vdiq vitin e shkuar në moshën 90-vjeçare. Ishte një humbje e madhe për grupin, por rruga drejt kërcimit duhet të vazhdojë dhe tani koreografinë dhe kërcimin e mbart si detyrë Gabi Golberg.

“Elsa realizoi ëndrrën e tyre dhe ato vendosën të mos e lënë t’ju ikë nga duart”, thotë ajo.

Pavarësisht emrit, grupi nuk fokusohet te kërcimi klasik. Bën lloje të ndryshme kërcimi që variojnë nga folku te tango. Programi, që zgjat për dy orë, është një lloj komedie muzikore ku përfshihen skeçe, këndim, por mbi të gjitha kërcimi me veshje shumëngjyrëshe.

Është produkt i punës që zgjat prej muajsh. Grupi fillon në mars dhe stërvitet dy ose tri herë në javë mbrëmjeve. Mes gushtit dhe nëntorit, programi është çdo të premte dhe e gjithë dita u dedikohet provave dhe përgatitjeve.

Ballet 40/90 reklamon programin në qendra për të moshuarit e dalë në pension dhe të premten shkon në klube për të moshuarit.

Teatri është plot me anëtarë të familjeve, përfshirë mbesa dhe nipër krenarë, si dhe të moshuar të tjerë. Energjia është e lartë teksa zonjat, të veshura mirë përshëndesin audiencën dhe ulen nëpër vende.

“Është një festë”, thotë Dario Doria, një regjisor dokumentari që e ka filluar grupin për një vit e gjysmë. Produkti final Elsa dhe Baleti i Saj doli për publikun në vitin 2011. “Është ekzemplar! Këto gra donin të kërcenin dhe tani e bëjnë këtë gjë. Ato janë një shembull për mënyrën si të jesh gjallë”.

Sipas Doria-s, programi është unik, sepse e gjitha është e organizuar nga një grup të moshuarish dhe ka një vazhdimësi prej dy dekadash. Ai thotë se ka zgjatur, sepse çdokush e merr seriozisht dhe jo thjesht si një hobi.

Cecilia Scardamaglia, 57 vjeç, bie dakord për seriozitetin që i kushtojnë programit dhe kërcimit. “Ne nuk jemi amatorë”, thekson ajo. “Ne nuk nxjerrim jetesën prej kësaj, por ne jemi një grup profesional, që stërvitet seriozisht dhe që bën një program çdo vit”.

Scardamaglia, e cila u bashkua me kërcimin në vitin 2001, është një figurë kyçe. Kur Agras nuk mund të performonte më hapat, ajo u bë asistentja e saj në demonstrimin e lëvizjeve që Agras i bënte me dorë.

“Nuk ka negocim këtu. Nëse nuk punon fort, nuk na bashkohesh”, thotë Scardamaglia.

Programi ka koreografi dhe kostume precize, të cilat i ka stiluar vetë Agras. Nuk ka turp: shfaqen këmbë dhe ka lëvizje flirtuese ndonjëherë.

“Elsa na mësoi se nuk duhet të shohim kurrë dyshemenë, sepse është gjë e keqe në skenë dhe në jetë”, thotë Zulma Pereyera, 54 vjeç që vendosi të bashkohet me grupin dy vite më parë.

“Jetët e atyre që i bashkohen baletit ndryshojnë”, thotë Doria. Goldberg, 51 vjeç, thotë se grupi i ka mësuar si të jetë një grua e vërtetë. “Ky grup është një garanci për shëndetin. Këto gra kujdesen për njëra-tjetrën, kur njëra largohet nga jeta ose sëmuret. Disa prej tyre janë vetëm dhe këtu kanë gjetur familjen”, thotë ajo. “Këtu harron se ka një fund”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat