Historia e shqiptarit që shkoi me gomar në mbrëmjen e maturës

Ndryshe

Historia e shqiptarit që shkoi me gomar në mbrëmjen e maturës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 07:57

Mbrëmja e maturës është një ditë e veçantë për çdo gjimnazist. Një pjesë e madhe e tyre impenjohen dhe kryejnë shpenzime pafund për të bërë një paraqitje sa më mbresëlënëse para bashkëmoshatarëve. Tashmë matura përngjan me sfilatat hollivudiane ku vajzat përpiqen të ndjekin tendencat më të fundit të modës , ndërsa djemtë hyjnë në garë me njëri-tjetrin se kush do të ketë makinën më luksoze.

Por a e kishit menduar ndonjëherë të paraqiteshit në mbrëmjen e maturës me gomar? Po , po Me gomarë!

Ndoshta jo, por 19-vjeçari nga Gramshi Armand Veliu, eci kundër rrymës dhe u paraqit tepër modest në mbrëmjen e tij të maturës, hipur mbi një gomar.

Në një intervistë për TemA TV ai na rrëfen për zgjedhjen e tij dhe për mesazhin që ka dashur të përcjellë.

“Unë e kisha menduar edhe më parë, por kur po i kërkoja ndihmë një të afërmi për të më gjetur një makinë, ai më tha se nuk kisha për çfarë ta doja makinën pasi ka plotë gomerë rrugëve. Kështu vendosa që do të shkoja mbi gomar mbrëmjen e maturës. Do të dilte diçka e bukur” thotë 19-vjeçari.

Armandi prej vitesh interpreton pjesë humoristike në Pallatin e Kulturës në Gramsh dhe shfaqja e tij mbi gomar i shkonte për shtat shpirtit të tij humoristik. Pa dyshim që Mandi, donte të përcillte një mesazh me paraqitjen e tij të vecantë.

“Mesazhi im është që çdo njeri duhet të ec sa ka hapin e vet, nuk duhet të bëj më shumë, sepse kështu do të ndihej edhe vetë më mirë”, është shprehur Armandi.

Ai tregon se i është dashur të shkoj dy herë në një fshat të Gramshit për të siguruar gomarin, pasi fillimisht nuk e kishin marë seriozisht kërkesën e tij.

Së bashku me maturantin ne bëmë një përllogaritje të shpejtë për të krijuar një ide se deri ku shkojnë shpenzimet e një maturanti.

“Mesatarisht një maturant shpenzon deri në 250-300 mijë lekë të vjetëra, klasa ime ka 20 veta dhe jemi 7 klasa”, tregon maturanti. Nëse 20 maturante shpenzojnë 300 mijë lëkë të vjetra atëherë , vetëm në një klasë shpenzimet shkojnë 5 milon lekë të vjetëra. “Më mirë të kishim preë një bilëtë e të shkonim në ndonjë udhëtim turistik jashtë vendit” shton me shaka Mandi.

Armand Veliu është shndërruar në një personazh tepër interesant për të gjithë, fotot e tij nuk qarkullojnë vetëm në rrjetet sociale shqiptare, por edhe ne ato të huaja.

Sipas maturantit nga Gramshi një video e tij e publikuar në një website amerikan ka marrë 26 milionë klikime vetëm për 48 orë.

Armandi na ka dhuruar të qeshura pafund kur fotot e tij janë shfaqur në rrjetet sociale dhe përveç humorit na dha edhe një mesazh të qartë : që të mbahesh mend dhe të lësh përshtypje të mirë nuk duhet me patjetër të kryesh shpenzime pafund, nuk duhet të vishesh me Dolce Gabana apo të udhëtosh me Hummer. Jo! Armandi do të mbahet mend si i pari maturant që ka thyer një tabu në shoqërinë Shqiptare. I pari që na rrëfeu sërish se thjeshtësia gjithmonë do të jetë në modë ./Tema

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat