Marrëzitë që bëjnë prindërit kinezë për të futur fëmijët në shkollat amerikane

Ndryshe

Marrëzitë që bëjnë prindërit kinezë për të futur fëmijët në shkollat amerikane

Më: 1 mars 2015 Në ora: 15:33

Teksa numri i studentëve kinezë në kolegjet e SHBA-së e kalon atë të çdo shteti tjetër, udhëtimi për t’u futur në një universitet amerikan elitë është bërë gjithnjë e më i ashpër dhe disa studentë po e pranojnë sfidën në mënyra të çuditshme.

Kina është tashmë e njohur për një testim rigoroz për të cilin studentët kalojnë vite duke u përgatitur, gaokao është shkaku i presionit, stresit dhe ndonjëherë i kopjimit mes atyre që bëjnë testin.

Por teksa të diplomuarit dalin nga universitetet kineze pa vende pune, gjithnjë e më shumë gjimnazistë i kanë drejtuar përpjekjet e tyre jashtë shtetit. Studentët kinezë tani përbëjnë rreth 31 për qind të studentëve të huaj në universitetet amerikane, sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Arsimit.

Në kontrast, ata që bënë testin gaokao arritën një pikë të ulët prej nëntë milionësh që nga piku 10.5 milionë në 2008. Një milion studentë u përjashtuan nga testi në minutën e fundit në 2013.

Presioni që një herë u erdhi studentëve prej gaokao-s tani i vjen prej testeve amerikane si SAT, ACT dhe TOEFL.

Scott Wang, një mësues i gjimnazit që punon me studentë që aplikojnë në universitete amerikane, tha se sasia e studimit që kërkohet për të kaluar ato teste po bëhet gjithnjë e më e madhe.

“Pesë vite më parë, unë nuk mund të bindja askënd të bënte një test ACT”, tha Wang. “I lutesha që të bënin testin, por ata nuk dëgjonin, tani gjysma e studentëve bëjnë këtë test”.

Wang tha se prindërit e pasur veçanërisht e kanë më me zell të fusin fëmijët në universitetet amerikane.

Një familje refuzoi çdo gjë tjetër veç seancës teke mësues-student, duke i kërkuar Wang të mësonte nga ora 1 deri në orën 3 të mëngjesit – e vetmja kohë e lirë që kishte studenti. Një tjetër familje e çoi fëmijën e vet në një kamp për të mësuar për testin SAT nën gënjeshtrën se do ta çonin për pushime në Kore.

Prindërit gjithashtu pajtojnë specialistë të shumtë të aplikimit në kolegj. Wang tha se një nga studentët e tij nga viti i shkuar kishte tri kompani tutore për t’u trajnuar për testin SAT.

“Përse po shqetësohesh kaq shumë?” e pyeti Wang një herë atë. “Prindërit e mi duan të jenë të sigurt”, ia ktheu ai.

Mundimet

Masat e shtrënguara që kalojnë studentët kinezë për të hyrë në kolegj gjenden vetëm në një pjesë të popullatës. Gjithsesi, historitë që qarkullojnë për hyrjen në kolegje përbëhen nga konkurrenca e ashpër.

Zakonisht, studentët kinezë kanë qenë rigorozë kur vjen puna për mësimet dhe bërjen e testeve. Për ata që po bëjnë gjithçka për t’u pranuar në një universitet amerikan, numri i pikëve të larta në test është bërë më i vështirë.

Cheng Ho, një i diplomuar në Harvard që ka intervistuar studentët e ardhshëm kinezë në Pekin, tha se ai ka folur me shumë syresh që kanë pasur kualifikim të ngjashëm. Nëse një studente thoshte se shkoi në Afrikë për punë vullnetare, një mijë studentë të tjerë do të kenë të njëjtën gjë në rezymenë e tyre.

“Studentët kinezë nuk janë të ndryshëm, ata kanë të gjithë nota të mira”, tha ai. “Gjithçka u është mësuar atyre është të jenë numri një”.

Një tjetër sfidë me të cilën përballen studentët dhe shkollat është vështirësia në vlerësimin e saktë të të gjithë aplikantëve. Zotësia e një studenti në një test mund të maskojë probleme të tjera në anglisht apo aftësitë e tjera të kërkuara.

Një nëpunës pranimi, që fliste me një studente kineze në Skype, mendoi se ishte e çuditshme që ajo mbajti një mace të zezë në prehër teksa bënte intervistën, por më pas kuptoi se nuk ishte një mace, por flokët e nënës së vajzës që i pëshpëriste përgjigjet.

Të tjerë nëpunës pranimi morën dhjetë aplikime nga studentët e të njëjtës shkolle ku të gjithë pretendonin se ishin studentët më të mirë.

“Ka shumë gjëra në lojë, është në thelb jeta e dikujt”, thotë një specialist i ekzaminimit të aplikimeve në universitete.

Ka raste kur studentët dorëzojnë katalogë të personalizuar të arritjeve të tyre, por për shkak se janë të vështira për t’u verifikuar nuk merren shumë seriozisht.

“Nga pikëpamja e studentëve, këto janë gjëra shumë impresionuese për atë që shqyrton aplikimin, por në fakt në shumicën e rasteve nuk janë të vërteta, ndaj nuk mund t’i marrim shumë seriozisht”.

Paratë derdhen lumë nga familjet e pasura që japin çdo gjë për të futur në shkollë fëmijët e tyre. Në përpjekje për të marrë pikët maksimale studentët mund të bëjnë disa teste TOEFL brenda pak muajsh. Kjo e bën më të vështirë për të gjetur një vend në testim, ndaj studentët shkojnë në zona të ndryshme të vendit për të bërë testin.

Ata që i kanë rënë lapsit blejnë që në fillim vende në test dhe më pas i shesin në të zezë për çmime më të shtrenjta. Ndërsa disa kanë kuptuar shpirtin e Amerikës dhe atë që të fut në kolegj, të tjerë përpiqen të paguajnë agjentë dhe këshilltarë për të bërë të gjithë punën. Si rezultat, disa kompani fillojnë të premtojnë më shumë seç munden.

Gara e studentëve për t’u pranuar në universitete bëhet gjithnjë e më e ashpër…

-Ka raste kur studentët dorëzojnë katalogë të personalizuar të arritjeve të tyre, por për shkak se janë të vështira për t’u verifikuar nuk merren shumë seriozisht

-Një familje refuzoi çdo gjë tjetër veç seancës teke mësues-student, duke i kërkuar Wang të mësonte nga ora 1 deri në orën 3 të mëngjesit

-Teksa të diplomuarit dalin nga universitetet kineze pa vende pune, gjithnjë e më shumë gjimnazistë i kanë drejtuar përpjekjet e tyre jashtë shtetit

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat