Japonia dhe gratë e harruara të luftës në Lindje

Ndryshe

Japonia dhe gratë e harruara të luftës në Lindje

Nga: Nga Isabel Wolff Më: 21 tetor 2014 Në ora: 18:20

grate e harruara“Rruga e ngushtë në Veriun e thellë” është një roman i mrekullueshëm dhe një fitues i denjë i “Man Booker Prize”. Është historia e një kirurgu të ushtrisë së Tasmanias (shtet ishullor në Australi), Dorrigo Evans, dhe luftës së tij për t’u mbrojtur nga uria, sëmundjet dhe brutaliteti i japonezëve.

Libri është një shtesë e fuqishme e filmave dhe letërsisë që përshkruan dramën e përjetuar nga ushtarët aleatë në Lindjen e Largët.

Kur bëhet fjalë për ushtarët e Luftës së Dytë Botërore, shumica e njerëzve mendojnë për 132 mijë burrat e guximshëm që luftuan. Megjithatë, në rajon kanë jetuar edhe 130 mijë civilë të vendeve aleate, përgjithësisht gra dhe fëmijë, historia e të cilëve nuk është treguar.

Kur Japonia pushtoi Azinë Juglindore, europianët, amerikanët dhe australianët që jetonin atje si bujq, mësues, misionarë dhe punonjës civilë u mblodhën dhe u dërguan në 300 ‘zona grumbullimi civilësh’ – në realitet, kampe përqendrimi që i krijoi Japonia.

Dhjetë mijë britanikë u internuan në Kinë, Singapor dhe Hong-Kong, ndërsa 3000 amerikanë u internuan në Filipine, në Santo Tomas.

Grupi më i madh përbëhej prej 108 mijë civilëve holandezë, 62 mijë prej të cilëve gra dhe fëmijë, të cilët u dërguan në kampe në Java, Sumatra, Borneo dhe Timor.

Përvoja e tyre e hidhur zgjati tre deri në katër vjet dhe mori 13 mijë jetë prej urisë, rraskapitjes dhe sëmundjeve. Kur u botua libri “Ghostwritten”, rreth internimeve në Java të një vajze holandeze dhe familjes së saj, përgjigjja më e shpeshtë e lexuesve ishte: “Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë”.

Në vitet 1980 transmetohej në televizion një dramë e quajtur “Tenko”, që fliste për një grup femrash britanike dhe australiane që ishin internuar në një kamp në Sumatra, ku luhen gjithashtu edhe ngjarjet e filmit “Paradise Road”, rreth grave amerikane dhe holandeze që luftuan për të mbijetuar në një kamp në Palembang.

Vetëm këtë vit janë publikuar dy filma dhe një roman për ndërtimin e hekurudhës së Burmës, ku shfaqet dukshëm interesi i shkrimtarëve dhe historianëve për të përshkruar vuajtjet e civilëve.

Jeta prej parajse në tropik u ndërpre me sulmet japoneze mbi Pearl Harbour në dhjetor 1941, e ndjekur shpejt nga rënia e Singaporit. Teksa trupat aleate u dërguan të ndërtonin projektet si skllevër në Burma, Singapor dhe Japoni, civilët u burgosën në kampe të izoluara.

Kampet e meshkujve, për burrat dhe djemtë mbi 15 vjeç, ishin ish-ndërtesa qeveritare dhe baraka të papërdorura, ndërsa gratë dhe fëmijët mbaheshin në kampe në zona të rrethuara të qyteteve si Batavia (Xhakarta e tanishme) dhe Bandung.

Në kampe, këto gra dhe fëmijë u shtynë të jetonin në shtëpi që mbanin një familje, por ku gjendeshin 50 ose 60 herë më shumë njerëz.

Me mbipopullim të tillë kronik, kushte të varfra higjienike, sëmundjet dhe parazitët ishin më se të zakonshëm.

Edukimi ishte i ndaluar, fëmijët i shkruanin numrat me një shkop në baltë dhe femrat nga mosha 11 deri në 60 vjeçe, duhej të bënin punë të dobishme. Shumë gra shërbenin si “zonja mobiliesh”, puna e të cilave ishte të zbraznin shtëpitë nga mobiliet dhe t’i çonin ato në një vend tjetër, ku do të jetonin japonezë.

Duke punuar në grup, ato ngrinin të gjitha orenditë. Atyre iu duhej që ta tërhiqnin vetë karrocën e rënduar nga mobiliet.

Disa gra punonin në kuzhinë, të tjera riparonin pajisjet e ujërave të zeza dhe kishte nga ato që ndërtonin arkivole për numrin në rritje të të vdekurve.

Përveç punës stresuese, jo dinjitoze dhe rraskapitëse, gratë përballeshin me brutalitet të vazhdueshëm. Rrahje mizore i prisnin gratë që shihnin në sy ushtarët apo nuk u bindeshin.

Në Tenko, gjatë thirrjes së të dënuarave, që bëhej dy herë në ditë, ato duhet të qëndronin për orë të tëra nën diellin përvëlues, ku nuk lejoheshin kapelat dhe ku të moshuarit e fëmijët nuk mund të uleshin.

Më e keqe se këto tortura, ishte frika se mos i linin pa bukë, teksa racionet sa vinin e pakësoheshin çdo ditë. Të dëshpëruara për të mbajtur gjallë fëmijët, gratë kapnin bretkosa, hardhuca dhe gjarpërinj, i zienin dhe kështu merrnin racionin e munguar të hekurit në organizëm.

Ato ishin fiksuar aq shumë pas ushqimit të munguar, saqë sajonin me mendje dhe ndanin me të tjerat receta imagjinare gjellësh që nuk do t’i provonin kurrë.

Më e keqe nga të gjitha ishte frika e nënave se me arritjen e një moshe, djemtë do të largoheshin prej tyre. Mosha kur transferoheshin ata ishte fillimisht 15, por me rritjen e kërkesës në front shkoi edhe 13 dhe 11 vjeç.

Kur u liruan më në fund më 15 gusht 1945, ato ishin në kushte të këqija shëndetësore, të dobësuara, pa rroba të vërteta dhe me trauma serioze psikologjike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat