Pekini dhe pasojat e protestave në Hong-Kong

Ndryshe

Pekini dhe pasojat e protestave në Hong-Kong

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 17:34

Republika Popullore e Kinës po vepron ashpër kundër protestuesve në Hong-Kong. Ajo nuk po e bën këtë nga forca, por sepse, ajo para së gjithash, ia ka frikën një shoqërie civile. Në Hong-Kong ajo ekziston, ndërsa në Kinë, po formohet.

Në Hong-Kong tashmë punët nuk janë mirë. Grataçielat qëndrojnë ngjitur me njëra-tjetrën, formojnë rrugë të ngushta dhe derdhen si një grumbull në një pyll godinash. Rreth 6000 vetë për km katrorë jetojnë në ata ishuj. Sfera private atje është kthyer në një të mirë të vlefshme. Atje vendi i veçuar nga Kina kontinentale me mesatarisht 140 banorë për kilometër katror, shkëlqen pa kufi. Mirëpo kjo është vetëm përshtypja që të krijohet nga jashtë. Nëse sheh më mirë brenda saj, atëherë bëhet më e qartë: Hong-Kongu ofron më shumë hapësira shpirtërore e shprehjeje, e para së gjithash liri individuale. Të drejtat e qytetarëve të tij, kanë më shumë hapësirë në rajonin me status të veçantë sesa në pjesën tjetër të Kinës Popullore.

Se sa të ndërgjegjshëm janë kinezët e Hong-Kongut për këtë fakt, Pekini përballë protestave në ishuj, po e ndien tashmë me shumë siklet. Dhjetë mijë prej tyre nuk e duan kufizimin e lirisë së zgjedhjeve nëpërmjet një parazgjedhjeje të kandidatëve. Dhe me të drejtë. Tek e fundit, ish-kolonisë britanike, që tashmë i përket sërish Kinës qysh nga viti 1997, iu premtuan zgjedhje të lira e të përgjithshme.

Rezistenca e tyre duhet t’i ketë hapur telashe e ngjallur frikë Partisë Komuniste, e këtë po e tregon edhe sjellja e forcave të sigurisë kundër demonstruesve. Ajo çfarë luhet në rrugët e Hong-Kongut, zien edhe nën rrogoz në Kinën kontinentale: në Hong-Kong po nxjerr kokë tashmë, ajo që Partia Komuniste në Republikën Popullore deri më tani e ka shtypur me sukses – stuhia popullore për vetëvendosje. Studentët dhe mbështetësit e lëvizjes studentore “Occupy Central”, që paralizuan distriktin financiar të qytetit, mbartnin atë që në Pekin iu mohua atyre nga forcat e sigurisë. Vetëndërgjegjësimi i tyre, e vendos qeverinë e Republikës Popullore nën presion.

Udhëtim drejt lirisë

Në thelb ajo ka frikë se mos mësimet e mësuesit të saj të madh, Karl Marks, do të bëheshin në këtë mënyrë realitet. Marks parathotë se një klasë e tejmbushur gjithnjë e më shumë, një ditë prej ditësh do të dëshironte edhe të drejtë vetëvendosjeje në çështjet politike apo ndoshta do t’i kërkonte ato me ngulm, edhe për të mbajtur në duart e veta pushtetin. A mund të ndodhte kjo në Republikën Popullore?

Në Hong-Kong sidoqoftë ekziston prej disa kohësh një qytetari në shoqërinë civile; në Republikën Popullore është tashmë një nocion për t’u formësuar. Edhe më e rëndësishme është kjo për udhëheqjen e re kineze në Pekin, për të treguar se çfarë i kërcënon ata, që ua vë fuqinë në pikëpyetje. Republika Popullore diskuton jo vetëm mbi të sotmen e Hong-Kongut, por ajo lufton pikësëpari për të ardhmen e vet dhe për hegjemoninë e pushtetin mbi një vend, i cili qysh tani është kthyer në destinacionin e dëshiruar të vetë shtetasve të saj.

Ditën e festës kombëtare, më 1 tetor, kinezët e përdorin tradicionalisht për ndonjë udhëtim për të bërë shopping në Hong-Kong. Ndoshta atje, këtë radhë ato do të mund të marrin me vete kur të kthehen në shtëpi, edhe një copë dëshirë lirie. Kjo mbetet, gjithsesi, vetëm një dëshirë!

Si dhe pse nisën protestat studentore?

Rikthimi i sovranitetit të tij te Kina u mundësua, kur u lejua “Një vend, dy sisteme”

Protestat masive të nxënësve e studentëve që nisën të bojkotonin leksionet, u ndezën gjatë natës duke u gdhirë e diela e kësaj jave. Shkaktar i tyre u bë sjellja e policisë së Hong-Kongut, e cila një ditë më parë nuk kishte lejuar tubimet dhe kishte arrestuar më shumë se 78 vetë, duke i mbajtur të ndaluar përkohësisht. Një mesazh kishte qenë shumë irritues, tha një ndër funksionarët e alarmuar në mëngjes herët për gazetën gjermane “Die Welt”: Edhe lëvizja për të drejtat civile të Hong-Kongut, “Occupy Central”, e cila quhet kështu sipas emrit të distriktit financiar “Central”, u ishte bashkangjitur protestave studentore. Në fillim ajo donte të dilte e vetme në protesta, me pankartat e veta këtë të mërkurë, duke demonstruar kundër politikës kineze ndaj Hong-Kongut. Por zëdhënësi i saj, Benny Tai Yiu-ting njoftoi, se do t’u bashkëngjitej menjëherë protestave të studentëve, duke paralizuar distriktin financiar të qytetit. Ai bëri thirrje për një fushatë të përbashkët të mosbindjes civile të të gjithë hongkongezëve kundër politikës së Pekinit. Deri më 1997-n, metropoli financiar botëror ishte akoma nën kontrollin britanik, si një koloni e kurorës. Rikthimi i sovranitetit të tij te Republika Popullore e Kinës u mundësua, kur Pekini lejoi që Hong-Kongu për një periudhë 50-vjeçare t’i nënshtrohej rregullit të veçantë “Një vend, dy sisteme”, duke u vetëqeverisur. Me këtë hap, ajo u përmbahet jo vetëm rregullave që lidhen me ekonominë e tregut, por edhe atyre që kanë të bëjnë me të drejtat civile, sipas të cilave do të duhet të zgjedhë në vitin 2017, edhe guvernatorin e saj në zgjedhje të lira, pluraliste e të ndershme. Frika e vazhdueshme e hongkongezëve se Pekini do ta çmontojë pjesë-pjesë statusin e tyre special, u ndez sidomos në debatin për të drejtën zgjedhore të vitit 2017. Në korrik, një “libër i bardhë” i qeverisë kineze, ishte ai që së pari ia kufizoi Hong-Kongut të drejtat e tij zgjedhore. E procesi shkaktoi më pas si një reaksion zinxhir, një sërë reagimesh, të cilat kulmuan me protestat e fundit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat