Shkolla, ora e duhur për zilen e zgjimit

Ndryshe

Shkolla, ora e duhur për zilen e zgjimit

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 08:26

Një grup pediatrësh amerikanë, po apelojnë një propozim mjaft interesant në lidhje me orën e duhur të zgjimit. I mbështetur mbi baza shkencore, ai sugjeron se orari i fillimit të shkollës, duhet të spostohet një orë prapa, në mënyrë që nxënësit të flenë më shumë dhe të bëhen gati më qetë; ose në mungesë të tij, institucionet mësimore duhet të realizojnë orën e parë të gjimnastikës

Propozimi amerikan

Duke marrë në konsideratë faktin se mungesa e gjumit mund të ndikojë negativisht te rendimenti shkollor, te humori, por edhe te rreziku nga depresioni dhe obeziteti, mjekët pediatër amerikanë, kanë vendosur të bëjnë një apel: përse mos ta vendosin të rinjtë zilen e zgjimit, në atë orë që çohen vërtet prej shtratit, pasi kjo zile ka rënë një herë?! Pikërisht në këtë mënyrë, adoleshentët mund të rikuperojnë gjumin e humbur një natë më parë. Shkolla, pra, duhet t’i lidhë oraret me ritmet gjumë-zgjim të nxënësve të saj. Kjo nuk do të thotë vetëm një “përulje” e një ndryshimi të thjeshtë të zakoneve, por do të ishte një masë e vërtetë për shëndetin publik.

Adoleshentët pa gjumë

Arsyet e këtij propozimi janë shpjeguar nga Akademia Amerikane e Pediatrisë në një artikull të botuar në “Pediatrics”. Të paktën për sa u takon Shteteve të Bashkuara, ku shkolla i hap dyert e saj edhe në orën 7:30 të mëngjesit, mungesa e gjumit kronik tek adoleshentët, është një problem mjaft i shpeshtë: rreth 60 për qind e të rinjve nga mosha 11 deri 14 vjeç, dhe 87 për qind e studentëve të shkollave të larta, nuk flenë aq sa duhet; po kështu, “studime të ndryshme kanë treguar se shtyrja e fillimit të mësimit, është një nga faktorët që mund t’i ndihmojë adoleshentët që t’i dedikohen gjumit me orët e nevojshme për t’u rritur dhe për t’u bërë më të aftë në përvetësimin e mësimeve në shkollë”.

Shkaqet e mungesës së gjumit janë të ndryshme: në radhë të parë është ritmi normal biologjik që ndryshon me zhvillimin e njeriut; më pas, padyshim janë detyrat e shtëpisë, aktivitetet jashtëshkollore dhe ato online, tabletet dhe smartphone-t që nuk hiqen nga duart e të rinjve edhe kur e vënë kokën në jastëk!

Tendenca në Europë

“Në krahasim me dhjetë vjet më parë, adoleshentët flenë rreth një orë e gjysmë më pak çdo natë, dhe kjo tendencë vihet re jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë”, thotë Luigji Ferini Strambi, neurologu dhe drejtori i Qendrës Mjekësore të Gjumit, në spitalin San Raffaele Turro, njëkohësisht edhe Presidenti i ‘World Association of Sleep Medicine’.

“Ideale do të ishte të flihej nga ora 22:30 deri në orën 7:00 të mëngjesit. Por në shoqërinë tonë, realisht nuk ndodh kështu. Propozimi i “American Academy of Pediatrics”, mund të lidhet me popullsinë e përgjithshme, ndërsa ai do të jetë një propozim vërtet pozitiv për të shtyrë fillimin e aktivitetit shkollor dhe të punës me një orë.

Çfarë ndodh nëse mungesa e gjumit bëhet kronike?

“Gjatë gjumit – vazhdon Ferini Strambi – frenohet çlirimi i kortizolit, hormonit të stresit, ndaj kush nuk fle, është më i stresuar dhe i irrituar. Gjumi është gjithashtu thelbësor për konsolidimin e kujtesës. Është po aq e vërtetë që mosplotësimi i orëve të gjumit, rrit rrezikun e mbipeshës dhe të obezitetit: konkretisht, gjatë gjumit trupi ynë çliron lehtinën, një hormon që i thotë ndal ndjenjës së urisë, ndërkohë që gjatë orëve të zgjimit, prodhohet grelina që ka një efekt të kundërt”.

Ora e parë: gjimnastikë!

Nëse spostimi i orës së zgjimit me 60 minuta më pas (nga ora 8 në 9) duket një opsion jo shumë praktik, atëherë ka një alternativë tjetër!

“Shfrytëzoni orët e para të shkollës për t’u bërë nxënësve aktivitet fizik: është momenti më i mirë fiziologjik për t’u marrë me sport, i cili çon në një aktivitet më të mirë të të gjithë organizmit”, thotë Adima Lamborghini, nga Komiteti Shkencor dhe Teknik i Federatës së Mjekëve Pediatër italianë (FIMP). “Ky është një propozim shumë interesant për shkollat. Në këtë mënyrë, do të mund të respektohen ritmet biologjike, ndërsa zakoni i aktivitetit fizik, do të mund të inkurajohet edhe më tej. Ndërkaq, duhet theksuar se edhe vetë të rinjtë duhet të vënë rregull për procesin e tyre të fjetjes. Vajtja në shtrat pas mesnatës, i dekurajon shumë ata si fizikisht, ashtu dhe psikologjikisht”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat