Harar: Qyteti i birrës dhe xhamive

Ndryshe

Harar: Qyteti i birrës dhe xhamive

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 19:05

Ashtu si të gjitha qytetet e shenjta, Harar është shumëngjyrësh. Brenda mureve të qytetit të vjetër ka ndërtesa të lyera në të gjelbër, violë dhe të verdhë – gratë e qytetit duket se e kanë kthyer këtë në sfidë, pasi vishen me perçe dhe fustane rozë e portokalli të lehtë.

Harar gjendet në lindje të Etiopisë, me një rrugë që shtrihet larg qytetit në drejtim të Somaliland, një rajon autonom i Somalisë.

Lideri i fuqishëm mysliman, Ahmed Mëngjarashi, udhëhoqi disa fushata të dhunshme në këtë qytet në shekullin XVI. Kam ardhur në qytet për të parë birrarinë e qytetit, për të cilin është i njohur, përtej autoritetit të shenjtë. Për tri dekada birra e Harar shitet në shishe që kanë një ambalazh të portave të vjetra të qytetit.

Jashtë këtyre portave, një shofer i taksive karakteristike vendase e di se ku ndodhet fabrika e birrës, larg nga qyteti në një kodër që mund të ngjitet ngadalë.

Hyrja e birrarisë është e dekoruar nga njëra anë me një tabelë që ndalon armët e zjarrit dhe në tjetrën me një shishe gjigante birre – ndoshta e vënë aty për të kujtuar përse nuk mund të fusësh në fabrikë armë: për shkak të alkoolit.

Shishja gjigante e birrës është katër herë sa lartësia e një njeriu. Këtë e kuptoj për shkak të një burri që është përpara shishes, një rojë sigurie që është tepër i kënaqur të ketë një vizitor.

Ai nuk duket shumë i përmbajtur në sjelljen e tij, por shishja e madhe e birrës e bën atë të duket si një prej rojave të mbretëreshës në Londër.

Brenda fabrikës, arkat e gjelbra të birrës kufizojnë horizontin, në largësi ndodhet një xhami e gjelbër. Në katin e nëndheshëm ka shina të papërdorura. Rrjeta e një tavoline tenisi duket se është akoma e përdorshme, ndërsa në një park lodrash më tutje një burrë po sheh djalin e tij të vogël teksa lëkundet. Ajri i plogësht e bën mjedisin të duket si iluzion.

Kjo birrari i është shitur një grupi të njohur që merret me prodhimin e birrës nga qeveria tri vite më parë. Kompania thotë se po planifikon të investojë në fabrikë. Ajo kërkon të përmirësojë proceset e prodhimit, të sjellë në vend ekspertët e saj dhe të fillojë të furnizojë më shumë brenda Etiopisë ose në rajon.

Kompania ka marrë një tjetër birrari në Perëndimin e largët, në Bedele, dhe po kërkon të ndërtojë një të tretë më afër kryeqytetit. Shumë kompani të huaja e cilësojnë krahun e lirë të punës dhe tarifat e leverdishme të eksportit, si arsyet për investimin. Shteti sapo ka marrë për herë të parë një vlerësim nga agjencitë e matjes së kreditit.

Pjesët industriale “mbijnë” në horizont sa më shumë që i largohem kryeqytetit. Marka nga më të njohurat, të gjitha ndodhen këtu. Edhe kinezët ndodhen në Etiopi. Qindra mijë këpucë prodhohen në jug të kryeqytetit për marka të njohura ndërkombëtare.

Për kompaninë e njohur të birrës, përtej fabrikave të mundshme, një nga motivimet është tregu kombëtar, i cili mund të bëhet gjithnjë e më i madh. Konsumi i birrës në Etiopi, thuhet se është vetëm sa një e treta e konsumit të Kenias fqinje.

Për qëllime studimi ndaloj në një nga klubet e birrarisë dhe porosis një birrë. Gratë në kuzhinë janë të kënaqura nga prania ime. Është një ditë zyrtare pushimi dhe qetësia mbizotëron, megjithatë njerëzit po lëvizin tavolinat e karriget dhe unë hamendësoj se gjërat do të gjallërohen më vonë.

Ka një vend ku paraqiten trofe pranë tavolinës sime, ndoshta janë trofe të fituara nga skuadra e futbollit të birrarisë. Ajo konkurron në premier ligën e Etiopisë.

Në muret e qytetit të shenjtë, njerëzit në treg janë të mësuar me birrarinë dhe bizneset e mëdha. Për ta, i vetmi produkt që ia vlen të shitet është khat-i, një bimë që është karakteristike për gadishullin arabik dhe atë të Somalisë. Bima e khat-it shkakton entuziazëm, largim urie dhe eufori.

Jashtë dritares sime, dy gra me pamje të mrekullueshme kanë hapur çantat e tyre me gjethe khat-i. Një lypës, shumë i dëmtuar, çapitet me mundim drejt tyre. Disa çaste më parë ato po i ulërinin një djaloshi të ri, punët e drogës të së cilit kishin shkuar keq. Megjithatë, tani ato i japin lypësit disa gjethe, mënyra e tyre për të dhënë lëmoshë në rrëzë të qytetit të shenjtë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat