Dy gratë që ndryshuan historinë e Mitrovicës - Bota Sot
Dy gratë që ndryshuan historinë e Mitrovicës

Mitrovica

E diel, 20 maj 2018

Dy gratë që ndryshuan historinë e Mitrovicës

Më: 7 janar 2018 Në ora: 13:05
Valdete Idrizi dhe Adriana Hoxhiq

Pas luftës kur pajtimi dukej të jetë i pamundur në qytetin etnikisht të ndarë, në skenë dolën dy gra që morën guximin ta bëjnë hapin e parë, njëra nga shoqëria civile, ndërsa, tjetra nga ajo politike.

Valdete Idrizi dhe Adriana Hoxhiq, qëndruan të pa lëkundura përgjatë krejt këtyre viteve të pasluftës, përballë sfidave jashtëzakonisht të vështira që vinin nga grupet ekstremiste serbe, e që pretendonin me çdo kusht dëbimin e plotë të shqiptarëve nga veriu dhe ndarjen e qytetit.

Ato me dijen, guximin dhe dashurinë e madhe për qytetin e tyre, arritën që në momentet më delikate të qetësojnë gjakrat në mes të dy etniteteve të hasmuara me dekada, dhe në fund të relaksojnë raportet mes shqiptarëve e serbëve nga të dyja pjesët e qytetit të Mitrovicës.

Këtë e kanë konfirmuar për KosovaPress edhe vetë mitrovicasit nga të dy anët e këtij qyteti.

Florentina Hajra, qytetare nga jugu i Mitrovicës, tha se Valdetja dhe Ardiana janë ndër personalitetet e pakta nga ky qytet, të cilat kanë kontribuuar në bashkimin e Mitrovicës, sidomos përmes ngritjes së vetëdijes qytetare për një bashkëpunim më të mirë ndër komunitetet që jetojnë këtu.

Sipas saj, puna e tyre nuk ka qenë aspak e lehtë, kur dihen specifikat dhe rrethanat në të cilat ka qenë dhe vazhdon të mbetet ky qytet.

Hajra: Të dyja kanë dhënë kontributin në sektorin e vet, nuk kisha preferuar me i nda

“Besoj se Adrina Hoxhiq dhe Valdete Idrizi janë ndër personalitetet e pakta në Mitrovicë, të cilat kanë kontribuuar në bashkimin e qytetit në kuptimin që kanë punuar edhe publikisht në ngritjen e vetëdijes qytetare për një bashkëpunim më të mirë ndër komunitetet që jetojnë brenda territorit të Mitrovicës, por edhe më gjerë. Besoj se puna e tyre vlerësohet, po edhe në të ardhmen ka me u vlerësu më shumë se sa në ditët e sotme… Duke marr parasysh rrethanat në të cilat ka qenë dhe vazhdon me mbet Mitrovica, si një vatër e krizës, puna e tyre nuk ka qenë aspak e lehtë…Valdete Idrizi në shoqërinë civile duke filluar prej 17 viteve, ka ngritur vetëdijen në momentet më të vështira, ka prekur tema të cilat jo shumëkush do t’i prekte në atë kohë. Njëjtë edhe Adriana Hoxhiqi në sferën e politikbërjes si grua ka thyer shumë tabu, por njëkohësisht ju ka bërë ballë sfidave dhe këcënimeve të vazhdueshm e që ajo ka marr prej komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Mitrovicë… Për mua si dy personalitete janë të pandashme, sepse secila ka dhënë kontributin e vet në sektorin e vet siç është më së miri, kështu që nuk kisha preferuar me i nda”, ka thënë Hajra.

Edhe Anela Rekiq, qytetare nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur se këto dy personalitete kanë bërë shumë për ruajtjen e paqes dhe qetësisë në këtë qytet, madje siç u shpreh, duke sakrifikuar veten dhe familjet e tyre, vetëm për të mirën e Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.

Ajo theksoi se ky qytet do të duhej të kishte më shumë gra si Valdetja dhe Adriana.

Rekiq: Ato sakrifikuan veten dhe familjet e tyre për qytetarët

“Adriana Hoxhiq dhe Valdete Idrizi, janë dy gra të cilat kanë kontribuuar jashtëzakonisht shumë për qetësi dhe paqe në Mitrovicë…Konsideroj se këto të dyja kanë sakrifikuar veten dhe familjet e tyre për të mirën e qytetarëve nga jugu dhe veriu i Mitrovicës…Qyteti ynë do të duhej të kishte më shumë gra siç janë Adriana dhe Valdetja”, u shpreh ajo për KosovaPress.

Ndërsa vetë Valdete Idrizi, e cila aktualisht ndodhet tek familja në Gjermani, ka thënë për KosovaPress se menjëherë pas luftës i është qasur seriozisht problemit për të rivendosur komunikimin në mes të komuniteteve, përkundër se e kishte vështirë ngase ishte dëbuar nga banesa e saj matanë Ibrit, madje thotë se me një rast edhe ishte përgjakur nga disa gra serbe.

“Isha shumë e interesuar të kthehem në banesën time në veri, andaj e vetëdishme për këtë, duhej patjetër të komunikoja me qytetarët e asaj pjese. Kam menduar të bëj diçka për të rivendosur komunikimin mes nesh. Ka pasur një nevojë për të dy etnitetet kryesore të qytetit që ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe për të kuptuar pasojat e konfliktit, i cili sapo kishte përfunduar. Pikërisht ishin gratë e të dy etniteteve që morën guximin ta bëjnë hapin e parë për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe për t’i dëgjuar problemet mes tyre”, rikujton Idrizi.

Sipas saj, në përpjekje për të kërkuar punë, fillimisht u angazhua në Grupin e të rinjëve për dialog, më vonë në një Program psiko-social përmes një organizate daneze, për të themeluar në vitin 2001 organizatën joqeveritare “Community Building Mitrovica” (CBM), që shërbente si urë lidhëse mes jugut dhe veriut të qytetit, përkatësisht shqiptarëve dhe serbëve.

“Duke zhvilluar projekte kreative, ne arrinim të bënim shumë njerëz të bashkëpunojnë mes vete. Atëherë kur lëvizja e qytetarëve ishte jashtëzakonisht e kufizuar dhe e rrezikshme, mund të përmendi themelimin e Qendrës së Grave në Kodrën e Minatorëve në veri, përmes së cilës veç tjerash, filloi edhe zbutja e tensioneve. Pastaj  nxorrëm revistën  ‘M-Magazine’ e cila trajtonte tema aktuale në veri dhe jug të Mitrovicës, si dhe shumë iniciativa të ngjashme që nxisnin bashkëpunim dhe debate për të kontribuuar zhvillimet pozitive në qytet”, theksoi Idrizi.

Ajo ka përmendur edhe organizimin e protestave paqësore në atë kohë, duke kërkuar vazhdimisht përfshirjen e vetë komunitetit në të gjitha proceset.

Idrizi tha se insistimi i vazhdueshëm dhe besimi në njerëzit e komuniteteve të ndryshme, ka qenë determinues në vazhdimin e punës së saj.

“Jam e lumtur që kemi arritur jo vetëm të zhvillojmë qindra projekte, por edhe të sjellim fonde për zhvillimin e Mitrovicës nëpërmes forumeve ëe ndryshme. Unë ende s’kam arritur të kthehem në veri, por mbetem optimiste e papërmirësuar, sepse besoj në njerëz, në mirësinë e tyre dhe dedikimin për qytetin e tyre të cilin e duan shumë, njëjtë sikur unë”, ka thënë Idrizi.

Ajo shtoi se do të vazhdojë të punojë në këtë drejtim akoma më fuqishëm edhe gjatë vitit 2018.

Në anën tjetër, Adriana Hoxhiq, një mitrovicase tjetër e komunitetit boshnjak, që u shqua për vendosmëri vetëm për ta bashkuar qytetin e ndarë të Mitrovicës, kishte angazhuar pas luftës tërë potencialin e saj që t’i drejtojë serbët e veriut të Kosovës drejt Prishtinës, përmes Zyrës Administrative në veri, e cila udhëhiqej nga ajo.

Sipas saj, kyçja nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare menjëherë pas luftës, i ka dhënë mundësinë që të takoj njerëz të të gjitha etniteteve në mbarë Kosovën, duke bërë kështu që ta vlerësoj bashkëjetesën.

Ajo pranon se misioni i saj për bashkim të qytetarëve në radhë të parë, ka qenë i rrezikshëm në fillim.

Hoxhiq: Shpresoj se do të kemi një qytet, një komunë, me dy administrata

“Gjithëherë e kam kuptuar dhe vlerësuar bashkëjetesën. Është një bindje e vërtetë, për të cilën unë do të luftoj deri sa të jem gjallë…Është një mision shumë i vështirë. Unë politikisht nuk e kam fuqinë që ta bashkoj qytetin e ndarë, por ajo që mund të bëjë nga pozita ime është që t’i bashkoj qytetarët e etniteteve të ndryshme të cilët jetojnë në veriun e Mitrovicës. Dhe pastaj do të shkojmë më larg, dhe unë shpresoj se do të kemi një qytet, një komunë, me dy administrata… Ky ka qenë patjetër edhe një mision shumë i rrezikshëm, por ideja për Zyrën Administrative dhe shërbimet komunale I sistemit të Kosovës ka qenë një nevojë që është treguar si realitet në terren…. Me thënë të drejtën ka qenë një kohë të cilën nuk do ta harroj deri sa të jem gjallë…Punëtorët e mi kanë qenë të sulmuar shumë herë, sidomos ka qenë një atak kur zëvendësi im, një drejtor dhe dy zyrtare kanë qenë të atakuar me armë zjarri, por deshi Zoti nuk kemi pasur pasoja, të gjithë janë gjallë. Kemi pasur poashtu shumë vetura, banesa të dëmtuara, dhe ajo periudhë ka kaluar, ne tani funksionojmë pa problem. Personalisht kam pasur disa momente shumë të vështira sepse kam qenë e rrezikuar vet, edhe familja ime, por unë tani dua të shikoj përpara…Asnjëherë nuk jam kursyer, asnjëherë nuk i kam ikur kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët. Besoj se shumica e kanë vlerësuar se unë vërtetë jam e sinqertë, jam një person që beson në bashkëjetesë dhe nuk kemi tjetër zgjidhje. Ngjyrën e multietnicitetit Kosovës vërtetë ia jep veriu i Mitrovicës, sepse në gjithë Kosovën e kemi të vetmen komunë e cila është multietnike…Ne mund të jemi vërtetë një shembull shumë i mirë”, sqaroi Hoxhiq.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test