​Promovohen mbi 180 vende pune për të rinjtë

Mitrovica

​Promovohen mbi 180 vende pune për të rinjtë

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 13:34
Foto nga vendngjarja

Mbi 180 vende pune për të rinjtë në sektorët e gastronomisë, prodhimtarisë së drurit dhe prodhimtarisë ushqimore, janë shpallur gjatë ceremonisë së hapjes të Panairit të Punës 2022 që u mbajt sot në Mitrovicë.

Në këtë Panair u promovuan edhe mundësitë për praktikë, këshillim në karrierë dhe trajnime nga kompanitë lidere të qytetit të Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, gjatë fjalimit të tij ka potencuar se pa biznese të zhvilluara nuk mund të ketë shtet dhe as ekonomi të zhvilluar.

Sipas tij, bizneset meritojnë respekt të veçantë sepse veç tjerash kontribuojnë në mbushjen e arkës së shtetit dhe punësimin e qytetarëve, andaj siç tha ai, komuna do të bëjë maksimumin për t’i thjeshtëzuar procedurat për bizneset.

Hamza: Pa biznese te forta nuk ka shtet të zhvilluar

“Diçka që jam i sigurt dhe e them me siguri të plotë është se pa biznese të forta, pa biznese të zhvilluara, nuk ka shtet dhe ekonomi të zhvilluar. Flas me respektin maksimal për sektorin privat, sepse ju kontribuoni për vete, familjet e juaja, kontribuoni në mbushjen e arkës së shtetit dhe ju punësoni njerëz. Prandaj ne sot jemi këtu për të qenë bashkë me juve dhe për t’ju siguruar edhe nga këtu se ne do ta bëjmë maksimumin me procedura të thjeshtëzuara”, ka thënë Hamza.

Jehona Rexha, zëvendësdrejtoreshë e Agjencionit për Punësim në Republikën e Kosovë (APRK), tha se institucioni të cilin ajo e udhëheqë ka në mandatin e saj veç tjerash promovimin e bashkëpunimit që nxitë ofertën për punësim.

Rexha: APRK promovon bashkëpunimin që nxitë ofertën për punësim

“Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës si ofrues publik i shërbimeve të punësimit ka në mandat të vetin administrimin e tregut në fushën e punësimit dhe aftësimit professional, si dhe për të promovuar sa më shumë bashkëpunimin të cilat e nxisin ofertën për punësim në frymën në të cilin është organizuar edhe ky panair”, theksoi Rexha.

Vjosa Mullatahiri, nga organizata gjermane GIZ, ka bërë të ditur se panairet e punës janë bërë platforma unike ku kompanitë e bizneseve dhe ata që kërkojnë punë, krijojnë marrëveshje të bashkëpunimit.

Mullatahiri: Panairet, platfomra unike

“Nga përvoja shtatëvjeçare në organizimin e panaireve në komuna të ndryshme kemi parë që panairet e punës janë bërë si platforma unike ku bizneset dhe punëkërkuesit krijojnë një marrëveshje të bashkëpunimit”, u shpreh ajo.

Ky panair i cili do të zgjasë deri në orët e mbrëmjes, u mbështet nga Komuna e Mitrovicës, APRK-ja dhe organizata GIZ. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat