Veseli: Kur Kosova dhe Amerika janë bashkë, suksesi nuk mungon

Lajme

Veseli: Kur Kosova dhe Amerika janë bashkë, suksesi nuk mungon

Më: 8 korrik 2016 Në ora: 16:59
Kadri Veseli, Greg Delawie

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, për zhvillimin e Programit Fullbright, i cili financon shkëmbimin akademik, përkatësisht bursa studimore për studentët nga Kosova në SHBA.

Duke e konsideruar këtë ngjarje si shumë të rëndësishme për edukimin në Kosovë, kryeparlamentari Veseli tha se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme, dhe se vetë kjo marrëveshje përbën një dimension të veçantë të këtyre marrëdhënieve. Veseli tha se falë saj, shumë të rinj tanë, kanë mundësinë të kenë qasje dhe studiojnë në institucionet arsimore prestigjioze të ShBA-ve, truallit të demokracisë dhe njëkohësisht, të zhvillimit ekonomik, ndërsa dijen dhe përvojën e fituar në këto institucione, ta investojnë në Kosovë.

Kryetari Veseli tha se ky program ofron një mundësi të mirë për të rinjtë tanë që të jenë konkurrues me moshatarët e tyre në vendet perëndimore dhe njëkohësisht, të njihen krenarë me identitetin dhe vendin e tyre.

“Është nevojë urgjente investimi në fuqizimin e sistemit të edukimit, në rritjen e cilësisë së tij, konform standardeve perëndimore të shkencës dhe formimit profesional, hapja dhe krijimi i partneriteteve me institucionet akademike të botës perëndimore në ShBA dhe BE, si dhe orientimi strategjik në fushat e dijes për të cilat ka nevojë shoqëria dhe shteti ynë”, theksoi kryetari Veseli.

Ai shtoi se në kushtet bashkëkohore të globalizimit, agjenda ekonomike është e pandashme nga agjenda e fuqizimit të edukimit.

“Sot tregu i brendshëm dhe tregjet ndërkombëtare të punës kërkojnë popullsi të kualifikuar. Arritja e këtij qëllimi, për një popullsi të re, siç e ka vendi ynë, është një interes prioritar nacional. Ky progam Fullbright është një nga mundësitë që ne të ecim në këtë drejtim. Jam thellësisht i bindur se do të kemi sukses, sepse suksesi asnjëherë nuk ka munguar kur Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ecur së bashku. Jam i bindur se edhe këtë radhë do të na ecë mbarë”, theksoi në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat