PDK: ‘Masakrim’ i buxhetit komunal në Mitrovicë

Mitrovica

PDK: ‘Masakrim’ i buxhetit komunal në Mitrovicë

Më: 2 korrik 2016 Në ora: 14:03
Mehdi Haxha

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Dega në Mitrovicë, ka mbajtur të shtunën konferencë me gazetarë me temën ''Të gjeturat e Auditorit Gjeneral'' në lidhje me shkeljet që janë bërë nga ekzekutivi i Komunës së Mitrovicës gjatë vitit 2015.

Zëdhënësi i kësaj partie, Mehdi Haxha, duke e quajtur masakrim të buxhetit komunal nga ana e qeverisjes komunale, tha se reagimet e tyre të vazhdueshme se qeverisja komunale ka degraduar në të gjitha sferat në Komunën e Mitrovicës, i ka vërtetuar më se miri Raporti i Auditimit nga Zyra e Auditorit Gjeneral të Republikës së Kosovës për vitin 2015.

Sipas tij, situata e përgjithshme kaotike në këtë komunë dhe shkeljet e panumërta që janë evidentuar, janë fotografia më e mirë dhe më reale e keqpërdorimeve dhe e abuzimeve me buxhetin komunal.

Haxha: 95% e tenderëve nuk janë publikuar

“Në raportin e auditimit thuhet, opinion i kualifikuar,- sepse në emër të bashkëfinancimeve, 195,000 euro ishin paguar dhe raportuar si shpenzime kapitale, përderisa nuk është përfituar ndonjë kundërvlerë për mjetet e dhëna. Pra, këto mjete janë paguar ende pa filluar realizimi i projektit. Tepër shqetësuese është pika tjetër e raportit, ku thuhet se komuna kishte bërë pagesa 263,069 euro nga kategoria e investimeve kapitale, është paguar për mallra dhe shërbime. Pra, në vend që këto mjete të investoheshin për ndonjë rrugë, kanalizim apo ndonjë projekt tjetër në të mirë të qytetarëve, ato kanë shkuar për kompani të sigurimeve, për ta ruajtur Agim Bahtirin 24 orë. Skandaloze është fakti tjetër i evidentuar, sipas të cilit hiq më pak se 95 tenderë janë dhënë pa u publikuar, duke mos iu dhënë mundësi që të aplikojnë kompani të ndryshme, p or vetëm atyre që janë të afërta me Agim Bahtirin dhe LDK-në”, ka thënë Haxha.

Ai duke u thirrur në këtë raport, ka përmendur edhe një numër të madh të prokurimeve të realizuara përmes procedurave me vlerë minimale, për t’iu shmangur aplikimit të procedurave të hapura, si dhe shumë parregullsi tjera.

“Ky ekzekutiv është duke e keqpërdorur çdo segment të buxhetit të Republikës së Kosovës, i cili u takon qytetarëve, e jo keqpërdoruesve, siç janë Agim Bahtiri dhe LDK-ja”, ka thënë mes tjerash Haxha, gjatë kësaj konference

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat