Meta: Pati një keqkuptim, reforma në drejtësi nuk është futur në kalendarin 3-javor

Shqipëria

Meta: Pati një keqkuptim, reforma në drejtësi nuk është futur në kalendarin 3-javor

Më: 10 qershor 2016 Në ora: 15:20
Ilir Meta

Reforma në drejtësi nuk është në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit. Këtë fakt e ka konfirmuar vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në një konferencë shtypi, pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Paloka.

Meta ka sqaruar se ka pasur një keqkuptim të shërbimeve të Parlamentit, por reforma nuk është futur në kalendarin 3-javor.

“Mund t’ju them se kjo çështje është sqaruar edhe me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, z. Paloka. Ka qenë një keqkuptim i shërbimeve të Kuvendit dhe kjo çështje nuk është në kalendarin e Kuvendit, ndërkohë që është çështja më e rëndësishme për të gjithë”.

Megjithatë, Meta theksoi se reforma mbetet më e rëndësishmja për aktivitetin politik të momentit. Për këtë, ai është shprehur se ka ftuar në një takim kreun e PD-së, Basha.

"Si kryetar i Kuvendit, i kam dërguar sot një ftesë dhe kërkesë zyrtare kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për t’u takuar me të në çdo kohë që ai e çmon të arsyeshme dhe në çfarë do lloj formati, mundësisht deri ditën e hënë, pasi jam i bindur se jemi tashmë të vonuar në kalendarin për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, e cila nuk është përfshirë deri më tani për arsye të mos arritjes së kompromisit përfundimtar.

Jemi në krizë me kohën dhe duhet të reflektojmë dhe të lëvizim sa më shpejt në mënyrë që ky proces të zhvillohet me cilësinë e duhur, sipas standardeve të Venecias, por edhe sipas sugjerimeve të EURALIUS dhe OPDAT-t.

Jemi në krizë kohe sepse duhet të ishte përfshirë me kohë në kalendarin e Kuvendit, por unë besoj që me vullnetin e të gjitha palëve dhe me vullnetin e opozitës, shpresoj shumë, që ta miratojmë sa më parë dhe ta fitojmë kohën që kemi humbur.  Unë jam i hapur për çdo format të takimit. Jam shumë fleksibël e bashkëpunues”.

I pyetur për qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim që reforma të bëhej me konsensus, Meta tha se nuk dëshironte të komentonte për këtë, pasi sot kishte dalë në konferencë ekskluzivisht si kryetar i Kuvendit.

Meta theksoi se miratimi i kësaj reforme është shumë i rëndësishëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Miratimi i kësaj reforme në Kuvendin e Shqipërisë me cilësinë e duhur dhe me legjitimitetin dhe integritetin e duhur, është shumë e rëndësishme për të rritur besueshmërinë në mënyrë që të forcojmë argumentet për të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Është shumë e rëndësishme që reforma të miratohet sa më parë edhe për të bërë sa më shpejt efektive asistencën, në mënyrë të veçantë të Shteteve të Bashkuara”.
 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat