Sadije Berisha: Martesa e dhimbshme me Shkëlzenin

Mediale Vip

Sadije Berisha: Martesa e dhimbshme me Shkëlzenin

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 12:06

Ajo është në qendër të vëmendjes sa herë publikon diçka të re në rrjetet sociale që përdor. Këtë herë ka prezantuar të dashurin e ri, partnerin me të cilin aktualisht po përjeton një histori të këndshme. Fjala është për Sadije Berishën, ish-gruan e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ajo vjen në një rrëfim me detaje lidhur me familjen e saj, njohjen me Kristianin, ish-Mister Suedia 2000, hapat që do të ndërmarrin për të finalizuar lidhjen e tyre, dhe meqë jemi në prag të festës së të dashuruarve, Sadija tregon planet për të festuar “Shën Valentinin”. Ndër të tjera, ajo flet për familjen e saj, fëmijët dhe projektet që do të realizojë së shpejti.

Keni prezantuar në rrjetet sociale të dashurin tuaj. Mund të na jepni disa detaje kush është personi në fjalë?

Ai është suedez dhe punon me ndërtimin e shtëpive dhe inspektimeve të cilësisë. Ai ka dy fëmijë.

Si jeni njohur me njëri-tjetrin dhe prej sa kohësh?

Unë e kam takuar atë para dy vitesh nga miqtë dhe puna. U desh që për një kohë të gjatë të ishim miq, derisa u kthye në një marrëdhënie, për shkak se kjo ishte vendimtare për ne edhe nëse fëmijët do të ishin në rregull. Takimi ynë i parë ishte shumë i ëmbël, duke ditur që ishte organizuar nga vetë fëmijët, duke shpresuar dhe planifikuar që ne do të ishim më shumë sesa miq, një familje.

Si po shkon lidhja juaj? Keni menduar të ndërmerrni hapa të tjerë finalizues?

Ne jemi shumë të kënaqur dhe të lumtur në këtë moment, por për sa kohë të dy kemi fëmijë që shkojnë në shkollë dhe jetojnë në qytete të ndryshme, ne kemi vënë në vend të parë mirëqenien e tyre. Kështu që kushdo nga ne që mund të dojë të lëvizë për të ndryshuar banim, është e pamundur për shkak të fëmijëve dhe shkollës së tyre, të paktën në këtë fazë.

E kanë pranuar fëmijët tuaj këtë lidhje?

Përfundimisht! Me gjithë zemrat e tyre. Por kryesisht, sepse ne i lamë që kjo të ishte zgjedhja e tyre dhe nuk i shokuam apo surprizuam ata.

Ku do ta kaloni “Shën Valentinin”? Keni bërë plane?

Ditëlindja e Kristianit është më 15 shkurt, ndërsa ditëlindja e binjakëve të mi, Miki dhe Mimi, është më 16 shkurt, kështu që ne kemi vendosur që të bëjmë një festë të madhe ditëlindjeje dhe “Shën Valentini”, të dielën, me shampanjë, para drekës, në hapësirën tonë. Së bashku me fëmijët tanë, të dashurën e Mikit dhe prindërit e Kristianit. Në mbrëmje, unë dhe Kristiani kemi rezervuar që të shohim një shfaqje komedi dhe më pas darkë në restorant.

Tashmë, duket se jeta juaj është më e qetë. Si do e komentoni faktin që në rrjetet sociale, shpesh deklaratat e tua apo statuset në “Facebook” interpretoheshin ndryshe?

Jeta ime ka qenë më e mirë që kur unë hoqa dorë nga martesa e dhimbshme dhe toksike, ku kisha ngecur për një kohë të gjatë. Fatkeqësisht media ka hamendësuar gjithçka unë kam postuar, duke i lidhur ato me martesën me Shkëlzenin dhe të dashurën e tij. Unë e përdor “Facebook”-un për të shprehur mesazhet pozitive, por gjithashtu edhe zhgënjime dhe eksperiencat e shumë grave dhe fëmijëve të tyre. Unë kam qenë gjithmonë e sinqertë dhe kam shkruar nga zemra, jo për të impresionuar, por për të ndarë pjesë nga dita ime dhe vështirësitë e një nëne beqare. Por sigurisht, vetëm unë mund të vendos se si të shpreh hapur veten dhe me ndershmëri, por unë kurrë nuk mund të vendos sesi lexuesit (marrësit e mesazhit) i interpretojnë mendimet apo ndjesitë e mia.

Në “Instagram”-in tuaj publikoni shumë foto të gatimeve tuaja. Mos do të thotë kjo, që po i përkushtoheni tanimë më shumë gatimit se sa kafshëve?

Mua më pëlqen shumë të gatuaj, po ashtu më pëlqejnë shumë edhe kafshët, dhe nuk shoh asnjë arsye që të përjashtoj njërën nga tjetra.

Planet, angazhimet e së ardhmes?

Deri në fund të vitit të shkuar, unë punoja si projektuese e brendshme. Planet e mia tani janë të investoj në një biznes timin. Një projekt për strehim të përkohshëm për refugjatët dhe një plan i mirë integrimi kanë qenë projektet e mia të fundit. Dhe në kohën time të lirë, zakonisht mbrëmjeve kur fëmijët flenë, shkruaj një libër, të cilin shpresoj ta përfundoj gjatë këtij viti. Jeta vazhdon.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat