Jul Deda: I kam marrë leje, do të bëhem deputet

Mediale Vip

Jul Deda: I kam marrë leje, do të bëhem deputet

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 14:48

Me një karrierë gati 12­vjeçare, Julian Deda është një nga aktorët më të preferuar të momentit. Artisti, të cilin e shohim prej vitesh tashmë në spektaklet e humorit, gjatë muajve të fundit është shndërruar edhe në një nga opinionistët më të ndjekur në rrjetet sociale për shkak të reagimeve të tij të ashpra dhe konçize për gjithçka që ndodh në vend. Në këtë intervistë për “Summer Pages”, Julian Deda na rrëfen çfarë e ka shtyrë që të reagojë në mënyrë kaq direkte dhe agresive, ndërsa për përfshirjen e tij në politikë, ka treguar se, “nuk jam përfshirë më shumë sesa një vit më parë, të njëjtin ‘pozicion’ kam, jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe koordinator kombëtar”, ndërsa pohon se ai nuk është vetëm një kritik i qeverisë, por edhe i opozitës. “Mendimi im është që opozita duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe agresive në kërkesat e saj”. Veç qëndrimit të tij për fenomene të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë, aktori i njohur na rrëfen edhe mbi ndryshimet që do të pësojë në sezonin e ardhshëm “Grand Hotel 2 XL”, planet për të realizuar një “One man Shoë” dhe marrëdhëniet me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.


Juli, jemi në fund të verës. Keni bërë pushime? Ku?

Ende nuk kam pushuar dhe do iki së shpejti jashtë vendit. Megjithatë, kam bërë ndonjë ditë pushim në të bukurën Shqipëri, më pëlqen shumë turizmi malor. Zakonisht i lë pushimet për në fund, sepse nuk e dua të nxehtin e madh.


Po përgatiteni për sezonin e ri televiziv?

Përgatitjet zyrtare ende nuk kanë filluar, por nëse quhen të tilla bisedat mes meje, Turit, Erandit, Albanos dhe të tjerëve, po them po…


Cilat janë konceptet paraprake për “Grand Hotel 2 XL”?

Nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe. Mendoj se do të ndryshojmë në filozofinë e lojës pak, do ndryshojmë në skemën e spektaklit dhe katër blloqet do të jenë më të koncentruara dhe nuk do të jetë e njëjta ngjarje që fillon e mbaron për një orë e gjysmë, por do të ndahen zonat e problematikave. Do ketë një zonë editoriale, një sociale dhe një krahasimore, që të ketë larmishmëri dhe më shumë ritëm.


Çdo vit spektaklit i bashkohen aktorë të rinj, e kanë të vështirë të përshtaten me ju?

Është një praktikë që ndodh gjithmonë, sepse stafi ka nevojë për një rifreskim, për një ide të re, për energji të reja. Të përshtaten nuk është ndonjë vështirësi e madhe, madje mendoj se meqë janë me ne që kemi më shumë eksperiencë, duhet të ndjehen më rehat. Ata kanë vështirësi, e ndjej sepse edhe unë kam qenë dikur në vendin e tyre, pasi punojnë me njerëz që kanë vite në skenë dhe kanë një audiencë të madhe. Veç kësaj, nuk është një punë e lehtë dhe të lodh vetëm ideja që çdo javë ke një tekst të ri, të cilin duhet ta analizosh dhe ta përcjellësh sa më mirë, sepse duhet të japësh edhe mesazhin e duhur. Është një keqkuptim i madh që na ndodh me spektatorin në përgjithësi dhe intelektualët që e shohin më në filigram. Mendojnë se ne bëjmë thjesht gallatë, humor, por në fakt ne ngremë një shqetësim nga aktualiteti, si fjala bie eksodi i shqiptarëve që është një dramë më vete. Nëpërmjet humorit japim një mesazh, nëse është e drejtë apo e gabuar, e bardhë, e zezë, apo me ngjyra… Duhet t’i analizojmë të gjitha këto që të jemi të qartë për publikun.


Zëri i artistëve e ndryshon opinionin kudo në botë. Sa mendon se ndikojnë artistët në Shqipëri?

E the shumë mirë, kudo në botë, por këtu në Shqipëri ka pak ndikim të them të drejtën. Megjithatë, varet sesa aktiv je në bërjen e një opinioni. Nëse bën një opinion vetëm ku të intereson, atëherë nuk je shumë interesant dhe i besueshëm, sepse kuptohet pse po e bën. Ideja është që të jesh në kontakt me atë që ndodh. Opinion mund të bëjë kushdo, por në ndryshim nga të tjerët, një artist ka audiencë më të madhe. Megjithatë, si të ndikosh në 100 persona si në 2000, ndikim është, secili ka rëndësinë e tij.


Dhe në fakt, Julit opinionet nuk i mungojnë, madje kohëve të fundit je edhe më agresiv…

Unë jam brenda një strukture, jam pjesë e Partisë Demokratike dhe kjo dihet. Gjithsesi, edhe sikur të mos isha, janë disa gjëra që na shqetësojnë. Nuk mund të qëndroj pa reaguar kur diçka më shqetëson dhe në fakt kritikat e mia nuk i takojnë vetëm qeverisë. Kam reaguar edhe për ato që më shqetësojnë brenda Partisë Demokratike. Unë përpiqem të jap mendim. Unë nuk jam ndonjë figurë e lartë e partisë që të bëj ndryshime, por them atë që më shqetëson, pak rëndësi ka nëse e merr dikush apo jo. Reagoj nëpërmjet ‘FB’ dhe jap një mendim personal, kur të dal tek foltorja e partisë, do jetë tjetër gjë. Meqë “Facebook”­u është personal, jap mendimin tim, sigurisht i veshur me petkun e anëtarit të një partie, por kjo nuk ka rëndësi. Nëse më dhemb që njerëzit po largohen nga Shqipëria, apo që njerëzit po vdesin për bukë, do ta them. Nëse më dhemb që Partia Demokratike nuk po reagon në mënyrën e duhur dhe që duhet të kemi një opozitë më të fortë, sigurisht që do ta them. Duhet të kemi një opozitë më të fortë, për t’u përballur me fenomenet. Mendoj se një opozitë e fortë ka dy benefite, e para forcon dhe krijon besimin tek anëtarët e saj dhe e dyta, përmirëson qeverisjen, sepse nëse je i shëndoshë në kritikat që bën, edhe qeverisja do ishte më e mirë.


Po thoni “nëse”, janë këto në të vërtetë shqetësimet tuaja kryesore?

Shqetësimet e mia janë që këtu nuk po qeveriset mirë dhe kjo është e qartë si kristali. Që vendi është në regres ekonomik, kjo duket me sy të lirë, nuk po e them unë. Është e qartë që njerëzit janë më të varfër, paguajnë më shumë taksa dhe po ikin nga Shqipëria. Këto janë faktet dhe shqetësojnë gjithkënd, sepse të ikin rreth 70 mijë vetë për 10 muaj nuk është pak. Me këto ritme pas 30 vjetësh shpopullohemi. Sidoqoftë, unë mendoj se reagimi duhet të jetë. E rëndësishme është të flasim, të bëjmë opinion dhe të tregojmë disa të vërteta. Nëse shkojnë në vesh të shurdhër apo jo, këtë nuk di ta them.


Bëheni gjithmonë edhe më agresiv me kritikat tuaja. Kjo për shkak të impenjimit më të madh në politikë dhe synimeve në këtë fushë?

Jam bërë agresiv, sepse situata është rënduar. Nuk jam përfshirë më shumë sesa një vit më parë, të njëjtin “pozicion” kam, jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe koordinator kombëtar. Nuk ka të bëjë kjo, por gjendja është rënduar më tepër, prandaj e ndjej të reagoj më ashpër. Sesa e drejtë është nuk e di, por kështu e mendoj. Është evidente që një dorë e zezë po përpiqet të na e tërheq vëmendjen nga çdo e keqe, duke bërë lloj­lloj lajle lulesh, duke filluar që nga tenda dhe kërpudhat, te Kryeministria, e deri tek prishja e një kishe, sikur s’ka halle të tjera ky vend. Janë mekanizma të njohura tashmë, që bën diçka për të hequr vëmendjen nga një skandal më i madh. Këto gjëra duhet t’i shohim, nuk mund ta hamë më sapunin për djathë.


Çfarë sheh më emergjente?

Absolutisht ekonomia, ajo është më emergjente. Tragjedia e vërtetë është momenti kur dikush vjen dhe fut dorën në xhepin tënd, sepse nga kjo vijnë edhe eksodi, varfëritë, vetëvrasjet. Ekonomia është e gjitha.


Përveç shumë kritikave që ke për qeverinë dhe shtetin, cilat janë kritikat më specifike për opozitën? Mendimi im është që opozita duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe agresive në kërkesat e saj. E ka bërë, por edhe nuk e ka bërë. Opozita duhet ta bëjë gjithmonë dhe çdo problematikë e rëndë e këtij vendi duhet të kthehet në kauzë, problem kombëtar, sepse njerëzit duhet ta perceptojnë si të tillë. Eksodi është shumë shqetësues dhe nuk mund të kalojë lehtë edhe nëse nuk e ngre zërin opozita, nuk pretendoj që ta ngrejë dikush që e shkakton këtë eksod. Nuk them që nuk ka bërë punën, por ndoshta duhet të bëjë shumë më tepër për ta dënuar siç duhet këtë fenomen, e shumë fenomene të tjera.


Mendon të angazhohesh më shumë në politikë?

Ndoshta në zgjedhjet e ardhshme të kandidosh si deputet në Shkodër? Kjo është diçka që nuk e kam menduar ende. Pres që të fillojë sezoni i “Grand Hotel 2 XL” dhe do vazhdoj punën time normale në televizion. Megjithatë, nuk e përjashtoj, të ardhmes nuk i dihet. Deri në 2017­ën ka kohë, hap pas hapi do t’i shqyrtojmë. Thuajse çdo vit jeni pjesë e një shfaqjeje teatrale. Keni projekte të këtij lloji? Këtë vit kam një projekt në janar, ndoshta bëj një rol në teatër, sepse “Grand Hotel 2 XL” vërtetë nuk më lejon për shkak të kohës.


Kinematografi? Synoni ndonjë projekt?

Jo, dhe në fakt tregu i filmit lë shumë për të dëshiruar. Filmi është si ëmbëlsirë, që po të erdhi, mirë. Megjithatë, gjërat janë ndarë si në një rregull të heshtur, disa bëjnë televizion, disa teatër dhe disa film. Natyrisht që i kemi lënë hapësira njëri­tjetrit.


Juli, në një nga statuset tuaja në rrjetet sociale komentoni njerëzit që përdorin maska. Ju personalisht kur i përdorni maskat?

Njeriu duhet ta thotë mendimin e tij siç është, jo për shkak të maskës së momentit. Kjo e dëmton shoqërinë, sepse do mësohemi dhe do përdorim të gjithë maska.


Pse ju ka mbetur në mendje pikërisht ky status? Ndoshta sepse të gjithë përdorim një maskë?

Unë personalisht përdor maska vetëm kur dal në televizion për të bërë humor dhe vë maskën e një mjeku, apo të një personi që punon në një servis makinash. Në jetën e përditshme nuk përdor maska, sepse nuk ia vlen. Unë këtë mendim kam, kështu jam, me gjithë kostot dhe të mirat. Besoj se çdo njeri që mbron mendimin e tij është i respektuar, pavarësisht krahut të cilit i përket, majtas, djathtas, apo i qendrës.


U bënë 12 vjet në televizion. Ke menduar që të realizosh një shfaqje vetëm tënden?

Kam menduar për një “One man shoë”, por e nis dhe e lë për shkak të sezonit të ri në “Grand Hotel”. E kam diçka të qartë në mendje, por duhet ta plotësoj me detaje. Dëshiroj të bëj një stand­up.


Familja?

Familja merr të gjithë kohën time, natyrisht veç punës, për mos të thënë që është kryesorja. Kam dy fëmijë energjikë që më dhurojnë kënaqësi si prind dhe një bashkëshorte të shkëlqyer, e cila më ndihmon shumë, duke më respektuar pasionet e mia. Jetoj normalisht, larg luksit, sepse të gjithë mendojmë se bëjmë jetë luksoze, por në fakt jo. Fëmijët janë në shkollë dhe ne të dy jemi për fat të mirë në punë.


Je baba tolerant, apo i ashpër?

I ashpër nuk jam, kategorikisht, por rregullin e kërkoj ndonjëherë, që ata të mos e teprojnë. Përpiqem të mos u them fëmijëve ‘mos’ për gjithçka, siç na kanë thënë neve dikur, pasi ata janë fëmijë, kanë dëshirat, fantazitë dhe pasionet e veta dhe nuk kam dëshirë tua cenoj. Megjithatë, kujdesem që të mos e teprojnë me fantazitë e tyre.


Kush i vendos pikat mbi “i”?

Gjithmonë mamaja. Madje, edhe kur më kërkojnë mua diçka, u them që të flasin njëherë me mamin.


Po vendimet e rëndësishme në familje?

Nuk marr asnjë vendim vetëm. Po bëjmë 10 vjet martesë dhe nuk marr asnjë vendim vetëm, qoftë edhe për çështjet e mia personale. I marr vendimet gjithmonë me bashkëshorten, nuk bëj asgjë vetëm. Jo se nuk di t’i marr vetëm, por nganjëherë edhe nuk di t’i marr vetëm, kam gjithmonë nevojë për një mendim të saj.


Më sipër përmendët që i jeni mirënjohës bashkëshortes që ju lë të lirë. Megjithatë, ka raste kur ajo bëhet xheloze?

Xheloze duhet të ndjehet nëse i jap shkak. Unë nuk bëj punë qejfi jashtë shtëpisë, por gjithmonë për punë, apo takime të tjera. Ikjet jashtë shtëpisë janë më së shumti për punë. Nuk jam natyrë që bëj qejf pa familjen, nuk jam tip i Pub­eve. Pushime nuk bëj me shokët. Edhe me bashkëshorten pak herë jemi vetëm, sepse kam qejf që të kem gjithmonë fëmijët me vete. Jam shumë i lidhur me familjen.


Juli, i trembesh modelit që po krijohet kohët e fundit, se rruga drejt suksesit është nëpërmjet zhveshjes dhe seksit?

Hitet e verës të zhveshura duhet të jenë, sepse nuk mund të jenë me pallto. Spartak Ngjela ka thënë disa vite më parë, “Më gjej një statujë të antikitetit grek që është e veshur. Të gjitha të zhveshura janë. Dhe në të vërtetë, çdo histori arti është e mbështetur atje”. Varet sesi e sheh. Nëse bëhet për hir të zhveshjes për të nxjerrë hiret, besoj se është bosh, por nëse ka një funksion, ka tjetër perceptim… Nuk jam kundër zhveshje, do ishte shumë e cekët. Nëse bëhen të famshme vetëm për asetet, atëherë na duhet një filtër dhe është momenti që tashmë në Shqipëri të ketë një filtër./G.Sh

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat