Afërdita Paqarada jep detaje për koleksionin e ri

Mediale Vip

Afërdita Paqarada jep detaje për koleksionin e ri

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 12:01

Kreatorja e njohur Afërdita Paqarada është gati për të sjellë koleksionin e saj të radhës, i cili mban titullin “Arba”, për të cilin ka treguar detaje ekskluzivisht për emisionin “Express” të KTV-së.

Kreatorja ka bërë të ditur se me motivin më të madh e ka emëruar këtë koleksion “ARBA”, pasi që fustanet përcjellin mesazhe të forta akronimi si: A-Admirueshëm, R- Romantike, B-Bukur dhe A-Artistike.

Vajza e saj, Arba, po ashtu ka vizatuar skicat e fustaneve që ka realizuar tanimë Paqarada.
Fustanet janë dizajne të duhura për mbrëmje glamuri, tapet të kuq dhe ngjarje të ngjashme.
Ky aktivitet pasqyron një nga aktivitetet e radhës të organizuara nga ajo në të mirë të komunitetit.

Paqarada ka thënë se duke qenë se nga të dhënat e fundit zyrtare të QKUK-së, numri i fëmijëve të ekzaminuar me kancer është në rritje në vendin tonë dhe kështu ajo ka shfrytëzuar arritjen e saj profesionale për të sensibilizuar popullatën në ngritjen e vetëdijes, me qëllim të ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të prekur nga sëmundja e kancerit.

Si rrjedhojë, të ardhurat do të shkojnë për bamirësi. Fustanet do të jenë në shitje nga 1 shtatori në dyqanin 4G në Prishtinë, derisa pagesat mund të realizohen online dhe me para të gatshme në llogarinë rrjedhëse BKT, e cila do të bëhet publike.

Çmimet sillen nga 100 deri në 300 euro, një shumë e cila tregon modesti në raport me investimin kreativ, teknik dhe në materiale.

Shuma e grumbulluar do të dërgohet në repartin e hematologjisë dhe onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, në QKUK.

Afërdita është shprehur se kauza humanitare është një nga ndjesitë më të posaçme personale, “është diçka që më mbush shpirtin, mbështetja e fëmijëve të vendit tim”.

Koleksioni përmban gjithsej 40 fustane, derisa prezantimi i tij do të bëhet më 31 gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ndryshe, imazh i foto sesionit të koleksionit “Arba” është aktorja Ema Uka, prezenca e së cilës, sipas Paqaradës, i ka dhënë një mbështetje të madhe kauzës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat