Top Fest do t’ia japë çmimin e parë një kënge të kopjuar? (Video)

Mediale Vip

Top Fest do t’ia japë çmimin e parë një kënge të kopjuar? (Video)

Më: 30 maj 2015 Në ora: 10:51

Më 31 maj pritet të mbahet nata finale e të ashtuquajturit Top Festi i Fundit. Siç paralajmëruan organizatorët, festivali i muzikës moderne që nisi 12 vite më parë, do të ndryshojë vitin e ardhshëm.

Nuk do ketë konkurrim të përditshëm, me fazën prezantuese, as gjysmëfinale, por gjithë organizimi do të kulmojë në një natë të vetme, që sipas Lori Hoxhës do t’i ngjajë një ceremonie “Grammy apo Mtv Awards”. Kur kanë mbetur dhe -4 ditë nga shfaqja në Pallatin e Kongreseve, në media dhe rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë emrat që shihen si favoritë për vendin e parë.

Nisur nga popullariteti i këngës, shikimeve në youtube (më e klikuara, mbi 3,705,594) Noizy dhe Elgit Doda, përfliten si fitues të kupës së Top Festit të Fundit. Bashkëpunimi i dyshes, duket se do të marrë edhe pëlqimin e jurisë profesioniste, e cila në raport me votat e publikut, vendos çmimin kryesor.

Dyshimet se fitorja e Noizyt dhe Elgitit është vulosur tashmë, shtohen po të kujtojmë trajtimin special që stafi i këtij festivali i bënë pak ditë më parë reperit. Për xhirimin e klipit të Noizy-t që do të shfaqet natën e 31 majit, u rezervua një helikopter i urgjencës mjekësore që u ul përpara Presidencës. Burime për lapsi.al thanë se “e gjithë shfaqja në Pallatin e Kongreseve do të jetë teknologjike dhe efektet kanë një rol të rëndësishëm, por helikopteri nuk ngrihet kot…” – duke lënë të kuptohet se ky investim ka të bëjë pikërisht me momentin kulmor të show-t, kur do të ndahet çmimi i parë.

Në kampin tjetër, kundërshtarët ndryshe nga fansat, e kanë shpallur hapur mospëlqimin për këngën e Noizy-t dhe Elgit Dodës. Komentet në rrjetet sociale flasin për kopje. Hiti “Vetëm ti je”, thuhet se është “vjedhur” nga artisti i njohur i muzikës ‘dancehall Reggae’, Sean Paul. Më poshtë mund të dëgjoni ngjashmërinë mes dy këngëve.

Top Fest në edicionin e fundit, duket se po riciklon fatin e 12 viteve më pare. Atë kohë çmimin kryesor në festivalin e muzikës moderne shqiptare e fitoi kënga me bazën e kopjuar nga fillimi në fund, “Lady” – Stine feat. Abi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat