Ende është shumë herët për mua

Mediale Vip

Ende është shumë herët për mua

Nga: Maksim Gjokaj Më: 30 janar 2015 Në ora: 14:25

Mjaft e lumtur për suksesin e këngës “S’jam jetime” në bashkëpunim me motrën e saj Enin, dhe natyrisht se ka dashur të vijë me këtë baladë me njëra-tjetrën pasi edhe fansat ia kishin kërkuar. Kjo është këngëtarja Greta Koçi e cila në rrëfimin e saj për “Bota sot” mes tjerash na tregon se është në moshën dhe fazën e saj kulminante, ndërsa në ngacmimin tonë se kë do të donte ta kishte në krah si një mashkull të vërtetë, më mirë një artist apo një politikan, ajo ka këtë përgjigje që ju ftojmë ta lexoni në intervistën e saj.

“Bota sot”: Përshëndetje Greta, rikthehesh me një super këngë, por edhe me një mori intervistash?

Koçi: Faleminderit për komplimentin. Kënga është pëlqyer shumë dhe jam e kënaqur për këtë.

“Bota sot”: E nisët këtë baladë të bukur dhe pritshmëria ishte kjo që në fakt po ndodh ku kënga është super pritur?

Koçi: E nisëm sepse fansat dhe dashamirësit tanë na e kishin kërkuar prej kohësh këtë bashkëpunim. Vendosëm të sillnim diçka ndryshe, një fabul tjetër, një dashuri tjetër të madhe siç është ajo për motrën edhe nënën. Kjo besoj ka qenë arsyeja se pse publiku e ka pëlqyer kaq shumë këtë këngë.

“Bota sot”: Nëse do të ndanim suksesin në përqindje, merita më e madhe kujt i takon, Enit, Ilir Beranit apo Gretës?

Koçi: Merita është e të gjithëve. Suksesi është i të gjithëve pasi të gjithë kanë dhënë pjesën e vetë dhe shpirtin e vet në këtë këngë. Ilir Berani ka bërë një muzikë dhe një tekst të mrekullueshëm, interpretimi ynë është një tjetër pjesë e rëndësishme në këtë këngë, Ardian Kastrati ka bërë një punë të mirë me orkestrim, por pa diskutim “Alexandri” i cili ka realizuar një videoklip që i ka dhënë mjaft kuptim kësaj kënge. Pra gjithsecili ka pjesën e vetë të meritës.

“Bota sot”: Nga cili apo cila kolege more një sms apo telefonatë uruese për këngën që ndoshta nuk e kishe pritur?

Koçi: Shumë kolegë më kanë uruar. Nuk mund të veçoj tani një urim të veçantë. Jam gëzuar shumë prej urimeve dhe prej suksesit të këngës, pasi kur ka të tilla urime i ndjen frytet e punës.

“Bota sot”: A është e vërtetë se tani zonjat e PD-së që kanë vetëm një vajzë po mendojnë pas këngës të kenë edhe një fëmijë tjetër, po vajzë?

Koçi: Interesante kjo. Nuk e kam menduar, pasi s’mund ti hyj kaq thellë imagjinatës deri në jetën personale të zonjave të PD-së. Por kam marrë urime, natyrisht çdo nënë e ka ndjerë këtë këngë shumë besoj.

“Bota sot”: Ke thënë se tash nuk do të ndalesh në muzikë, kjo do të thotë që angazhimin në politikë do ta lësh si dorë të dytë?

Koçi: Por unë nuk kam ndaluar së marri me muzikë, thjesht nuk kam realizuar këngë pa ndalim siç ishte mësuar publiku me mua para disa vitesh. Unë kam qenë prezente nëpër koncerte, pra s’kam stopuar. Megjithatë është e vërtetë që edhe kjo mungesë e të publikuarit këngë aq shpesh sa publiku u mësua me mua, padiskutim që ka ardhur edhe për shkak të angazhimit tim në Partinë Demokratike, një angazhim i përditshëm dhe shumë serioz duke qenë se unë jam një ndër drejtueset e FRPDSH. Absolutisht nuk do të ngelet pas dore, ose në plan të dytë angazhimi im në PD. Do të jenë të dyja si muzika dhe politika në një balancë ku gjithsecila do të ketë vëmendjen dhe përkushtimin tim maksimal.

“Bota sot”: Pse Greta mendon se populli i Kosovës është më i vëmendshëm në dëgjimin e muzikës me vlerë?

Koçi: Jo nuk kam thënë këtë gjë. Edhe publiku në Shqipëri apo në Maqedoni ku ka shqiptarë janë të vëmendshëm dhe duan vlera. Ajo çka mendoj unë për publikun e Kosovës është fakti se janë shumë artdashës, dinë të të vlerësojnë dhe madje dinë të realizojnë më së miri muzikë shumë të mirë dhe me shumë shije.

“Bota sot”: S’ke folur kurrë për një dashuri tënden, kjo do të thotë se s’ke pasur kurrë një mashkull që e ke dashur në krahë?

Koçi: Unë nuk kam ndërmend të flas asnjëherë për jetën time private. Të paktën jeta private duhet të mbetet private. Unë jam e rrethuar me shumë dashuri, nga familja, nga miqtë, nga fansat të cilët më mbushin me shumë dashuri.

“Bota sot”: Do të doje që ky mashkulli i vërtetë i jetës tënde të ishte artist, apo politikan?

Koçi: Jeta është e gjatë dhe ka fazat dhe periudhat e veta. Unë jam në moshën më të mirë dhe kulminante, jam në periudhën ku po punoj fort për të mbyllur vitin e fundit të studimeve të larta në master për Diplomaci, jam në fazën ku kam një përkushtim absolut ndaj karrierës sime. Karriera dhe plotësimi i vetvetes, suksesi po ashtu janë prioriteti im në këtë fazë të jetës. Natyrisht që në një moment edhe në një moshë të caktuar do të vijë natyrshëm nevoja për të pasur dikë në krah dhe për të krijuar një familje. Ende është shumë herët për mua. Për t’ju kthyer pyetjes tuaj konkrete, unë nuk e kam menduar fare se çfarë profesioni do të ketë njeriu që unë do të kem në krah. Të tilla gjëra njeriu nuk mund ti llogarisë. Jeta është në rrjedhë të lirë, gjithçka do të vij atëherë kur duhet të vijë.

“Bota sot”: Ke në plan sërish këngë të reja, te Ilir Berani dhe një duet, na shuaj kureshtjen do të jetë me vëllezërit Prifti?

Koçi: Kam në plan të bashkëpunoj me Ilir Beranin, kjo nuk ka dyshim. Jam duke punuar për një bashkëpunim. Nuk mund të prononcohem pa e pasur ende materialin gati./BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat