Artistët nuk e besojnë ikjen e Gentit

Mediale Vip

Artistët nuk e besojnë ikjen e Gentit

Nga: Maksim Gjokaj Më: 29 janar 2015 Në ora: 12:22

“Jam e sigurtë që zëri i tij do jehojë gjatë edhe në brezat paraardhës. "Mos qaj", "Jo tani", "Jakup Ferri", "Lamtumire", etj. këngë të tij janë padyshim "himne" në muzikën shqip”.

“Artisti nuk vdes kurrë”, kjo shprehje do të na ngushëllojë pak nga humbja e njërit prej emrave dhe zërave më të bukur të rockut shqiptar. E njohëm si solistin e grupit “Djemve të detit”, u dashuruam fort me hitet e tij si: "Mos qaj", "Jo tani", "Jakup Ferri", "Lamtumirë", e shumë të tjera por do të donim ende të dëgjonin krijime të tjera nga Gentian Demaliaj, por ja që sëmundja mizore e ndau nga ne. Genti siç e njihnin të gjithë me këtë emër vuante prej kohësh nga një sëmundje e keqe, edhe Ministria e Kulturës në Shqipëri kishte kontribuar për ta shëruar atë, ndërsa miqtë e tij ende s’po e besojnë që 40-vjeçari me një zë të fuqishëm e të veçantë nuk jeton më. Vajza e tij është rritur tashmë dhe po shkëlqen në talent-show “X Factor Albania”, quhet Edea dhe do të ndjekë me krenari rrugën e babait që e braktisi duke shkuar pranë Zotit kaq i ri. Por Gentin dhe zërin e tij unik e kujtojnë të gjithë. Ja se çfarë shkruan në rrjetin e tij social kryeministri i Shqipërisë Edi Rama : “Trishtim i papritur për ikjen nga jeta të Gent Demaliajt, lideri i famshëm i “Djemve të Detit” që prodhuan tinguj aq tërheqës për të rinjtë”.

Nga ana tjetër artistja vlonjate Aurela Gaçe e kujton me këto fjalë : “Mos qaj, mos qaj ..Mos qaj për vdekjen o njeri.... Genti i Djemve të Detit. Kështu të thërrisnim... I paharruar qofsh për familjen e miqtë e gjithë fansat e tu. Luftove gjatë me sëmundjes, por tani shpirti yt u prehte në paqe e të qoftë dheu i lehtë. Ndërsa vetëm për “Bota sot” disa nga artistët dhe gazetarët e njohur shqiptarë që e kanë takuar dhe kanë jetuar me muzikën e tij ja se si e kujtojnë Gentin!

Rosela Gjylbegu: “Humbje e madhe, humbje jo vetëm për ato që janë rritë me muzikën e tij e për artin e gjithçka ai ka bërë, por mbi të gjitha për familjen ...jam e prekur nga humbja e Gentit, e njihja nga larg e mbase jemi takuar pak herë, por e kam ndjekur dhe kam dëgjuar shpesh këngët e tija, ku në shumë vargje të këngëve kam gjetur frymëzim force, uroj të prehet në paqe e i qetë shpirti i tij e që Zoti t’ju japë forcë familjarëve e që vajzat të ndjekin rrugën e babait të tyre në muzikë, e ta bëjnë krenar.

Valbona Mema: “Kam qenë në një dasmë në Lezhë ku ishte dhe Genti si mysafir. O Zot zëri i tij, ai njeri aq me zemër të mirë i qetë. Nuk e besoj dhe nuk do ta besoj kurrë ikjen e tij”.

Ervin Bushati: “Gentin dhe “Djemtë e Detit” siç quhej grupi nga Lezha i kam njohur që në fillimet e mia, pothuajse dolëm në një kohë. Asaj kohe dhe unë vokalisti i një grupi “Mister” të dy grupe nga veriu dhe ishim shume aktiv në festivale dhe aktivitete asaj kohe, bëhet fjalë pas 90’. Shumë herë jemi takuar në performancat që bënim në Lezhë e Tiranë. Një vokalist me vokal unik, djalë ekspresiv me atë lukun tipik rokeri si në skenë dhe në jetë. Kishte kohë që u shkëput nga muzika por këngët : “Mos qaj” apo “Këngë për Jakup Ferrin” do na bëjnë ta kujtojmë gjithmonë Gentin. U prehtë nw paqe”.

Bledi Strakosha: “Mbetet muzikë shumë e mirë dhe që solli risi në skenën shqiptare si në krijimtari, po aq edhe në look-un e grupit, e sidomos të Gentit. Një ndër zërat më të mirë të muzikës sonë edhe pse pak i aktivizuar, sidomos së fundmi”.

Albana Mesuli: “Grupi “Djemtë e Detit” sollën diçka krejt ndryshe në atë kohë edhe pse unë nuk isha pjesë e estradës në atë kohë të gjitha këngët e grupit i dëgjoja dhe krenohesha me faktin që ishin nga veriu. Megjithëse fatkeqësisht nuk e kam njohur personalisht, por si grup dhe si këngëtar e kam adhuruar gjithmonë”.

Albina Gjergji: “Më ka trishtuar shumë lajmi mbi ndarjen nga jeta të Gentian Demaliaj. Larg çdo formaliteti rutinë ndjej të shpreh ngushëllimet për familjarët e tij, për miqtë e afërt dhe kolegët e tij. Personalisht Gentin e njihja që në adoleshencë, duke qenë se ishte mik me djalin e xhaxhait tim, por më shumë miqësia me të është përforcuar profesionalisht, duke realizuar intervista të ndryshme në mediat ku punoja mbi karrierën e tij të suksesshme. Pa diskutim Genti është akoma artisti më origjinal që kam njohur, njeriu me i vërtete dhe rebeli më simpatik që nuk u bë kurrë pjesë e asnjë kompromisi të "papëlqyeshëm artistik"! "Djemtë e Detit" me vokalist Gentian Demaliaj janë pjesë e shumë e rëndësishme historisë së rockut shqiptar. Ai dhe banda e tij janë ndër eksperimentuesit me talent të ndërthurjes së muzikës folk me rock. Të gjithë admiruesit kanë humbur Gentin, por jo artin e tij të pastër. Jam e sigurtë që zëri i tij do jehojë gjatë edhe në brezat pasardhës. "Mos qaj", "Jo tani", "Jakup Ferri", "Lamtumirw", etj. këngë të tij janë padyshim "himne" në muzikën shqip”.

E kush nuk do të donte të fliste për një zë origjinal që u ndërpre nga jeta por për tu mos u harruar kurrë falë hiteve të tij. Edhe prezantuesja e njohur e skenës shqiptare Alketa Vejsiu do të shkruante kështu në rrjetin e saj social për artistin: “Gent Demaliaj luftoi deri në momentin e fundit, por jeta nuk u tregua bujare. Nuk të jap dot fjalën që nuk do qajmë për ty. Lamtumirë Gent! Këngët e tyre mbeten të pavdekshme. Sot duhet të këndonim "Jo tani".

Ndërsa edhe fjalët nuk dalin për të shkruar për një mik që iku nga jeta shprehet edhe kantautori Elton Deda: “Një mik i shtrenjtë i gjeneratës se rock-ut shkoi sot pranë engjëjve. Lamtumire Gent Demaliaj. S’po di ça te shkruaj....”. Artisti i ndjerë lezhjan është përcjellë me nderimet më të larta nga miqtë dhe kolegët e tij si admiruesit e shumtë , duke u nisur nga studiot ku dha më shumë kontributin e tij nga RTVSH për në banesën e fundit./BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat