“Miss Globe” në Shqipëri, Serbia tërhiqet nga gara

Mediale Vip

“Miss Globe” në Shqipëri, Serbia tërhiqet nga gara

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 11:55

“Miss Serbia” është tërhequr nga gara e “Miss Globe”, që prej 11 vitesh mbahet në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga producenti Petri Bozo, njëherësh organizator i saj. “Pas ngjarjeve në ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, komenteve politike dhe polemikave që pati, përfaqësuesja serbe është tërhequr nga gara.

Më vjen keq për këtë, sepse të gjitha vajzat serbe që kanë marrë pjesë në ‘Miss Globe’ gjatë viteve të kaluara, janë larguar me përshtypjet më të mira nga Shqipëria, e madje kanë shprehur edhe dëshirën të kthehen sërish. Por ky ishte vendimi i tyre”,- sqaroi Bozo gjatë një konference për mediat. Ndërkaq, emri i vajzës serbe që do përfaqësonte shtetin e saj në konkursin e bukurisë nuk dihet, pasi të dhënat për të duhej të vinin pranë organizatorëve këtë javë, gjë që nuk ka ndodhur për shkak të anulimit.

Vetë Bozo, i veshur me të kuqe, ka qenë një ndër shqiptarët e tribunës VIP në Beograd gjatë ndeshjes së dy kombëtareve në stadiumin “Partizani”. “Unë kam qenë në Beograd për të parë ndeshjen. Në fakt, gjeta mikpritjen e ‘Miss Serbisë’ së vitit të kaluar, që ishte bërë pjesë e ‘Miss Globe’ dhe kishte ardhur në Shqipëri duke ndjekur edhe turin tonë nëpër qytetet shqiptare”, – kujtoi ai.

Mësohet se një ndër arsyet e tërheqjes nga gara të “Miss Serbisë”, ka qenë shmangia e incidenteve apo tensioneve që mund të ndodhnin gjatë turit në Shqipëri e Kosovë, për aq kohë sa ‘miss’-i do të mbante jo vetëm fashën ku shkruhet “Serbi”, por edhe flamurin serb.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat