Unë Miss-i i Bjeshkëve që këndoj në programin e Ermal Mamaqit

Mediale Vip

Unë Miss-i i Bjeshkëve që këndoj në programin e Ermal Mamaqit

Më: 13 mars 2018 Në ora: 17:36
Olimpia Smajlaj

Olimpia Smajlaj mban kurorën e bukurisë së “Miss Bjeshka 2016”, e cila si vokaliste e një grupi rock tani po bën përshtypje me pamjen dhe zërin e saj në programin “Xing me Ermalin”. 23-vjeçarja me sytë e bukur dhe botën e veçantë shpirtërore është një personazh më vete e pazbuluar deri tani, pasi preferon t’i qëndrojë larg komercializmit në muzikë. E diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Biologji, në këtë intervistë për “Panorama Plus”, ajo përmbys stereotipin e vajzës së bukur që vetëmjaftohet me pamjen e saj. Si një vajzë e kompletuar, Olimpia flet edhe për figurën mashkullore që bën për të…

Je 23 vjeçe dhe para dy vitesh u zgjodhe më e bukura e Bjeshkëve të Kelmendit. Çfarë vlere kishte kjo fitore për ty?

Ishte një eksperiencë tepër e veçantë. Mbajtja e xhubletës, një kostumi shekullor ilir, është një ndjesi e papërsëritshme, madhështore më saktë.

Çfarë ju bën të dallueshme nga vajzat e tjera dhe cilat janë karakteristikat e bukurisë femërore në Bjeshkë?

Tiparet kryesore fizike, mendoj, janë gjatësia dhe format e bëshme.

Ke lindur në Shkodër, ke përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Biologji në Tiranë dhe të shohim të shtunave duke kënduar në “Xing me Ermalin”. Ku e ka zanafillën lidhja jote me muzikën?

Me muzikën më lidh shkurt e shqip aftësia që kam për të kënduar. Por sigurisht është më e gjerë se kaq. Muzika është tmerrësisht e rëndësishme në jetën time.

Kush ta bëri ofertën për të qenë pjesë e “Xing me Ermalin” dhe cila ka qenë eksperienca jote me të kënduarin?

Pasi kisha postuar video duke performuar live, njëri nga çunat e orkestrës ishte surprizuar dhe u interesua, meqë rastisi dhe një periudhë kur ata po kërkonin këngëtare. Ndërsa me këngën unë jam marrë që në klasë të parë. Gjithmonë kam kënduar. Kam pasur dy grupe Rock, me njërin jam akoma aktive. Por i përkisja gjithmonë skenës underground të Rock-ut/ Metalit shqiptar dhe prandaj nuk jam dukur shumë.

Ermali preferon të të quajë “Olimbí”, nuk ke frikë se në të ardhmen do të njohim pikërisht me këtë emër?

Jo, s’ka pse. Pastaj sikur e ka harruar këto herët e fundit. S’po më thërret më ashtu (qesh).

Si është të punosh në televizion dhe deri tani, cilët të ftuar do të veçoje si më impresionuesit?

Unë tani sa kam filluar dhe deri tani gjithçka ka qenë mirë. Nuk kam kapur shumë të ftuar, por nga ata të ftuar që kanë ardhur tani që jam unë, do të veçoja Hetem Ramadanin. Ishte një njeri spiritualist, nga i cili kishe çfarë dëgjoje e mësoje.

Cila është kënga që e këndon me shpirt dhe këngëtari i njohur që do të doje të bëje një duet?

Kam aq shumë, sa nuk di nga t’ia nis. Tani ju i vutë gjini, por jo numër. Atëherë, unë do të them grupe se ata janë në preferencat e mia. Edhe pse në Shqipëri nuk njihen shumë, Deftones dhe My Dying Bride, i dua shumë. Ndërsa një grup shumë fiksues, që fatmirësisht njihen goxha, janë gjermanët “Rammstein”. Me ta bashkëpunimi do të ishte fantastik se janë shumë të çmendur (në kuptimin pozitiv).

E ke menduar të bëhesh pjesë e muzikës komerciale dhe si?

Kam menduar që mbase ndonjë ditë do të detyrohem të bëhem dhe jam e sigurt që në fund të ditës nuk do më pëlqejë, pavarësisht përfitimeve. Le t’ia lëmë kohës!

Kaq e bukur dhe me disa talente, po dashurinë e ke gjetur?

Jo. Një mendje më thotë që këtu s’do e gjej.

Do të zgjidhje për bashkëshort burrin e pushtetshëm dhe të pasur, apo atë romantikun që të përkëdhel?

Unë nuk eci me stereotipe në asgjë dhe kjo ndarja kështu më duket shumë gjeneralizuese dhe limituese, pasi mund të ketë persona që nuk kanë asnjërën, ose i kanë të dyja. Gjithsesi, unë jam shumë kërkuese, më tepër për formimin e individit se të mirat materiale që mund të ketë. Nuk mund të duroj njerëz që s’kanë asgjë interesante në totalin e tyre për të më kuriozuar dhe mos më mërzitur. Dhe duhet shumë bagazh në të gjitha fushat për këtë (jashtë modestisë…).

Po këndvështrimi i tij për femrën, si duhet të jetë, meqë jemi në atmosferën e 8 Marsit?

Për mua, të jetë feminist, pra, të kuptojë që gratë dhe burrat duhet të gëzojnë të drejta të barabarta si qenie njerëzore të barabarta (jo të njëjta) në shoqëri dhe të kuptojnë që nuk ka gjini superiore apo inferiore, ka vetëm kufizime që i bën shoqëria njërës gjini dhe privilegje tjetrës. Në një shoqëri patriarkale si e jona është e vështirë të gjesh njerëz që kanë mendim kritik edhe për këtë pjesë. Ah po… dhe të mbajë erë të mirë! Kujdesi ndaj vetes nuk duhet të jetë diçka ek-skluzive për gratë, por për të dyja gjinitë.

Këmbët e gjata dhe flokët e gjata. A mendon se është kjo femra më në trend e momentit?

Sot ka shumë trende që shkojnë e vijnë. Ndërsa kjo që thoni më duket all-time-classic!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat