Ines Shehu dhe forca pas një buzëqeshjeje

Mediale Vip

Ines Shehu dhe forca pas një buzëqeshjeje

Më: 20 prill 2024 Në ora: 18:25
Ines Shehu

Dikur një vajzë 10-vjeçare, mbante në dorë violinën dhe kishte në fantazinë e saj performancat në një skenë madhështore me një publik që shijon tingujt e The Chaconne.

Ines e ndoqi pasionin e saj pë violinën për rreth 20 vite, duke përfunduar dhe studimet në Universitetin e Arteve për violinë. Por sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë e përforconte idenë se ky profesion nuk do të ishte e ardhmja e saj për arsyen e mosvlerësimit dhe problematikave që pikasen tek artistët në vend.

Nuk shqetësohej dhe nuk e humbiste motivin!  

Ajo ndoqi masterin për menaxhim ekzekutiv dhe u fokusua më shumë tek zgjidhja sesa tek problemi.

E apasionuar pas politikës, Ines ndiqte me vëmendje çdo zhvilim dhe tregon se pranë saj qëndron gjithnjë një bllok shënimesh.

'Përgjatë ditës idetë, mendimet, reflektimet mund të ndodhin në çdo sekond, papritur. Ti duhet të jesh gati t'i ruash sepse ato të shërbejnë për një ndryshim.'

Nëpërmjet një intervistë nga Class, Ines ka ndarë disa detaje për rrugëtimin e saj, duke shprehur gatishmërinë e të qënit pranë çdo gruaje që ka nevojë të investojë në zhvillim e saj personal dhe profesional.

Ines ka shprehur shpesh përgjatë intervistës se çdo sfidë e kaloi më një buzëqeshje!\

A janë promovuar si duhet vajzat dhe gratë artiste në Shqipëri?

Ka qenë gjithnjë vështirësia për një promovim dinjitoz. Të zgjedhësh artin si një rrugë për të ardhmen vetvetiu të krijon një pasiguri. Por kultivimi për të dashur artin duhet të bëhet mirë që në gjenezë. Pra mungon dhe një kurrikul efektive në shkolla, një metodë që të transmetojmë tek të rinjtë dëshirën për të ndjekur një shfaqje në opera apo në teatër...

Shpesh rrugët e artit janë parë si më pak funksionale në vendin tonë, ndryshe nga si duhet të ndodhte, ku nëse do i jepej promovimi i duhur, të gjitha këto gra dhe vajza që e ndjekin këtë rrugë do i jepnin një tjetër hijeshi shoqërisë.

Cila mendon se është pengesa më e madhe për një grua në art, në politikë dhe në biznes?

Pengesa më e madhe që sot ka një grua në çdo fushë të shoqërisë sonë, është mungesa e shanseve të barabarta.

Sot në raport me meshkujt grave ende nuk u jepen mundësi të njëjta dhe nuk trajtohen me respektin që meritojnë, herë për shkak të mentalitetit shumë të egër, herë për shkak të maskilizmit të shoqërisë. Këto pengesa janë shpesh të larta dhe sfiduese ndaj cdo rrugëtim për vajzat dhe gratë shqiptare është i vështirë, por jo i pamundur.

Por nëse flasim për zhvillimin e një gruaje në Shqipëri si e sheh 10-vjeçarin e fundit?

10-vjeçarin e fundit e ëndërroja krejt ndryshe, me më shumë mundësi, shanse në mënyrë që çdo vajzë të tregojë më shumë nga potenciali i saj. Ama sot zgjohem në një realitet ku çdo vajzë dhe grua i duhet të luftojë dysfishi që zëri i saj të dëgjohet e të respektohet.

Një grua sot në Shqipëri e sheh veten shumë pak të paguar, vuan faktin që nëna e saj pensioniste nuk blen dot ilace dhe sesi vajza e saj e vogël nuk do të mësojë në shkollë se do fitojë më shumë në rrugë të tjera pa lodhje, e gjithashtu një grua sot është e vetmuar më shumë se kurrë, sepse  mikeshat e saj kanë zgjedhur të braktisin vendin dhe të jetojnë jashtë.

Sot që je një zë në politikë, çfarë do të ishte një strukturë më favorizuese për vajzat dhe gratë të cilën do e mbështesje?

Pikërisht për këtë aryse kam zgjedhur t'u drejtohem shumë lexuesve. Ne po punojmë pë struktura të qarta mbi të drejtat dhe parimet e një gruaje. Nuk është e lehtë, pasi edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore ka përballje me problematika të tilla. Por nëse kujdesemi për çdo hallkë ndryshimi është më efikas.

Partia e Lirisë ofron mundësi të pafundme për gratë dhe vajzat që të përfaqësohen dhe të përfaqësojnë qytetarët e vendit. Jo vetëm janë të zgjedhura nga qytetarët, por përbëjnë 50% të të gjithë politikëbërjes në strukturat e partisë. Ajo që po punohet është krijimi i një akademie ku qëllimi primar i yni do të jetë fuqizimi personal i grave me fokus kryesor zhvillimin teknologjik si një mjet për të fuqizuar ekonomikisht një grua.

Si do e përshkruaje një rutinë si nënë, bashkëshorte dhe grua në karrierë?

Do e përshkruaja si një rutinë mjaft dinamike. Të paturit një kombinim  të arrirë  midis bashkëshortes dhe gruas në karrierë për mua është shumë e rëndësishme! Bashkëshorti im është mbështetja ime më e madhe, i cili më motivon dhe më shoqëron në çdo vendimarrje. Familja ime është shtysa ime më e rëndësishme dhe motorri që lëviz të gjithë idealin tim përpara si edhe ëndrrat që kam për ta parë këtë vend të ecë përpara.

Cilat janë ato detaje që të gjithë ata që të njohin i dinë?

Të gjithë njerëzit rreth meje surprizohen sesi një violiniste u bë sipërmarrëse e së fundmi ka materializuar më në fund pasionin e të dashurit të bëjë mirë e të ndryshojë botën. Për të qenë e sinqertë  violina ka qenë dashuria ime e parë e profesioni im për të cilën kam studiuar plot 20 vite, i ka dhënë kuptim çdo ndjesie që kam patur ndonjëhëerë dhe ka shënjuar kush jam unë sot.

Puna me shitje dhe sipërmarrja ka qenë vënia në jetë e një plani të mirëmenduar, fundja pata shumë kohë ta mendoja gjatë pandemisë. Ndërsa politika surprizoi çdokënd që nuk më njeh dhe padyshim do i sillte një buzëqeshje çdo të njohurit tim ku më në fund kam mbërthyer pasionin tim më të madh: “Kurajo që të hyj në politikë për t'i kthyer buzëqeshjen dhe optimizmin cdo qytetari në vendin tonë, në mënyrë të veçantë grave.”

Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

Në edukimin që kam marr nga familja ime dhe mënyra si jam rritur e kam patur mendimin më të largët ikjen nga Shqipëria. E dua shumë vendin tim, qytetin, rrugët, kthesat dhe shkëputjen do e kisha vërtet të vështirë. E megjithatë në rrugëtimin tim si muzikante dhe në vizitat që kam patur jashtë, mundësitë e mëdha profesionale shfaqeshin si një kopsht tundues.

A ishte e vështirë të bënit këtë ndryshim, në dukje radikal të karrierës?

Vështirësitë eksiztojnë tek cdo ndryshim për aq kohë që përballesh me të panjohurën. E megjithatë unë jam një njeri kurajoz dhe shumë kurioze nga natyra ndaj nuk frigohem përballë  ndryshimit. Po ashtu gjithnjë çdo gjë që kam bërë e çdo hap që kam marrë, e kam bërë me shumë pasion dhe idealizëm.

Gjatë kohës së pandemisë ju keni filluar dhe një sipërmarrje personale tuajën. Cila ishte gjeneza e këtij projekti dhe si po ju duken rezultatet?

Me thënë të drejtën gjatë pandemisë pata më në fund kohë për t’iu përkushtuar totalisht këtij projekti që deri në atë moment ishte thjesht në mendimet e mia. Ajo që më ndihmoi më shumë ishte fokusi tek risitë që ofron bota e marketingut dixhital dhe inovacionit. 

Duke bërë bashkë eksperiencat e mëparshme të punësimit dhe të gjitha këto dije marketingu iu dha jetë këtij projekti që në fakt po kalon pritshmëritë e mia çdo ditë.

Sot je pjesë e Partisë së Lirisë, si e sheh rolin e gruas në politikë, a janë të përfaqësura denjësisht në jetën politike?

Kjo ide ka bashkëjetuar me mua prej shumë kohësh, bashkë me dëshirën time të madhe për t'u angazhuar në të mirë të vendit tim, për të ndryshuar e për të impaktuar jetën e qytetarëve.

Partia e Lirisë, është e mendimit të lirë, e inovacionit dhe e mbështetjes të të gjithë njerëzve. E zgjedh se besoj tek vizioni ynë, tek vlerat tona dhe tek një qëndrim që mua më ka shoqëruar gjithnjë, mbështetja e grave dhe vajzave si dhe të rinjve.

Në Shqipëri është shumë e vështirë të ndash nëse të gjithë zonjat që na përfaqësojnë në politikë, janë aty si një numër statistikor, apo një vlerë e vërtetë dhe e shtuar. Në Partinë e Lirisë 50% e përfaqësimit politik i përket grave dhe ne jemi në mbështetje të përhershmë për të mbrojtur, mbështetur çdo grua dhe vajzë shqiptare.

Cili është mesazhi yt për ato vajza që ndihen sikur nuk e kanë gjetur rrugën për të ndjekur pasionet e tyre?

Kurrë nuk është vonë për të ndjekur pasionin tuaj! Do ia thoja pa tingëlluar si një klishe, e besoj dhe e kam të jetuar. Shumë shpesh rrugët e jetës nuk të drejtojnë lehtësisht tek pasionet e vërteta dhe përballesh me sfida të cilat mund të të devijojnë përkohësisht, por që do e rigjeni përsëri. Do i inkurajoja që kurrë mos të dorëzoheshin, por të luftonin pambarimisht për të ndjekur çdo gjë që do i plotësonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat